“Shfuqizimi i Speciales i pamundur, deklarata e Delawie të mos mbesë në veshë të shurdhër”

Politika

“Shfuqizimi i Speciales i pamundur, deklarata e Delawie të mos mbesë në veshë të shurdhër”

Nga: Albulena Jahaj Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:40
Greg Delawie

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka thënë se populli i Kosovës nuk e përkrahë iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai në një postim në Twitter ka përgëzuar qytetarët dhe të gjithë ata që po shprehen publikisht kundër iniciativës për shfuqizimin e Speciales.

“Populli i Kosovës nuk e përkrah iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Duartrokas politikanët dhe të tjerët të cilët po flasin publikisht, edhe pse është e vështirë për atë se çka është e drejtë për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ambasadori Delawie.

Lidhur me këtë, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahësi i palodhshëm i shtet ndërtimit të Kosovës, Greg Delawie, me mish e me shpirt po përpiqet të mos e lejojë degradimin e zhvillimeve të mëdha dhe rezultateve të shumta të shtetit të Kosovës, duke qenë decidiv se, shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të jetë gabim i rëndë dhe me pasoja të mëdha për popullin e Kosovës.

“Delawie pas lutjeve të shumta që ua ka bërë politikanëve të Kosovës që të kuptojnë rrezikun dhe pasojat, kohëve të fundit ka filluar të kërkojë edhe përkrahje e popullit të Kosovës që të jetë më aktiv në kundërshtimin e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sepse kjo ka të bëjë drejtpërsëdrejti më të ardhmen e Kosovës. Deklaratat e ambasadorit Delawie, por edhe e dhjetëra ambasadorëve dhe diplomatëve botëror nuk do të duhej të mbesin në veshë të shurdhër, sepse tashmë është krejtësisht e qartë se, shfuqizimi i Gjykatës Speciale është i pamundur, sepse siç e tha edhe Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për një televizion gjerman - Gjykata Speciale është formuar dhe ajo do të funksionojë, sepse themelimi i saj është miratuar nga institucionet përkatëse të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, gjithçka është e përfunduar. “Kjo bindje po kthjellet edhe brenda koalicionit qeverisës, sepse tashmë janë deklaruar zëra të shumtë Gjykatën dhe, do të kishte qenë e dëshirueshme që sa më parë kjo çështje të përmbyllet dhe t'i hiqet Kosovës edhe një siklet i madh, një iniciativë qëllim keqe dhe dëmtuese e vlerave të luftës, dëmtuese e imazhit të shtetësisë së Kosovë dhe dëmtuese e perspektivës së popullit të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat