Çfarë do të ndodhë me Ligjin për Gjuhën Shqipe në Maqedoni, cilët janë skenarët?

Politika

Çfarë do të ndodhë me Ligjin për Gjuhën Shqipe në Maqedoni, cilët janë skenarët?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 janar 2018 Në ora: 14:51

Ligji për Gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë ishte miratuar me 69 vota, mirëpo Presidenti ka vendosur ta mos e dekretojë atë.

Të mërkurën e javës së kaluar, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka deklaruar se vendimi i tij është të mos e dekretojë miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas presidentit, ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flmurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”, tha mes tjerash Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Ivanov ka shtuar se ligji është në kundërshtim me kushtetutën dhe si i tillë, ai do të rikthehet në parlament.

Duke komentuar qëndrimin e Ivanovit, analistët politikë nuk shprehin befasi për deklaratën e tij.

Sipas tyre, Presidenti tashmë është bërë i njohur për qëndrimet e tyre kundër shqiptarëve.

Image
Xhenur Iseni

Ivanov kundër gjuhës shqipe

Analisti politik, Xhenur Iseni ka thënë për “Bota sot” se Ivanov është bërë i parashikueshëm me qëndrimet e tij kundrejt shqiptarëve.

Sipas tij, Ivanov përveç që nuk dëshiron ta zyrtarizojë shqipen, ai kërkon edhe mos avansimin e saj.

“Veprimi i fundit i Presidentit Ivanov nuk është për t’u befasuar, tani më Ivanov është bërë i parashikueshëm me qëndrimet e tija mizore kundrejt të drejtave të shqiptarëve. Ligji për përdorimin e gjuhëve, nuk e zyrtarizon shqipen, por vetëm e avancon nga ajo që ka qenë. Shqiptarët janë shtetformues dhe gjuha e tyre amtare duhet të jetë zyrtare me plotë kuptimin e fjalës. Por në këtë rast bie në sy një gjë, që Presidenti Ivanov jo vetëm që nuk dëshiron të bëhet zyrtare gjuha shqipe, por ai nuk dëshiron edhe të avancohet gjuha shqipe”, ka pohuar Iseni.

Ai mendimin e Ivanovit e quan të një mendësie mesjetare, gjersa ka shtuar se ligji mund të votohet në kuvend dhe të hyjë në fuqi edhe pa nënshkrimin e tij.

“ Ky mendim është i një mendësie mesjetare e tij, sepse gjuha është identiteti i një populli, ndërsa nga fakti që Ivanov nuk e nënshkruan këtë avancim të paktë të gjuhës shqipe dëshmon se ai në mbrendësinë e tij dëshiron ta zhduk indin shqiptar në Maqedoni. Tani më ligji është kthyer në kuvend dhe nëse e votojnë deputetët për së dyti herë, atëherë ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e tij, mirëpo për këtë duhet të kalojnë 30 ditë. Ivanov pati mundësi sado pak të permirësohet në këtë rast, por me këtë veprim ai dëshmoi se asnjëherë nuk ka qenë President i Shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Iseni.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, pas deklarimit të Presidentit Ivanov, është shprehur se ligji për gjuhën shqipe do të kthehet në lexim të tretë dhe mund të marrë më shumë vota se herën e kaluar.

 “Lidhur me çështjen e gjuhës, kam paralajmëruar që në shtator të vitit të shkuar se do të ndodhte një veprim i tillë sikundër që ndodhi nga kreu  shtetit. Prandaj, për rrjedhojë ligji do të kthehet në Parlament, për një procedurë shtesë, që mund të zgjasë 30 ditë, që do të kthehet në lexim të tretë, për të kaluar në shqyrtim të drejtpërdrejt, ku mund të krijohet një amandemtim, ku mund të ketë një debat. E gjithë kjo do të zgjasë deri kah mesi i shkurtit dhe ligji kërkon 61 vota për miratim, ndërkohë që në votimin  e kaluar kishim 69 vota, prandaj ky ligj është e sigurt që do të kalojë”, ka pohuar Xhaferi.

Image
Zudi Xhelili

Partia e Ivanovit, një albanofobe

Ndërsa, analisti Zudi Xhelili ka pohuar se partia e Presidentit Ivanov ende nuk mund të çlirohet nga albanofobia.

Duke komentuar vendimin e Ivanovit, analisti Xhelili ka shtuar se partia e tij që nga fillimi ka qenë kundër këtij ligji, duke menduar se me anë të këtij ligji shkohet drejt feudalizmit.

“Ligji për gjuhët, ashtu quhet ligji që u miratua në parlamentin e Maqedonisë me 11 janar. Meqenëse kjo përbërje parlamentare nuk mund të sigurojë 2/3 e votave për të ndryshuar kushtetutën e vendit ,amandamentin 5 të kushtetutës që rregullon përdorimin e gjuhëve, prandaj qeveria vendosi të sjellë ligje që do t’i plotësojë kërkesat e partive shqiptare për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe. Ky ligj mundëson që gjuha shqipe të ketë përdorim të zgjeruar gati në të gjitha segmentet e shtetit. Partia e presidentit Ivanov nga fillimi ishin kundër këtij ligji duke menduar se me anë të këtij ligji shkohet drejt federalizimit të vendit. Marrëveshja e partive politike shqiptare dhe disa kërkesa në këtë marrëveshje ishte kushti që deputetët shqiptarë e votuan qeverinë e Zoran Zaevit, ai premtoi se do i zbatojë pikat nga kjo marrëveshje, një nga ata pika ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Tani që presidenti nuk e dekreton ligjin ekziston mundësia tjetër që ligji të lexohet për herë të tretë në parlament dhe i njëjti pa pasur nevojë të i nënshtrohet dekretimit të bëhet i plotfuqishëm, pra pritet që në afat të caktuar të vihet përsëri në rend dite në kuvend dhe të votohet përsëri. Partia e presidentit Ivanov si duket ende nuk mund të çlirohet nga albanofobia”, ka pohuar Xhelili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat