“Premtimet kot të qeverisë, ky është rreziku për Kosovën nga konfrontimi me ndërkombëtarët”

Politika

“Premtimet kot të qeverisë, ky është rreziku për Kosovën nga konfrontimi me ndërkombëtarët”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 janar 2018 Në ora: 16:20
Kuvendi i Kosovës

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka shkuar në Kuvend, edhe pse u tha premtimet e qeverisë ishin që kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Përpos kësaj, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës vazhdon të jetë vetëm premtim i qeverisë, që nuk dihet kur do të realizohet, edhe pse shpesh janë dhënë afate kohore.

E së fundmi gjithë vëmendjen e ka marrë tentativa e disa deputetëve për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, e që u kundërshtua nga ndërkombëtarët.

Për të gjitha premtimet e qeverisë e që nuk u realizuan, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, analisti politik Leon Duhanaj thotë se ato dolën të jenë vetëm premtime kot dhe krejtësisht dështime.

Image
Leon Duhanaj

“Premtimet e shumta, me të cilat erdhi qeveria e re dhe të cilat deklarativisht do duhej të realizoheshin brenda njëqind ditëshit të parë me gjasë dolën të jenë premtime koti madje dhe dështime totale. Dështime, pasi që gjendja nuk është përmirësuar fare. Madje ka përkeqësime të theksuara”, vlerëson ai.

Sipas Duhanajt, konfrontimi i qeverisë me ndërkombëtarët e dëmton imazhin e shtetit karshi partnerëve dhe largon vendimet pozitive për vendin.

“Qeveria e tanishme ka hapur një front konfrontimi me partnerët ndërkombëtare, duke u treguar e papërgjegjshme në respektimin, përkatësisht zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kjo jo vetëm që largon nga vendimet pozitive për liberalizim e integrim, por dëmton rëndë imazhin e shtetit karshi partnerëve”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat