“Thaçi po mundohet ta kopjojë Rugovën, por po del kopje e zbehtë dhe e shëmtuar”

Politika

“Thaçi po mundohet ta kopjojë Rugovën, por po del kopje e zbehtë dhe e shëmtuar”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 shkurt 2018 Në ora: 16:27
Presidenti Hashim Thaçi dhe Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  jo rrallë herë është përfolur për kopjim të figurës së Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Takimet me Papa Franceskun, dhuratat me gur minerali që i bënë Thaçi për t’i nderuar personalitetet ndërkombëtare, janë disa prej veprimeve të cilat e bëjnë atë si kopjues të Presidentit historik.

Ai këto i ka mohuar duke thënë se takimet e tij me Papa Franceskun nuk janë imitime të ish-Presidentit Rugova, por për shkak se siç thotë Presidenti Thaçi, ka raporte të mira me shtetin e Vatikanit.

Lidhur me dhuratat me gur minerali që i bënë Thaçi, për t’i nderuar personalitetet ndërkombëtare, Thaçi ka thënë se mineralet janë pasuri shtetërore dhe nuk mund të identifikohen si të dikujt në veçanti.

Mirëpo, para dy dite Thaçi “vodhi” edhe një herë Rugovën. Në darkën e udhëheqësve shtetërorë, në shtëpinë e Behgjet Pacollit në Hajvali është diskutuar ideja për ndërtimin e objekteve të reja të institucioneve të vendit, me lokacion Hajvalinë. Dje këtë ide publikisht e ka shpalosur Presidenti Hashim Thaçi, pa elaboruar shumë se për cilat institucione duhet të ndërtohen këto objekte.  Por, ideja e ndërtimit të objekteve të institucioneve e ka edhe një histori tjetër. Fillimisht atë e kishte prezantuar Ibrahim Rugova, duke kërkuar që vendi të ndërtojë Shtëpinë e Bardhë për Presidentin.

Përkundër, që Thaçi mohonte se kopjonte figurën e Rugovës, analisti politik thotë se ai është nxënës imitator, si dhe asnjëherë nuk mund të arrijë nivelin dhe përmasat e Presidentit historik.

Faton Mehmeti, analist politik pohon për “Bota sot”, se Thaçi me veprimet e tij, mundohet ta kopjojë Rugovën, por del kopje e zbehtë dhe e shëmtuar.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, Thaçi është duke u munduar të mbetet në histori si Rugova.

“Hashim Thaçi po mundohet të kopjojë Rugovën, mirëpo po del kopje e zbehtë dhe e shëmtuar. Duke u munduar të bëjë veprime si të Rugovës, Thaçi po mundohet të mbetet në histori si Rugova. Ne vazhdën e imitimeve të Rugovës, se fundi Thaçi dha idenë për ndërtimin e objekteve shtetërore në Hajvali, të cilën ide e kishe dhënë edhe presidenti Rugova qysh moti. Gjithsesi, Thaçi asnjëherë nuk mundet të arrijë nivelin dhe përmasat e Presidentit Rugova. Kjo nënkupton se Thaçi është veç një imitator i keq dhe kopje kartikaturave. Edhe foton me Papën është tipike rugoviane, aty ku Thaçi është nxënës i dobët”, deklaron Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat