Paralajmërimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes!

Politika

Paralajmërimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes!

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 30 janar 2018 Në ora: 09:04
Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë 59 deputetë në Kuvend, por këto dy subjekte politike po konsiderohen shumë pasive sa i përket aktivitetit opozitar përball Qeverisë Haradinaj.

Analistët politikë, thonë se këto dy parti politike kanë një numër të madh të deputetëve dhe për këtë ato duhet të jenë më aktive për të mbajtur përgjegjëse më shumë ekzekutivin.

Nga ana tjetër, deputetët e këtyre dy partive politike thonë se pushimi vjetor i parlamentit ka bërë që fushë veprimtarinë e tyre në opinionin publik të duket me pasive, por me fillimin e punës së seancës ata do jenë shumë më aktivë.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim vjetor me 23 dhjetor, dhe ka filluar seancën e parë këtë të enjte.

Image
Deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, Faton Topalli

“Ju e dini se kuvendi ka përfunduar punën diku me datën 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe seanca e mbajtur të Enjten është mbledhja e parë që po mbahet këtë vit dhe gjatë kësaj kohe rrjedhimisht nuk ka pasur zhvillimet të posaçme”, thotë për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, Faton Topalli.

Ai shtoi se ditëve në vijim aktiviteti i opozitës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe i LDK-së do të rritet.

Osmani: Seancën e parë kemi filluar me interpelancë për Kryeministrin

Edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani thotë se subjekti i tij politik ka qenë shumë i zëshëm, përkundër faktit se kuvendi është në pushim prej 23 dhjetorit.

“Ne jemi shumë aktiv, veç ka qenë kjo periudha e pushimeve të parlamentit dhe gjatë kësaj kohe kemi pasur vetëm prononcime dhe angazhime të tjera politike”, thotë për “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Naser Osmani.

Ai tha, se LDK ka konceptin e vet politik dhe të pavarur nga subjektet e tyre politike.

Image
Deputeti i LDK-së, Naser Osmani

“Ne jemi shumë aktiv, ne e kemi konceptin tonë se si do të veprojmë në të ardhmen. Ne i kemi politikat tona krejt të ndara të LDK-së dhe absolutisht nuk jemi të varur prej partnerëve të tjerë ose grupeve e tjera të politike që janë në parlament. Ne e kemi agjendën tonë të pavarur dhe do të veprojmë sipas këtij kuptimi politik”, thotë Osmani për “Bota sot”.

“Ne si subjekt politik për seancën e parë të Kuvendit, kemi thirrur kryeministrin Haradinaj në interpelancë plenare”, shtoi Osmani.

Ahmeti: Opozita ka rënë në gjumë të thellë

Nga ana tjetër, analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se opozita e tanishme ka dështuar në të bërjen e opozitës.

“Opozita parlamentare  që përfaqësohet nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, e që janë  shumicë për nga përfaqësimi i vullnetit qytetar ka ra në gjumin e thellë dogmatik. Është absurd i llojit të vet kur në opozitë qëndrojnë dy parti politike që brenda vetës përfaqësojnë virtyte të larta intelektuale, heshtin karshi këtij kaosi, keqpërdorimi të parasë publike e   dhunim të substancës së Republikës”, thotë Ahmeti për “Bota sot”.

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

Ai thotë se një praktikë e tillë duhet të përfundojë sa më shpejtë, e jo të krijohet një gjendje anarkie, dhe opozita të mos luaj funksionin opozitar. 

“Në këto rrethana te reja politike, nëse opozita do të ishte konstruktive karshi degradimit institucional, Qeveria Haradinaj do ta kishte të pamundur ta përfundoj mandatin qeverisës, por një heshtje e pashembullt e një opozite parlamentare  veç sa do ta zgjasë  jetën e kësaj qeverie të keqe”, thotë më tej Ahmeti.

Mocioni i opozitës nuk do të ndodh para muajit maj

Edhe analisti Lirim Zorra thotë se opozita gjatë këtij mandati opozita është konsideruar me një reagim gjysmak.

“Po ashtu reagimi opozitar është i vakët, veçanërisht edhe për shkak të mos mbajtës së shpeshta të seancave dhe po ashtu ndarjeve partiake si në VV dhe LDK, ku një pjesë e deputetëve ishin ministra dhe skandalet e tyre dalin si rasti i Bechtelit”, thotë Zorra për “Bota sot”.

Ai thotë se të dyja partitë opozitare tashmë nuk janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare për faktin të disa proceseve të brendshme të tyre.

“Në anën tjetër opsioni i zgjedhjeve të parakohshme nuk pëlqehet tash nga opozita për shkak të dy çështjeve të nxehta demarkacioni dhe gjykata dhe askush nuk e do këtë patate të nxehtë në dua”, thotë ai.

Image
Analisti politik, Lirim Zorra

“Para muajit maj nuk pres ndonjë mocion votëbesimi ndaj qeverisë për arsye se të dy partitë opozitare janë në procese të brendshme zgjedhore dhe nuk janë të gatshëm për hyrë në zgjedhje”, shtoi Zorra.

Ndryshe, në Lëvizjen Vetëvendosje të dielën e kaluar janë mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake ku është zgjedhur me 99 për qind të votave kryetar i saj, Albin Kurti. Në këto zgjedhje nuk kanë marrë pjesë deputetët e dorëhequr që po quhen të krahut të Dardan Molliqajt.

Ndërkaq në LDK janë mbajtur zgjedhjet e brendshme me 31 maj të vitit 2015, ku është zgjedhur kryetari i saj për herë të dytë, Isa Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat