Demarkacioni në dorën e Markoviçit - Bota Sot
Demarkacioni në dorën e Markoviçit

Politika

E enjte, 22 shkurt 2018

Demarkacioni në dorën e Markoviçit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 shkurt 2018 Në ora: 07:20
Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq

Anëtaret e Kryesisë së Kuvendit në mbledhjen e së hënës kanë hequr nga rendi i ditës Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ata nuk e kanë definuar kohën se kur do të jetë mbledhja e radhës, që si pikë e rendit të ditës do të jetë kjo marrëveshje e nënshkruar para tri viteve.

Pro heqjes së kësaj pike kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, AAK dhe ata të NISMA-së.

Kurse, kundër këtij propozim ka dal vetëm shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Qeveria e Kosovës, më 4 dhjetor të vitit të kaluar ka proceduar në Kuvend për miratim tekstin e kësaj marrëveshje të nënshkruar në Vjenë në vitin 2015.

Së bashku me këtë dokument, Qeveria ka dërguar në Kuvend edhe raportin e ri me gjeturat nga komisioni i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ish-deputet i LDK-së.

Me 6 shkurt, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markovic do të vizitojë Kosovën. Zyrtarët e të dyja qeverive kanë thënë se demarkacioni nuk do të jetë çështje e agjendës në mes të dy kryeministrave.

Por, analistët politik mendojnë se kësaj çështje do t’i jepet një epilog, nëse arrihet një modus mes të dy kryeministrave.

Veseli: Demarkacioni në një moment të caktuar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë ka thënë se demarkacioni do të dërgohet në seancë në momentin më të përshtatshëm.

“Kërkuam me mirëkuptim nga Kryesia, që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar, kur do të kemi dhe një vendimmarrje dhe më serioze. Ajo çka dëshiroj të përçoj si mesazh qytetarëve tanë. Jemi duke punuar shumë seriozisht. Jemi duke punuar shumë bashkërisht në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje, e cila është e konsensusit nacional”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se kjo çështje është shumë e rëndësishme.

“Në asnjë mënyrë, nuk do të lejojë të jetë pikë e konfrontimit, çështja e cila është e interesit strategjik, siç është çështja e shënjimit të kufirit shtetëror të republikës së Kosovës me fqinjët tjerë. Kjo është dhe arsye pse jemi duke lëvizur dalë ngadalë, por jemi duke lëvizur sigurt, me vendimmarrje që është në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë. Kjo do të jetë dhe në të ardhmen vendimmarrja jonë. Jo Kuvendi i Republikës së Kosovës, të jetë skena teatrale, e aktrimit politik. Pastaj po krijojmë frustrime, konflikte dhe po i shqetësoj më qytetarët tanë“, ka thënë me tej Veseli.

Hoti: Vendit i duhet një Qeveri e re

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se për këtë vendim të kryesisë kanë votuar deputetët e koalicionit qeverisës.

Ai më tej ka thënë se është për keqardhje që nuk po adresohen temat e  rëndësishme nga kjo Qeveri, e cila ka ardhur për të marrë vendime të mëdha.

“Shumica parlamentare, koalicioni qeverisës, vendosi që ta shtyjë këtë pikë, për seancat e ardhshme. Nuk e definuan kohën. Është për keqardhje që prapë temat e mëdha, për të cilat këta kanë ardhur në pushtet, për të marrë vendime të mëdha, nuk mund t’i adresojnë”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Ai ka thënë, se qëndrimi i LDK-së ka qenë që kjo pikë të futej në rend të ditës për të enjten.

“E thamë në kryesinë e Kuvendit,  përmes nënkryetarit tonë që është aty z. Kujtim Shala që ne kërkojmë që kjo pikë të jetë në rend dite në seancën e së enjtes dhe si vendimmarrës t’i adresojmë çështjet kryesore dhe brengat kryesore, që i kanë qytetarët e vendit. Tri vjet po bëhen, që kjo temë po sillet poshtë e lart, në pamundësi për t’u adresuar nga spektri politik”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ky koalicion është themeluar për të marrë këtë vendime të mëdha, por që në realitet po dështon të bëj një gjë të tillë.

“Shihet qartë që këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime. Unë besoj që kështu nuk mund të vazhdohet më tutje. Vendit i duhet një qeveri e re, që mund të adresojë nevojat e qytetarëve dhe vendimet që janë kapitale për të ardhmen e vendit”, ka përfunduar Hoti.

Demhasaj: Demarkacioni temë e dy kryeministrave

Ndonëse, zyrtarët qeveritar nuk tregojnë se a do të jetë në agjendën e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markovic, analistët politik thonë se është pikërisht kjo vizitë që do t’i jep një epilog marrëveshjes për kufirin.

“Heqja e demarkacionit nga rendi i ditës, mendoj se është bërë për arsye të vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, dhe për arsye të diskutimeve që do të bëhen nesër për çështjen e demarkacionit në mes të dy kryeministrave”, ka thënë për “Bota sot”, analisti Arton Demhasaj.

Image
Analisti politik, Arton Demhasaj

“Po pritet që të ketë një marrëveshje mes dy qeverive se si t’i jepet zgjidhje këtij problemi. Mendoj se kjo është arsyeja kryesore pse nuk ka hyrë në agjendë të kuvendit votimi i demarkacionit në mbledhjen e Kryesisë”, ka deklaruar më tej ai.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se pret një konfirmim të një partneriteti dhe marrëdhënie të mira ndër fqinjësore nga ana e kryeministrit Malazias, duke shtuar se çështja e demarkacionit nuk do t’i ndajë nga drejtimet e përbashkëta të integrimit euroatlantik. 

“Nga vizita e nesërme e kryeministrit të Malit të Zi pres një konfirmim, një partneriteti, marrëdhënie të mirë fqinjësore me Republikën e  Malit të Zi. Çështja siç është e shënjimit të kufirit nuk do të jetë çështje, e cila do të na ndajë në drejtime tona të përbashkëta siç është integrimi euroatlantik”, ka thënë ai.

Shala: Demarkacioni në seancë kur të sigurohen votat

Nga ana tjetër, Bexhat Shala nga KMLDNJ thotë se demarkacioni do të shkojë në kuvend, në momentin që sigurohen votat e mjaftueshme.

“Kryesia nuk është e gatshme që të dërgoj çështjen e demarkacionit e në seancë përderisa t’i sigurojë votat. Kjo tregon se ajo nuk i ka votat për kalimin e demarkacionit dhe kështu ajo nuk dëshiron që kjo marrëveshje të rrëzohet në kuvend. Kryesia vendos kështu që për të fituar kohë në mënyrë që ta bindin dikën nga partnerët që të votoj, sepse për demarkacionin ka mospajtime në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës”, ka thënë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, Demarkacioni është një proces i cili ka mbetur prej qeverisë së mëparshme për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga ana e partive opozitare.

Shala mendon se demarkacioni nuk mund të konsiderohet çështje e kryer ashtu, siç po mendon Mali i Zi, nëse kjo marrëveshje nuk kalon në Kuvendin e Kosovës.

Image
Drejtori i KMLDNJ-së, Bexhet Shala

“Nuk mund të përfundoj në mënyrë të njëanshme. Përderisa nuk e voton edhe Kosova demarkacionin në kuvend. Ky proces mbetet i hapur. Por, ta shohim çfarë po ndodh nesër në takimin në mes të dy kryeministrave. A do të arrihet një marrëveshje për këtë problem”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se mundësia e vetme që të tejkalohet nyja e demarkacionit është që të arrihet një pajtueshmëri me Malin e Zi, që kjo çështje të ri negociohet në pika të caktuara ose të dërgohet në Arbitrazh.

Sipas Shalës, Kryesia do ta dërgoj në seancë për miratim këtë marrëveshje në momentin që arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme.

“Në rast kur koalicionin qeverisës i siguron votat, atëherë Kryesia do ta thërras një seancë të jashtëzakonshme për demarkacioni”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi, në vitin 2015 kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin në mes të dy shteteve. Por, kjo marrëveshje nuk ka arritur ende të miratohet në Kuvendin e Kosovës për shkak të refuzimit të fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA.

Për të miratuar këtë marrëveshje, nevojiten 81 vota të deputetëve.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test