Haradinaj së shpejti përballet me “goditje” nga opozita

Politika

Haradinaj së shpejti përballet me “goditje” nga opozita

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 shkurt 2018 Në ora: 07:51
Ramush Haradinaj

Qeveria PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista serbe, shumë shpejt mund të përballet me protesta nga opozita.

Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë përmendur protestat qytetare si mundësi për të larguar Qeverinë Haradinaj.

Hoti: LDK-së i duhet mbështetje qytetare, si një kohë

Këtë e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.

Ai në një postim në Facebook, duke folur për skandalin e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, ka thënë se mënyra e vetme për rrëzimin e Qeverisë, nuk janë procedurat parlamentare, mirëpo mbështetja qytetare.

“Deputetët e koalicionit e mbështetën gjuajtën me armë të zv.kryeminstrit me logjikën se “nuk është bërë nami”. Ky është mesazhi më i keq që ju japim të rinjve. Sot një deputet përmendi arrestimin e qytetarëve për gjuajtje me armë. Ndërkaq, në rastin e këtij zyrtari, ligji nuk po vlen. Mënyra për rrëzimin e kësaj qeverie po bëhet e qartë. Procedurat parlamentare nuk kanë vend këtu. LDK-së i duhet mbështetje qytetare, si një kohë”, ka shkruar Avdullah Hoti në Facebook.

VV: Jemi për protesta që i organizojmë vet          

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përjashtuar mundësinë e organizimit të protestave, por ka thënë se kjo do të bëhet kur iniciatore të jetë vet VV-ja e jo subjektet tjera më të vogla opozitare.

Lajmin e ka konfirmuar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje Ismail Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke pohuar se shpreson që iniciativës së VV-së, do t’i bashkohet edhe LDK-ja.

Image
Ismail Kurteshi

“Vetëvendosje si subjekti më i madh politik në vend, nuk do ti bashkangjitet iniciativave të subjekteve më të vogla, por shpresojmë që iniciativave të Vetëvendosjes, t’iu bashkangjiten subjektet tjera, duke përfshirë edhe LDK-në”, ka deklaruar deputeti Kurteshi.

Ndërsa, i pyetur se kur mund të organizohen protestat, deputeti i VV-së, nuk ka treguar ndonjë datë, por ka thënë se po analizojnë punën e Qeverisë.

“Ne po analizojmë punën e qeverisë dhe kur të vendosim që të ngrihemi kundër qeverisë, do t’i ftojmë edhe të tjerët që të na bashkangjiten”, ka theksuar deputeti Ismail Kurteshi për “Bota sot”.

Protestat si mënyrë të domosdoshme për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, i sheh edhe njohësi i rrethanave politike Jeton Kelmendi.

Kelmendi: Kosova të çkapet nga gangsterët

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka thënë se duhet të ndërmerren  hapa që Kosova të mos mbetet e izoluar nga “gangsterët”.

Mirëpo, ai nuk është shprehur optimist në partitë opozitare, duke thënë se ato po tregojnë qyqarllëk, karshi veprimeve arbitrare të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se është e habitshme që në Kosovë ndodhin gjëra sikur të paparashikuara dhe jashtë çdo teorie politike. Derisa kishim një pozitë me numër shumë të vogël dhe një shumicë që kalonte 40 deputetët legjislaturën e kaluar, dhe nuk mund të kalonte çështjet dhe ligjet e mëdha, sepse kjo opozita e vogël ishte shumë e rebeluar dhe shumica e atëhershme u tregua qyqare. Sot kemi një qeveri të pakicës, sidomos një qeveri të pakicës me numër të qytetarëve dhe një opozitë me numra shumë të fuqishëm. Por, praktikisht kemi një opozitë, e cila është shumë e rraskapitur, sepse karshi kësaj qeverisje dhe veprimeve arbitrare të kryeministrit Haradinaj dhe në kurrizin e këtij populli, sikur ka një lloj heshtjeje, një lloj qyqarllëku të opozitës. Mendoj se duhet të ndërmerren hapa të veçantë që të mos mbetet Kosova e izoluar, që të mos mbeten institucionet në duart e këtij grushteti minoritarësh dhe thjeshtë të mos keqpërdoret paraja publike nga gangsterët dhe njerëzit të kthyer në politikë”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka theksuar se Qeveria aktuale e ka “superkapur” shtetin, andaj sipas Kelmendit, çdo mundësi që e çliron shtetin, është i domosdoshëm.

“Nuk përjashtohet organizimi i protestave për ta çkapur vendin. Sepse kemi pasur kapje të shtetit tash e shumë vite, por kjo qeveri e ka superkapur shtetin. Prandaj, çdo mundësi që e çliron shtetin dhe e liron nga dënimi dhe izolimi që po i bëhet është i domosdoshëm për vendin dhe qytetarët e Kosovës”, ka pohuar Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat