Nisma për shfuqizimin e Speciales, Bytyçi tregon kush e ka kërcënuar Haradinajn

Politika

Nisma për shfuqizimin e Speciales, Bytyçi tregon kush e ka kërcënuar Haradinajn

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 shkurt 2018 Në ora: 15:41
Ramush Haradinaj

43 deputetë të Kuvendit të Kosovës morën iniciativën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, tentativë që u bë me 22 dhjetor. Kjo iniciativë e dorëzuar në Kuvend, iu dërgua Qeverisë së Kosovës nga Kryesia e Kuvendit.

E krerët e shtetit që u deklaruan se kjo është e drejtë e deputetëve, tashmë janë deklaruar se shfuqizimi i Speciales nuk do të ndodhë.

Dje presidenti i vendit Hashim Thaçi deklaroi se Gjykata Speciale nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet.

“Është qëndrim shtetëror”, u shpreh presidenti para gazetarëve.

Lidhur me gjithë këtë çështje, profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Thaçi dhe Veseli e kanë pasur nismën për Specialen dhe kanë arritur që ta izolojnë kryeministrin nga faktori ndërkombëtar, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm.

Image
Enver Bytyçi

“Qeverinë Haradinaj më së shumti e ka kërcënuar aleati kryesor i saj, PDK. Nisma për zhbërjen e Gjykatës Speciale ishte e Thaçit dhe Veselit. Ata të dy pasi ia arritën që ta izolojnë kryeministrin e vendit nga faktori ndërkombëtar dhe e ulën në fund të pusit autoritetin e tij, morën kthesën për të heq dorë nga nisma për zhbërjen e kësaj gjykate. Por dëmi është bërë, madje në mënyrë të pariparueshme. E gjitha ndodhi me synimin për ta shkatërruar suksesin e kësaj qeverie. Dhe nuk ishte vështirë kjo, derisa Haradinaj përfaqësohet në parlament vetëm me 10 për qind të deputetëve”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, Gjykata Speciale do ta trazojë skenën politike.

“Në muajt e parë të vitit pritet të fillojë punën Gjykata Speciale. Kjo gjykatë do të ndëshkojë disa peshq të mëdhenj. Kështu që do të trazojë politikën e Prishtinës. Për pasojë konflikti politik dhe temperaturat politike do të rriten. Ndoshta do të tentohet të krijohen situate dhune me rastin e fillimit të punës të kësaj gjykate. Kjo do të çojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme”, vlerëson ai.

Bytyçi përmend edhe çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, për çka ai vlerëson se Kosova nuk e ka luksin të bëjë karshillëk ndaj faktorit ndërkombëtar.

“Demarkacioni me Malin e Zi është një provë tjetër e paaftësisë së qeverisë Haradinaj për t’i dhënë fund një konflikti të stërzgjatur. Kjo ka izoluar vendin. Një intervistë e Haradinaj në DË zbulon krizën e marrëdhënieve të qeverisë me faktorin ndërkombëtar. Një vend i panjohur de jure ndërkombëtarisht nuk e ka luksin të bëjë karshillëk kundrejt faktorit ndërkombëtar. Madje edhe shtetet e konsoliduara bëjnë kujdes në këtë drejtim. Mazhoranca e sotme nuk ka ide, nuk ka alternativa, nuk jep argument për pozicionet anti euro-atlantike që mban. Thjesht ngul këmbët si gomari në baltë me emocione të një nacionalizmi të vjetërsuar. Një Kosovë e izoluar do të sillte gjithmonë kriza të njëpasnjëshme në vend”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat