Haradinaj ikë nga përgjegjësia e kryeministrit, hedhë “topin” tek Kuvendi!

Politika

Haradinaj ikë nga përgjegjësia e kryeministrit, hedhë “topin” tek Kuvendi!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 janar 2018 Në ora: 12:29
Ramush Haradinaj

Derisa ishte në opozitë si deputet i AAK-së, Ramush Haradinaj ishte kundër marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Por, gjërat kanë ndryshuar tani kur ai është në krye të Qeverisë. Si kryeministër, Haradinaj, “topin” ka hedhur tek Kuvendi i Kosovës, duke thënë se Demarkacioni nuk po sillet në Kuvend dhe nuk po votohet, derisa thotë se LDK po vazhdon të mos e sjellë për votim duke e mbajtur në sirtar, siç e ka mbajtur deri tani.

“Për demarkacionin ne e kemi kryer, unë habitna pse ende Parlamenti nuk vendos, e ka demarkacionin, e kanë raportin janë të zgjedhur të popullit pse presin, votojeni. Qeveria e Kosovës nuk ka çka bën më shumë. Habitna pse grupet parlamentare atje që ankohen që thonë na ka izoluar qeveria,  Ramushi ai tjetri, urdhëroni, lypeni votojeni, pra LDK-ja e ka, aty me votuar, tjerët e kanë me votuar, le ta lypin, le ta votojnë e jo me gjet argumente e me vonuar në pakufi. Dy vite e gjysmë e ka vonuar LDK-ja, e ka mbajt në sirtar nuk e ka nxjerr në votim, tash që e ka në Parlament prapë po e vonon, pra unë habitna në këtë logjikë”, ka deklaruar ai sot para mediave.

Sa i përket qëndrimit aktual të kryeministrit, Zyra për Komunikim nuk ka kthyer përgjigje.

E përgjigje nuk kanë kthyer as nga Kuvendi, në lidhje me kohën se kur kryesia do ta procedojë në seancë për votim këtë marrëveshje.

Haradinaj nuk mund t’i ikë përgjegjësisë

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, nga LDK kanë komentuar deklaratën e Haradinajt. Anëtari i kësaj partie Bajram Gecaj, mendon se Haradinaj nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke e hedhur topin në Kuvend dhe sipas tij kjo tregon se ai nuk mund të shtyjë përpara asnjë çështje.

“Kryeministri, përpos që është kryeministër, në të njëjtën kohë është njeriu kryesor i koalicionit shtet-shkatërrues PANA, koalicion ky i cili fatkeqësisht edhe zotëron shumicën në parlament. Prandaj nuk mund t’i ikë ai kurrsesi përgjegjësive shtetërore duke e hedhur topin në Parlament. Kjo vetëm tregon se kjo qeveri nuk është në gjendje dhe nuk do të jetë në gjendje as në të ardhmen të shtyjë asnjë çështje “të madhe”, ashtu siç kishin premtuar gjatë fushatës. Siç edhe e kemi parë, e vetmja gjë që mund të shtyjë kjo qeveri janë akomodimet individuale e klanore”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Veprimet hipokrite të Haradinajt tregojnë paaftësinë e tij

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti veprimet e kryeministrit i konsideron papjekuri politike, derisa po mundohet që t’ia hedhë çështjen e demarkacionit Kuvendit, një çështje që ai e përdori për të ardhur në pushtet.

Image
Faton Mehmeti

“Veprimet e Kryeministrit Haradinaj i shoh si papjekuri politike, mungesë vizioni dhe kundërthënëse. Çështja e demarkacionit si kauzë e rrejshme për të ardhur në pushtet, tani po përdoret nga Ramushi si top ping-pongu për t’ia hedhur kuvendit, derisa edhe vet qeveria nuk ka dhënë një alternative të saktë se si të veprohet me këtë çështje”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo gjë tregon paaftësinë e qeverisë dhe kryeministrit për të zgjidhur çështje të rëndësishme.

“Rrjedhimisht kjo përbën një akt sui generis të një kryeministri që dërgon për tu votuar një çështje, për të cilën vet qeveria pra sponzoruesi është kundër saj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, duke dëshmuar kështu paaftësinë e qeverisë dhe kryeministrit për t’i dhënë drejtim zgjedhjes së çështjeve, në emër të së cilave erdhi në pushtet. Veprimet e Ramushit janë hipokrite e të cilat po tregojnë paaftësinë e tij intelektuale dhe njerëzore, që janë të rrezikshme për vendin”, ka vlerësuar ai.

Lojë ping-pngu Qeveri-Kuvend

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, opiniosti Nexhat Haziri se Qeveria dhe Kuvendi po luajnë ping-pong me demarkacionin, duke u munduar t’ia hedhin njëra tjetrës.

“Shihet se kjo është sikur lojë ping-pongu ndërmjet qeverisë dhe Kuvendit sa i përket çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Pra tregon edhe njëherë papërgjegjshmërinë që kanë këta lider në raport me qytetarët dhe interesat e Kosovës. Po ashtu këtu vërehet edhe dallimet që kanë në mes tyre vetë partnerët e koalicionit qeverisës dhe sigurt këta po e bëjnë një luftë politike ndërmjet tyre se kujt po i mbetet patatja e nxehtë në duar”, ka deklaruar ai.

Sipas Hazirit, Haradinaj dhe Veseli duan t’i ikin përgjegjësisë për demarkacionin, derisa dikur kritikonin Isa Mustafën për mos guxim për ta dërguar në Kuvend.

“Unë vlerësoj se për shkak të kësaj politike, konkretisht në mes të kryeministrit Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Veseli çështja e demarkacionit ka mbetur peng. Se cili nga këta dy persona po dëshirojnë t’i ikin përgjegjësisë, ndërsa po të njëjtit dikur kritikonin ish kryeministrin Mustafa për mos guxim për të marrë gjoja vendime të mëdha. Ndërsa tani me të drejtë shtrohet pyetja se për çfarë vendimesh të mëdha janë Haradinaj dhe Veseli? Kjo tashmë flet dhe gjendja në të cilën gjendet Kosova është treguesi më i mirë dhe më i saktë se lider të tillë si Haradinaj dhe Veseli janë e keqja më e madhe e këtij vendi”, ka pëefunduar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat