OVL e UÇK-së nuk heqë dorë nga shfuqizimi i Speciales, pret veprimin e Qeverisë dhe Kuvendit

Politika

OVL e UÇK-së nuk heqë dorë nga shfuqizimi i Speciales, pret veprimin e Qeverisë dhe Kuvendit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 shkurt 2018 Në ora: 19:54
Xhavit Jashari

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhavit Jashari, ka thënë se nuk do të ndalin tentimin për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Jashari ka thënë se OVL e UÇK-së, është kundër Gjykatës Speciale, por pro krijimit të një gjykate vendore, që do të hetonte gjithë atë që ka ndodhur me UÇK-në.

Ai ka paralajmëruar edhe protesta kundër Speciales, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka kryer krime kundër civilëve, por ka bërë luftë të drejtë kundër pushtuesit serb.

Jashari, ka hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve të Kosovës për neglizhim të punës së tyre. Ai ka thënë poashtu që dialogu me Serbinë, duhet të ndërpritet, derisa ajo të mos tregojë për fatin e të zhdukurve të luftës në Kosovë.

Duke folur për listat e fryra të veteranëve, Kryetari Jashari ka thënë se kushdo që ka bërë padrejtësi me statusin, duhet të dal para drejtësisë dhe të dënohet.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e nënkryetarit të Veteranëve Nasim Haradinajt.

Bota sot: Çfarë po ndodhë me tentimin për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale?

Xhavit Jashari: Tentimi jonë me nënshkrimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk është diçka e re. Dihet që ne e kemi kundërshtuar në vazhdimësi këtë Gjykatë edhe në vitin 2015, kur parlamenti u mblodh për t’i hapur rrugë një gjykate të tillë, ne madje edhe kemi protestuar dhe kemi bërë trysni mbi deputetët që të mos e votojnë një gjykatë të tillë. Konsiderojmë, por edhe e kemi argumentuar sa e sa herë që Specialja është e dëmshme dhe qëndrimi jonë është i palëkundshëm, sikur atëherë që kemi kundërshtuar këtë gjykatë, e cila është e dëmshme për vlerën e popullit, sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vlerë e popullit, sepse ajo ka luftuar për lirinë e popullit dhe nuk është pronë e asnjë partie politike, siç shpeshherë në media, me dashje apo pa dashje po devijohet dhe insistojnë që t’ia atribuojnë një partie politike. Unë them që të gjithë ata njerëz që kanë luftuar, e në këtë rast të gjithë dëshmorët e UÇK-së, janë dëshmorë të kombit dhe pronar i kësaj vlere, është populli shqiptar. Duke i parë të gjitha padrejtësitë nga UNMIK-e dhe EULEX-i që në vazhdimësi , ka pasur tentime që luftën e pastër të UÇK-së të barazohet me krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë. Duke i parë dhe duke u marrë drejtpërdrejtë me të gjitha proceset që kanë ndodhur me ndjekjet, përndjekjet dhe montimet që u janë bërë ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar padrejtësisht, qoftë në vend, qoftë jashtë, në asnjë grup dhe në asnjë rast, nuk ka dalë se UÇK-ja ka bërë krime, qoftë madje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës. Çdo herë është faktuar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë. UÇK-ja ka bërë luftë për liri dhe është bërë në territorin e Kosovës, që në atë kohë ka qenë e pushtuar dhe nuk e kemi asnjë rast që UÇK-ja është marrë me civilë, ndërsa lufta është bërë me të gjithë ata që kanë pasur armë dhe kanë tentuar për të eliminuar dhe shfarosur një popull plotësisht.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat