Treshja shtet-shkatërruese e Kosovës

Politika

Treshja shtet-shkatërruese e Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 4 shkurt 2018 Në ora: 10:35
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka thënë se populli i Kosovës nuk e përkrahë iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai në një postim në Twitter ka përgëzuar qytetarët dhe të gjithë ata që po shprehen publikisht kundër iniciativës për shfuqizimin e Speciales.

“Populli i Kosovës nuk e përkrah iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Duartrokas politikanët dhe të tjerët të cilët po flasin publikisht, edhe pse është e vështirë për atë se çka është e drejtë për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Delawie.

Përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët veprojnë në Kosovë vazhdimisht kanë hedhur kritika ndaj politikaneve të Kosovës, të cilët u munduan që përmes Kuvendit të Kosovës të shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale, të cilën vetë e kanë miratuar. Data e 22 dhjetorit ishte një ditë e frikshme për Kosovën, ku tentua njëfarë mënyre që vet pushteti të bëjë agresion kushtetues, duke rrezikuar Kosovën me shumë të panjohura.

Treshja shtet-shkatërruese

Image
Bajram Gecaj

Kurse Bajram Gecaj anëtar i LDK-së ka thënë se ideja për shfuqizim të gjykatës speciale është një aktivitet i dëmshëm për Kosovën.

“Mbetet të shihet, por tanimë ju është bërë e çartë të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe deputetet të cilët kishin nënshkruar iniciativën, se ky ishte një aktivitet shumë i dëmshëm për Kosovën dhe se për qëllim kishte vetëm interesat individuale të disa personave, kryekëput treshes shtet-shkatërruese”, është shprehur ai.

Bilall Sherifi, Deputet nga Nisma Socialdemokrate,  ka thënë se Ambasadorët në Kosovë e kryejnë punën e tyre ashtu sikur ata mendojnë se është më së miri.

Image
Bilall Sherifi

“Unë nuk kam mandat të komentoj punën e tyre”, ka theksuar Sherifi.

Gabim i rëndë

Ndërkaq, Analisti politik Skender Zogaj, ka treguar, se Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahësi i palodhshëm i shtet ndërtimit të Kosovës, Greg Delawie, me mish e me shpirt po përpiqet të mos e lejojë degradimin e zhvillimeve të mëdha dhe rezultateve të shumta të shtetit të Kosovës, duke qenë decidiv se, shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të jetë gabim i rëndë dhe me pasoja të mëdha për popullin e Kosovës.

Image
Skender Zogaj

“Delawie, pas lutjeve të shumta që ua ka bërë politikanëve të Kosovës që të kuptojnë rrezikun dhe pasojat, kohëve të fundit ka filluar të kërkojë edhe përkrahje e popullit të Kosovës që të jetë më aktiv në kundërshtimin e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, sepse kjo ka të bëjë drejtpërsëdrejti me të ardhmen e Kosovës. Deklaratat e ambasadorit Delawie, por edhe e dhjetëra ambasadorëve dhe diplomatëve botëror nuk do të duhej të mbesin në veshë të shurdhër, sepse tashmë është krejtësisht e qartë se, shfuqizimi i Gjykatës Speciale është i pamundur, sepse siç e tha edhe Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për një televizion gjerman - Gjykata Speciale është formuar dhe ajo do të funksionojë, sepse themelimi i saj është miratuar nga institucionet përkatëse të Kosovës” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, gjithçka është e përfunduar.

“Kjo bindje po kthjellet edhe brenda koalicionit qeverisës, sepse tashmë janë deklaruar zëra të shumtë Gjykatën dhe, do të kishte qenë e dëshirueshme që sa më parë kjo çështje të përmbyllet dhe t'i hiqet Kosovës edhe një siklet i madh, një iniciativë qëllim keqe dhe dëmtuese e vlerave të luftës, dëmtuese e imazhit të shtetësisë së Kosovë dhe dëmtuese e perspektivës së popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Rreziku nga shfuqizimi eventual

Image
Leon Duhanaj

Edhe Leon Duhanaj, njohës i çështjeve politike në vendim ka thënë se deklarata e Ambasadorit amerikan, është më se e vërtetë.

“Sado që Gjykata Speciale, nuk është dëshirë e shqiptarëve, ajo është e pranueshme në variantin e saj. Sidomos duke pasur parasysh, variantin tjetër, i cili mund të vi në pyetje, nëse ky ligj shfuqizohet. E kam thënë edhe më herët se, kjo gjykatë, është rezultat i keqqeverisjes dhe keq menaxhimit tonë me jetën publike në përgjithësi. Madje, shumë nga ata që, sot jam më të zëshëm në kundërshtimin e kësaj gjykate, janë edhe fajtorët kryesorë që kjo po vjen” ka thënë ai.

Sipas Duhanaj, Varianti, tjetër, nuk është i pranueshëm dhe është njëkohësisht shumë i dëmshëm për kauzën tonë. Ai do të nënkuptonte kthimin ne përditshmëri të Rezolutës 1244 të KS. të OKB-së, me ç'rast de fakto do te shfuqizohej edhe vetë pavarësia e Kosovës.

“Ata të cilët, me vetëdije punojnë për të ardhë deri te kjo, lirisht mund të quhen tradhtar të kombit. Nuk ka asnjë njeri, asnjë çmim që është dhe duhet të jetë mbi Kosovën dhe interesin kombëtarë. Këndej, ata që luajnë me fatin e këtij vendi, mund të jenë duke punuar për veti, për secilën agjenturë, por jo për interesin kombëtarë të shqiptarëve” ka përfunduar Leon Duhanaj njohës i çështjeve politike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat