“Lidershipi i Kosovës drejt izolimit, liderët mbesin jashtë ‘loje’”

Politika

“Lidershipi i Kosovës drejt izolimit, liderët mbesin jashtë ‘loje’”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 janar 2018 Në ora: 16:02
Ramush Haradinaj

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, po përjeton një tjetër refuzim nga një shtet mik i Kosovës.

Siç është raportuar gjatë ditës së djeshme nga mediat vendore, Haradinajt i është refuzuar viza nga Britania e Madhe.

Haradinaj ka kërkuar vizë nga Britania për të marrë pjesë në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër në fund të shkurtit, mirëpo një gjë e tillë, nuk do t’i mundësohet.

Ndonëse kabineti i kryeministrit ka mohuar se Haradinajt i është refuzuar viza, ata janë ende në pritje të saj.

E gjithë këtë refuzim nga vendet mike të Kosovës për kryeministrin Ramush Haradinaj, e ka komentuar politologu Mentor Tahiri. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se liderët e vendit po përballen me izolim nga komuniteti ndërkombëtar.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, mos dhënia e vizës është vetëm hapi i parë simbolik i aleatëve perëndimorë kundër Qeverisë, e cila me qëndrime të saj “ka sfiduar kufijtë e tolerances”, të tyre.

“Duket qartë se lidershipi institucional i Kosovës po përballet me një izolim nga komuniteti ndërkombëtarë. Këto nuk janë rrethana normale diplomatike, në një situatë tjetër refuzimi i vizës për një udhëheqës shteti, do të ishte skandal diplomatik. Si duket, Qeveria e Kosovës me disa qëndrime të saj, ka sfiduar kufijtë e tolerancës të aleatëve tanë perëndimorë, andaj këto janë vetëm hapat e parë simbolik të kundër-goditjeve nga ana e tyre”, është shprehur Tahiri.

Ai ka paralajmëruar se vendi po hyn në një periudhë të ngjeshur të aktivizimit të politikës ndërkombëtare në Ballkan, ku liderët e izoluar të Kosovës, do të mbesin jashtë “loje”.

“Po hyjmë në një periudhë mjaft të ngjeshur të aktivizimit të politikës ndërkombëtare në Ballkan, ku liderët e izoluar mbesin jashtë “loje” dhe në këtë mënyrë de-faktorizojnë edhe vetë shtetin që përfaqësojnë. Megjithatë, kjo situatë duhet t’i shërbejë politikës kosovare si moment reflektimi dhe këndelljeje nga disa qëndrime “izolacioniste” dhe politikisht të papjekura”, ka theksuar për “Bota sot”, Mentor Tahiri.

Ndryshe, Ramush Haradinajt, më herët i është refuzuar viza edhe nga SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat