Vendimet e Haradinajt “në stilin e odave”, cenojnë rendin kushtetues të Kosovës

Politika

Vendimet e Haradinajt “në stilin e odave”, cenojnë rendin kushtetues të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 shkurt 2018 Në ora: 19:59
Qeveria PANA-Lista Serbe

“Kemi pasur raste kur kryeministri Haradinaj merr vendime kokë në vete anti-ligjore dhe anti-kushtetuese siç janë vendimi për falje borxhesh për ndërmarrje biznisore, vendimi për ndarje parash për familjarët e dënuar nga Gjykata Maqedonase për rastin ‘Kumanova’, vendimi për rritjen e pagës së tij dhe kabinetit qeveritar, vendime këto që janë dhe duhet të jenë lëndë për trajtim në Gjykatën kushtetuese. Pra një praktikë e tillë e vendimmarrjes duhet të ndërpritet pasi cenon rendin kushtetues te vendit”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Dhënia e 200 mijë eurove familjarëve të burgosurve të grupit të Kumanovës, emërimi i ekipit të ri rreth bisedimeve me Serbinë, vendimet për emërimet e zëvendësministrave, rritja e pagave, dhe  falja e borxheve, janë disa nga vendimet, të cilat kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i mori “ad hok”.

Ndonëse, në çdo institucion shtetëror dhe  çdo zyrtar publik është i obliguar që të ketë parasysh dhe ta respektojë Kushtetutën e vendit, megjithatë për kryeministrin Ramush Haradinaj kjo mbetet një kompetencë e pakufizuar edhe pse dihet se për  të marr vendime Ad-hok, Kryeministri i vendit, duhet medoemos ti zbatojë ligjet dhe Kushtetutën.

Me këto veprime, nga 100 ditshi i tij, Haradinaj na bëri me dije se ai di të vendosë me kokën e tij, pa iu bë fare vonë për shkelje të kushtetutës.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë për “ Bota sot” se Qeveria Haradinaj vendimet po i merr më shumë në stilin e odave ku kryeplaku është Ramushi e djemtë ministrat.

“Pa ndonjë analizë e pa studim të pasojave, duke bërë më shumë dëme sesa dobi për shtetin  dhe veç pasi merren shihen se sa të pakuptimta janë ato vendime. Por duhet ditur se shteti dhe oda  e burrave nuk e kanë të njëjtën logjikë ashtu edhe siç nuk shkojnë bashkë ligji e kanuni”, është shprehur deputeti Avdyli.

Deputetja e VV-së Drita Millaku ka thënë se jo vetëm kjo qeveri por të gjitha qeveritë para kësaj kanë pasur shkelje kushtetuese.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat