Behgjet Pacolli ultimatum Ramush Haradinajt

Politika

Behgjet Pacolli ultimatum Ramush Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 shkurt 2018 Në ora: 13:05
Behgjet Pacolli dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj erdhi në krye të qeverisë me idenë se do t’i jap një epilog demarkacionit më Malin e Zi, por është pikërisht kjo marrëveshje që rrezikon ta çojë atë në shtëpi.

Kjo për faktin se tashmë edhe pjesëtarët e kabinetit të tij kanë filluar ta kërcënojnë atë me rrëzim të qeverisë, nëse kryeministrit nuk i jep një zgjidhje kësaj çështje.

Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri i parë në ekzekutivin e udhëhequr nga Haradinaj, dhe njëherit ministër i jashtëm në një deklaratë në televizionin publik ka thënë se nëse nuk miratohet ky dokument brenda 10-15 ditëve, atëherë kësaj qeverie do t’i humb kuptimi.

Ai madje ka thënë se nëse nuk zgjidhet ky problem brenda këtij afati kohorë, Kosova rrezikon të mos e marr liberalizimin e vizave edhe për këtë vit.

Zyrtarët e ekzekutivit nuk kanë dashur të merren me deklaratat e ministrit të jashtëm.

“Kabineti Qeveritarë nuk është mekanizëm vlerësimi për deklaratat e zëvendëskryeministrave dhe ministrave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ekzekutivit për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, deputetët dhe analistë politik deklaratën e ministrit të jashtëm e shohin si një kërcënim për rrëzim të Qeverisë.

Zyrtari i AKR-së thotë se vendi nuk mund të mbetet peng i tekeve të kryeministrit

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se shefi i partisë së tij nuk ka kërcënuar Haradinajn me prishje të koalicionit, por ka treguar të vërtetën lidhur me këtë çështje.

Image
Vesel Makolli

“Behgjet Pacolli në atë kuptim e tha që duhet të shtyhet kjo gjë se është e pakuptimtë të mbes një popull në geto për shkak të tekeve të dikujt që ka qit kajde se është pika e kufirit këtu ose atje. Pra, këtu nuk bëhet fjalë as për paqëndrueshmëri e as për kërcënim, sepse  në e dëgjova me vëmendje dhe atë që e tha zotëri Pacolli. Ajo ishte më shumë një bisedë e lirë që e tha nga zemra dhe shpirti, siç flet ai gjithmonë dhe që tha se këto dy gjëra duhet të shtyhen përpara dhe më sa e di unë, Fatmir Limaj është prononcuar se është duke u munduar të gjejë një zgjidhje për demarkacionin”, ka thënë Makolli për “Bota sot.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në një deklaratë për media ka konfirmuar se është duke u shqyrtuar një ide për zgjidhjen e nyjës politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Lideri i NISMA-s, Limaj ka thënë se në këtë marrëveshje qëndrojnë dy pika, të cilat japin mundësi që të trajtohen gabimet ose lëshimet e mundshme dhe korrigjimet e nevojshme aty ku është gabuar.

Jo serioziteti i qeverisë për çështjen e demarkacionit

Deputetët opozitare i quajnë jo serioze deklaratat e fundit të ekzekutivit për marrëveshjen e demarkacionit.

Image
Drita Millaku

“Kjo tregon se koalicioni qeverisës nuk është bërë në baza parimore por në baza interesi dhe atë të interesave të ngushta dhe shpesh herë ordinere. Problemi i demarkacionit ka qenë problem edhe në kohën e lidhjes se koalicionit dhe kjo do të duhej të diskutohej më herët, e jo tani që të konsumohet si temë në ecje. Kjo tregon joseriozitet”, ka thënë për “Bota sot”, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Ajo ka shtuar se koalicioni është ngrit në baza të interesit të ngushtë dhe sipas saj, krizat do të shpërfaqen vetëm kur preken këto interesa.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka quajtur kauzë të rrejshme pretendimin se Kosova humb territor me versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

“Asnjëherë në historinë e re të Kosovës nuk kemi qenë në situatë më të keqe se tani. Përkrahja ndërkombëtare ka rrezik të humbet plotësisht. Vendi ka mbetur i izoluar për shkak të kauzave të rrejshme të disa liderëve politik. Kryeministrit i refuzohen vizat për takime ndërkombëtare dhe askush nuk e viziton apo nuk e fton për vizitë”, ka shkruar Hoti në një koment në profilin e tij në Facebook.

Gecaj thotë se Pacolli e ka kuptuar izolimin e Kosovës

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj shprehet skeptik edhe ndaj ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli për ngecjet e Qeverisë Haradinaj lidhur me shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Image
Bajram Gecaj

“Sa duhet besuar fjalëve të z. Pacolli unë nuk jam i sigurtë, duke marre parasysh oscilimet e tij politike të deritanishme. Pacolli e ka ditur qëndrimin e Haradinaj edhe para se t’i bashkohet këtij koalicioni”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

“Por populli thotë më mirë dikur se kurrë, andaj unë shpresoi se kanë filluar të kuptojnë atë të cilën në disa të tjerët e kemi diture që nga fillimi, pra se kjo qeveri nuk ka pasur asnjëherë kuptim dhe se është koalicioni, i cili vetëm mund te rahatojë një grup të ngushtë njerëzish dhe të plotësoj nevojat individuale të disa individëve”, ka shtuar Gecaj.

Mehmeti: Koalicioni nuk ka jetë të gjatë

Analisti politik, Faton Mehmeti duke folur për çështjen në fjalë ka thënë se Qeveria Haradinaj nuk ka jetë të gjatë.

Image
Faton Mehmeti

“Ky koalicion çdo ditë e më tepër po rrënohet nga brenda vetes, duke arsyetuar tezat se ky koalicion s’ka jetë të gjatë. Pacolli i vuri ultimatum qeverisë që nëse nuk miratohet demarkacioni së shpejti, do të largohet nga koalicioni”, ka thënë analisti Mehemti për “Bota sot”.

Sipas tij, çdo ditë e më tepër kryeministrit Haradinaj po i ngushtohet laku, të cilën vetës ia ka ven në fyt.

Nëse nuk miratohet demarkacioni shpejt bie qeveria, ashtu siç mund të ndodh edhe nëse shfuqizohet Gjykata Speciale. Ka shumë mënyra dhe arsye që kjo qeveri të bie, por besoj se kjo qeveri do të vet rrëzohet”, ka shtuar Mehmeti.

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi për Demarkacionin?

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli në prononcimin për “Bota sot”, ka thënë që edhe ardhja e kryeministrit të Malit të Zi në Kosovës mund të ndihmojë në njëfarë mënyrë për të tejkaluar këtë problem.

Image
Vesel Makolli

“Kryeministri i Malit të Zi me vet faktin që po e viziton Kosovën, kjo thotë diçka. Edhe në qoftë se nuk bisedojnë fare rreth asaj teme, është një motivim që në të shtyjmë këto gjëra përpara”, ka thënë ai.

Dushko Markoviq, kryeministri i Malit të Zi do të qëndrojë në Kosovë me 6 shkurt, pas ftesës së homologut të tij, Ramush Haradinaj.

Zyrtarët qeveritar nuk kanë treguar se a do të jetë demarkacioni temë e bisedimeve në mes të dy kryeministrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat