AAK i përgjigjet LDK-së për interpelancën e Haradinajt që rriti pagën e tij 100 për qind

Politika

AAK i përgjigjet LDK-së për interpelancën e Haradinajt që rriti pagën e tij 100 për qind

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 janar 2018 Në ora: 16:26
Ramush Haradinaj

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thirrur në interpelancë Kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me vendimin për rritjen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.

LDK ka thënë se e konsideron të pa pranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike, papunësinë dhe nivelin e pagave në vend, e vlerëson të pa pranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon. Vendimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm, i pa analizuar dhe krijon një diskrepancë të madhe në mes të të ardhurave të qytetarëve, të ardhurave të të punësuarve të tjerë në sektorin publik me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Me këtë vendim, diferenca në paga në mes të zyrtarëve të kabinetit qeveritar dhe një shërbyesi civil është rritur nga 1 me 4, në 1 me 8. Kjo diskrepancë është shumë më e madhe për ata që marrin pensione apo ndihma sociale, apo edhe me pagën mesatare në sektorin privat”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Sipas LDK-së, vendimi i 20 dhjetorit të vitit të kaluar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila, siç ka thënë LDK, “në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave për Kryeministrin, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeverisës”.

Por, ndaj kërkesës së LDK-së për interpelancë, ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, e cila ka thënë se kjo temë është konsumuar në debate dhe në portale.

Sipas saj, kërkesa e LDK-së është fushatë për të promovuar veten kjo parti, mirëpo deputetja ka theksuar se kjo çështje nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.

Image
Time Kadrijaj

“Opozita ka mundësi ta bëjë këtë në bazë të ligjeve, por ajo temë është shterë qoftë në debate publike, qoftë në portale, apo në debate të tjera dhe kjo temë është konsumuar dhe mendoj se kjo është tamam një farë lloj fushate për të promovuar ata veten. Nuk thirret në interpelancë apo në debat publik për çështje që nuk e kanë ndonjë rëndësi të veçantë, siç është kjo”, është shprehur deputetja Kadrijaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e AAK-së ka theksuar se nuk ka se çfarë të diskutohet më tepër për vendimin e rritjes së pagës së kryeministrit dhe kabinetit të tij.

“Është rrit paga, është diskutuar dhe mendoj se është shterë kjo temë. Megjithatë, ata e kanë të drejtën ligjore për të thirrur interpelancën apo për të thirrur debate publike, është e drejtë e tyre legjitime”, ka shtuar ajo për “Bota sot”.

Sipas vendimit të 20 dhjetorit 2017, të parit të Qeverisë i është rritur paga për 100 për qind. Rroga bruto e kryeministrit deri tash ka qenë 1550 euro, por nga muaji janar, ai do të paguhet 2950 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat