“Në Skenderaj nisi ngritja e PDK-së, tani po nis fundi i saj, Thaçi e la në baltë Jasharin”

Politika

“Në Skenderaj nisi ngritja e PDK-së, tani po nis fundi i saj, Thaçi e la në baltë Jasharin”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shkurt 2018 Në ora: 16:00
Bekim Jashari, Nuredin Lushtaku, Kadri Veseli dhe Sami Lushtaku

Akuzat e kryetarit të Skenderaj Bekim Jashari ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, se kjo e fundit po saboton dhe bllokon atë në Kuvendin Komunal, nuk i kanë pëlqyer ish-kryetarit Sami Lushtaku.

Në një konferencë të mbajtur gjatë ditës së djeshme, Jashari ka akuzuar Lushtakun, për keqpërdorime në Komunë, por ka thënë se nuk befasohet me veprimet e tij, pasi ai e kishte lënë në baltë babain dhe mixhën e tij, duke ikur në Gjermani.

“Që tenton Sami Lushtaku të më bllokoj, kjo nuk më befason aspak, sepse Sami Lushtaku edhe babën e mixhën tim i ka lanë për 5 vjet dhe ka ikë në Gjermani, sepse është po ai Samiu që ka qenë”, ka thënë Jashari.

Por, atij i është kundërpërgjigjur Sami Lushtaku, i cili i ka thënë Jasharit që të mos merret me vitet e ’90-a, sepse ka qenë i vogël atëherë.

“Bekimi ka qenë i vogël atëherë. Unë e respektoj familjen Jashari, e respektoj kryetarin aktual. Kështu që, i uroj punë të mbarë në komunë dhe i them të mos merret me vitet e ’90-ta”, ka thënë Lushtaku.

Megjithatë, kryetari Jashari, ka siguruar mbështetjen e nënkryetarit Nuredin Lushtaku, i cili sot ka thënë se pajtohet me ato që i ka deklaruar ai.

“Këtë e ka komentuar kryetari dje, nëse veç e keni dëgjuar. Krejt ato që i ka thënë kryetari janë të vërteta prej të parës deri te ajo e fundit”, ka thënë shkurt Nuredin Lushtaku.

E analisti politik Faton Mehmeti, duke komentuar në lidhje me këtë çështje, ka thënë se puna e Jasharit, nuk po i shkon për shtati Lushtakut, për shkak të lidhjeve kriminale të këtij të fundit.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti ka thënë për gazetën “Bota sot”, se tani po vërtetohet se Adem Jashari është lënë në baltë nga persona që thirren në emër të tij, duke përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi.

Sipas tij, në Skenderaj ka nisur ngritja e PDK-së dhe se pikërisht atje ka nisur fundi i saj.

“Besoj se fillimi i punës së mirë nga Bekim Jashari, nuk i shkon për shtati Sami Lushtakut, sepse i prehën lidhjet kriminale që ka instaluar në komunën e Skenderajt. Në Skenderaj ku nisi ngritja e PDK-së, tani po nis fundi i saj. Tanimë po fillojnë të dalin në pah të vërtetat se Ademi është lënë në baltë nga ata që thirren në emrin e tij, Samiu është i pari. Besoj që në mesin e atyre që e lanë në baltë Ademin, është edhe Thaçi, i cili po e merr me të mirë Bekimin, që të mos ‘ia nxjerr të palarat. E vërteta vonon, por nuk harron”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka thënë kryetari Jashari ka qëllim të mirë, mirëpo ka theksuar se do ta ketë të vështirë, siç i ka quajtur ai, “lidhjet kriminale të instaluara nga Sami Lushtaku”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat