Në pritje të vendimit të Ramush Haradinajt!

Politika

Në pritje të vendimit të Ramush Haradinajt!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 shkurt 2018 Në ora: 10:19
Ramush Haradinaj

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, nismën e 43 deputetëve të inicuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar ia ka dërguar Qeverisë, në mënyrë që ekzekutivi ta japë mendimin e saj.

Përkundër që kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria e tij të mos deklarohet fare, nisma e deputetëve ka filluar të mos ketë përkrahje të Thaçit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në fillim kur ishte prezantuar ideja e shfuqizimit të Ligjit për Specialen, pati deklaruar se do ta respektonte vendimin dhe vullnetin e deputetëve, së fundmi ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.

"Është e qartë dhe po ua them se me bisedat që kam zhvilluar me shumicën e liderëve politikë, me kryeparlamentarin Veseli dhe me kryeministrin Haradinaj, Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës, jo opinion i prezantuar prej presidenti të vendit dhe në bazë të hierarkisë institucionale, kushtetuese dhe ligjore", është shprehur Thaçi.

Edhe pse është kontaktuar, Qeveria e Kosovës  nuk është përgjigjur pas deklarimeve të Presidentit, ndërsa përfaqësues të shoqatave të familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së, janë duke pritur Qeverinë që pastaj të ndërmarrin masa të nevojshme.

Jashari: Po presim vendimin e qeverisë

Image
Xhavit Jashari

Përfaqësuesi i shoqatave të familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë për “Bota sot”, se ata në vazhdimësi janë kundër veprimeve ndaj popullit dhe luftës së UÇK-së.

Sipas Jasharit, nëse politika në Kosovë nuk mbron interesin nacional e ka humbjen e sigurt.

Ai tutje, ka shtuar se duhet të mbetet në ndërgjegje të politikanëve që nuk kanë bërë asgjë për të vrarët, të masakruarit, të dhunuarit dhe të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.

“Ne në vazhdimësi jemi kundër veprimeve që bëhen për popullin, për vlerën sublime që bëhen për luftën e UÇK-së. Politika duhet të jetë e vëmendshme, ne ia tërheqim vërejtjen që të mos bëhen lojërat  për çfarëdo qëllimi me vlerën e popullit, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është e asnjë partie politike, është vlerë e një populli, andaj nëse tentohet që për gjitha këto që ndodhin të bëhen për qëllime politike bazuar në atë që kanë ndodhur në Kosovë mendoj se politika është e dështuar.  Të gjithë ata që janë në politik nëse këmbngulin në interesa të përgjithshme, në interesa  e luftës së pastër të UÇK-së fitoren e kanë me veti, nëse të gjithë ata mbrojnë interesin, nuk mbrojnë luftën ushtare të Kosovës, nuk mbrojnë interesin nacional dhe nuk punojnë interesin nacional  humbjen e kanë të sigurt. Megjithatë sikurse më tutje, edhe tani do të dëshmohet se lufta ka qenë e pastër dhe le të mbetet në ndërgjegjen edhe të kryetarit të Republikës së Kosovës edhe në politikanëve të tjerë që deri më tani askush nuk është dalë  asnjë statistikë sa të vrarë janë bërë, sa masakra, sa janë dhunuar dhe sot e tutje ende nuk dihet për fatin e shumë njerëzve. Interesi i politikanëve është t’i mbrojnë këto edhe pse deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë deri më tani”, ka pohuar Jashari.

Ai ka theksuar se janë duke pritur vendimin e Qeverisë rreth kërkesës së tyre, pastaj do të dalin me qëndrime dhe veprime tjera.

“Ne do të shohim se çfarë do të bëhet tutje, çfarë masa do të merr Qeveria rreth kërkesës tonë që të rishqyrtohet dhe të votojnë deputetët për mos lejimin e funksionimin e Gjykatës Speciale në Kosovë se është e dëmshme dhe e kemi argumentuar, presim si do të veprojë qeveria dhe pastaj do të dalim me qëndrime dhe veprime tjera”, ka theksuar Jashari.

Pas nismës së deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar për pasojat e ashpra.

Sipas analistëve politikë, presioni ndërkombëtar, sidomos amerikan ka ndikuar që kryeparlamentari dhe tashmë Presidenti të tërhiqet nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

Thaçi nxitësi kryesor për shfuqizimin e Speciales

Image
Enver Bytyçi

Analisti politik, Enver Bytyçi tërheqjen e Thaçit e konsideron si “provë” që ai ka qenë nxitësi kryesor i kësaj nisme.

Sipas Bytyçit, tërheqja e Thaçit nuk është akt i vetëdijësimit, por zgjedhje midis pranimit të faktit dhe pasojës që vjen nga shfuqizimi i Gjykatës.

“Duhet ditur se vendimi i fundit i zotit Thaçi për t’u tërheq nga votimi dhe shfuqizimi i Gjykatës Speciale erdhi pas një presioni shumë të madh të faktorit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan. Mua më ka bërë përshtypje fakti se ambasada amerikane dhe departamenti i Shtetit ishin të vendosur në kundërshtimin e kësaj iniciative ligjvënëse të deputetëve marionetë të zotit Thaçi dhe zotit Veseli. Por ndërsa zoti Veseli u tërhoq një kohë më të hershme se zoti Thaçi, ky i fundit reagoi jo në mënyrë të prerë, sepse ndonëse tha se nuk e mbështet shfuqizimin e Gjykatës Speciale, e quajti atë të padrejtë. Kjo do të thotë se në një formë apo në një tjetër pritet qe vendimet e kësaj gjykate të kontestohen nga Prishtina zyrtare, përkatësisht nga presidenti i vendit dhe ndjekësit e tij. Ndërkohë fakti që presidenti tërhiqet, nuk do të thotë se ai nuk ishte nxitësi kryesor i kësaj nisme të 42 a 43 deputetëve. Edhe me kaq zhurmë sa u bë, reputacioni i Kosovës u dëmtua rëndë. Serbia përfitoi nga kjo për t’u thënë europianëve dhe ndërkombëtarëve se “ju keni krijuar një shtet të papërgjegjshëm”! i cili “vendimet që vetë i merr përsëri vetë i konteston”! Tërheqja nuk është akt i vetëdijësimit të zotit Thaçi, është zgjedhje midis pranimit të faktit dhe pasojës që vjen nga shfuqizimi i Gjykatës”, ka pohuar Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi ka zgjedhur ta përballojë gjykatën dhe jo pasojat e zhbërjes së saj, por edhe ndoshta ka bërë ndonjë provokim e presion që t’i shpëtojë kësaj gjykate.

“Ai ka zgjedhur të përballojë gjykatën dhe jo pasojat e zhbërjes së saj. Ndoshta luajti me ndonjë provokim e presion për t’i shpëtuar kësaj gjykate, duke u sjellë me ndërkombëtarët sipas formulës “Ose më mbani jashtë dyerve të Gjykatës, ose unë mund ta destabilizoj Kosovën dhe krejt rajonin”! Por ka dhe një sinjal tjetër, sidomos nga ana e Kadri Veselit. Kryetari i PDK-së në agun e tërheqjes nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale u përpoq që ta kalojë topin në portën e Ramush Haradinajt, kur kërkoi që për këtë të marrë një vendim dhe ta paraqesë projektin qeveria. Mendoj se kjo ishte një përpjekje për ta kontestuar qeverinë e krijuar para 7-8 muajsh dhe për ta vënë atë në vështirësi, d.m.th. për ta çuar Kosovën në krizë politike. Është e njohur kjo taktikë e zotit Veseli! Sapo të shikojë se “mishi mbaroi”, ai nuk pranon “të ushqehet me fasule”! Kriza qeveritare duket se është e do të jetë një nga synimet dhe objektivat e nismës së zhbërjes së Gjykatës Speciale, madje edhe nëse ajo nuk do të zhbëhet” ka theksuar Bytyçi.

OVL e UÇK-së vazhdon presionin

Ai tutje, është shprehur se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do ta vazhdojë presionin.

“Prandaj besoj se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do ta vazhdojë presionin e saj kundër Gjykatës Speciale. Ajo tashmë ka luajtur një rol të caktuar në procesin e kundërshtimit të kësaj gjykate dhe nuk do të tërhiqet zoti Thaçi dhe zoti Veseli do ta paraqesin lëvizjen e veteranëve si “një lëvizje demokratike” me të cilën ata “nuk kanë të bëjnë”! Por askush brenda dhe jashtë Kosovës nuk do të besojë se presioni i veteranëve nuk orkestrohet nga dy njerëzit kryesorë të PDK-së. Nga ana tjetër kam filluar të besoj se edhe zoti Haradinaj ka gjetur një hapësirë interesi nga kjo lëvizje e përgjithshme e veteranëve të UÇK-së, sidomos krerëve të saj dhe e deputetëve nismëtarë! Ndryshe nuk ka asnjë arsye pse ai të flasë pa nevojë nëse “Gjykata Speciale është ose nuk është një gjykatë e drejtë dhe një veprim pro ose kundër Kosovës”! Ajo gjykatë është krijuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kosovës dhe do të ishte e paprecedentë që të shfuqizohet po nga dy të tretat e këtij parlamenti”, ka nënvizuar Bytyçi.

Ligji për Gjykatën Speciale ishte miratuar me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.

Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Mandati i Gjykatës Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat