Vazhdon “drama” me Gjykatën Speciale, cilën rrugë do ta ndjekë Qeveria?

Politika

Vazhdon “drama” me Gjykatën Speciale, cilën rrugë do ta ndjekë Qeveria?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 janar 2018 Në ora: 14:22
Selia e Gjykates Speciale

Me 22 dhjetor të vitit të kaluar, në Kuvendin e Kosovës pati një tentativë për të sjellë iniciativën e 43 deputetëve për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Reagime të shumta pati nga shtetet e Qunitit, BE, politikanë e analistë të shumtë, të cilët kundërshtuan shfuqizimin e këtij ligji, të gjykatës që është themeluar në vitin 2015 nga vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Tani, një muaj pas kësaj iniciative, të hënën kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur me LDK-në që votoi kundër dhe Xhavit Haliti nga PDK, vendosi që të dërgojë në Qeveri iniciativën e deputetëve dhe kështu që tani me të do të merret Qeveria, duke vazhdruar edhe më tej “dramën” e nisur më 22 dhjetor të viti të kaluar.

Nga Zyra për Komunikim e Kryeministrit nuk janë përgjigjur në lidhje me procedurat që do ndiqen nga qeveria, mirëpo kryeministri Ramush Haradinaj së fundmi ka thënë se e ka angazhuar dikë nga ekipi i tij që të bisedojë me Kryesinë e Kuvendit lidhur me kërkesën për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Sipas tij qeveria ende nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Kuvendi, derisa shtoi se roli i qeverisë lidhur me këtë çështje nuk është shumë i madh, pasi që kjo është iniciativë parlamentare.

Ndërsa, në lidhje me mundësinë që të ketë një tentativë tjerë për të zhbërë këtë ligj, për gazetën “Bota sot”, kanë dhënë vlerësimet e tyre analistët politikë dhe njohës të çështjeve juridike.

Image
Ramush Tahiri

Procedurat që do të ndjekë qeveria

Politologu Ramush Tahiri shpjegon mënyrën procedurale të dërgimit të iniciativës së deputetëve nga Kuvendi në Qeveri, derisa tregon se në seancë plenare të Kuvendit, mund ta dërgojë Ministria e Drejtësisë.

“Është çështje krejtësisht procedurale në respektim të Rregullores së Kuvendit por edhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në pjesën që ka të bëjë me marrjen e nismave për procedim dhe për ndryshim plotësim të ligjeve. Pasi deri tash nuk kemi veprime konkrete te tërheqjes së nënshkrimeve nga ana e deputetëve nënshkrues të nismës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me gjithë deklarimet publike të dy-tre deputetëve, ajo është e rregullt dhe duhet të procedohet për mbledhjen plenare të Kuvendit. Për këtë duhet të ketë sponzorues të Projektligjit. Këtë mund ta bëjë Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë”, thekson Tahiri.

Ai shpjegon edhe variantin që ka dalë në opinionin publik për shfuqizimin e ligjit për Specialen, por që është mohuar nga këshilltarët e qeverisë.

“Në opinion publik ka dalë një variant i projektligjit me dy nene, një që shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale...dhe dy, që ky ligj hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Presidenti, por për këtë variant Qeveria nëpërmjet njërit nga këshilltarët kishte deklaruar që ky dokument nuk është i saj”, është shprehur më tej ai.

Politologu Ramush Tahiri tregon se pritet afati ligjor nga Qeveria që të procedojë në Kuvend si projektligj apo të japë mendimin institucional për nismën e deputetëve.

“Tash mbetet të pritet afati ligjor njëmujor që Qeveria ta procedojë në Kuvend si Projektligj ose të japë mendimin institucional për nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale të miratuar në vitin 2015, të tregojë a janë krijuar kushtet për një gjë të këtillë dhe a pajtohet. E gjithë kjo është ana ligjore e procedurale, jashtë anës politike të pasojave eventuale të brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Lojë e Thaçit

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, mendon se Qeveria dhe Kuvendi do të vazhdojnë të luajnë ping pong me këtë iniciativë, duke ia hedhur njëra tjetrës.

“Ping-pongu mes Kuvendit dhe Qeverisë për Gjykatën Speciale do të vazhdojë edhe më tutje, pasi besoj se qeveria do e dërgojë në Kuvend ligjin për shfuqizim të Gjykatës Speciale. E tëra është lojë e Thaçit që t'ia hedh pataten e nxehtë Ramushit duke shpëtuar veten, të vret dy zogj me një guri”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, presioni ndërkombëtar do të ndikojë që të mos shfuqizohet ligji për Specialen.

“Gjithsesi mendoj se presioni ndërkombëtar do ndikojë që mos të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale në të kundërtën vendi rrezikon të rikthehet në 1244. Kjo do ishte fatale për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Mendoj se qeveria do mundohet të rikthejë në kuvend ligjin, duke u munduar të heq nga vetja këtë gjë”, është shprehur Mehmeti.

Image
Blerim Burjani

Një lojë që të blihet kohë

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se e gjitha është një lojë dhe po tentohet të blihet kohë.

“Kjo nuk ka kuptim, është një lojë por edhe panik se çka duhet bërë kur kthehet për mendim në qeveri nga Kuvendi.  Qeveria aktuale s’ka asnjë sugjerim nga Kuvendi çfarë të bëjë? Sikur Qeveria të kishte një mandat të ri të ndryshojë ligjin për Specialen atëherë kishte pasur ndonjë kuptim që i është kthyer qeverisë, por ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve mund t’i bëjë edhe Kuvendi pra deputetët. Sidoqoftë kjo është blerje kohe, taktizime politike, dhënie përparësi diplomacisë, arritjen e marrëveshjeve dhe kompromiseve politike nga grupet parlamentare. Situata është e tensionuar, ekziston një shqetësim i madh ndërkombëtar dhe kjo mund të prishë balancin e raporteve në disa dimensione. Në këto momente kërkohet fleksibilitet politik, kompromis politik”, është shprehur ai.

Sipas tij, duhet të ketë vetëdijësim politik dhe jo panik e frikë.

“Kjo situatë rreth Gjykatës Speciale është e përcjellë me presion politik edhe pse puna e gjykatës është e pavarur nga politika, ndikimi politik për të ofruar kushte pune për këtë gjykatë s’ka të ndalur nga shtetet e shumta dhe miqtë e shtetit të Kosovës. E rrugës do të ishte vetëdijësimi politik, nuk ka nevojë të ketë frikë e panik por më shumë transparencë dhe bashkëpunim të kësaj gjykate me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës”, ka vazhduar më tutje Burjani.

Ai tregon se si do të mund të qartësohej gjithë situata.

“Mendoj se gjërat mund të qartësohen përmes një transparence dhe bashkëpunimi të institucioneve vendore me ato ndërkombëtare, të hartohet një kornizë bashkëpunimi vendor-ndërkombëtar përmes ndonjë dokumenti formal për punën e kësaj gjykate. Kuptohet po qe se edhe më tutje ka rezistencë nga deputetët, 30 ditë janë të mjaftueshme edhe për konsultime shtesë diplomatike me miqtë ndërkombëtarë”, vlerëson ai.

Burjani mendon se ka frikë nga individët që mund t’i marrë kjo Gjykatë, derisa tregon dy rrugët që ka Qeveria për të zgjidhur këtë çështje, ndryshe do të shkohet në zgjedhje.

“Ka shumë rrëmujë dhe frikë nga individë të cilët mund të merren nga kjo gjykatë. Qeveria ka dy rrugë, të jep mendim të vetin ose te amandamentojë dhe të dërgojë në Kuvend ose të hesht dhe të dështojë komplet kjo iniciativë. Nëse nuk ka rrugë tjetër të pranueshme nga këta deputetë, atëherë shtetin do ta dërgojnë në zgjedhje deri në maj, pra mund të hesht qeveria mos të jep mendim brenda këtij afati dhe me heshtje pas dy muajve të shpallen zgjedhje të reja për shkak të dështimit edhe në këtë temë edhe për demarkacionin”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat