Demarkacioni dhe vizita e kryeministrit malazez, analisti tregon lidhjen dhe skenarin për vota

Politika

Demarkacioni dhe vizita e kryeministrit malazez, analisti tregon lidhjen dhe skenarin për vota

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 shkurt 2018 Në ora: 15:36
Foto ilustrim

Një ditë para vizitës së kryeministrit malazez në Kosovë, Dushko Markovic, kryesia e Kuvendit të Kosovës hoqi si pikë të rendit të ditës, marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke mos dhënë afat se kur do të jetë sërish në rend ditë për tu proceduar në seancë.

Por, vizita e kryeministrit të Malit të Zi u anulua dhe ai pritet që të vijë në Kosovë javën e ardhshme.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se nga vizita e tij pret konfirmim të një marrëdhënie të mirë fqinjësore me Malin e Zi.

“Nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi pres një konfirmim, një partneriteti, marrëdhënie të mirë fqinjësore me Republikën e  Malit të Zi. Çështja siç është e shënjimit të kufirit nuk do të jetë çështje, e cila do të na ndajë në drejtime tona të përbashkëta siç është integrimi euroatlantik”, është shprehur ai.

E heqjen e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi nga rendi i ditës, analisti politik Fadil Lepaja e lidhë me vizitën e kryeministrit të Malit të Zi dhe udhëtimin e krerëve të shtetit jashtë vendit.

Image
Fadil Lepaja

“Mendoj, se kjo lidhet me vizitën e anuluar dhe njëkohësisht me vizitën e ardhshme të Kryeministrit malazez, e po ashtu edhe me udhëtimin e tre krerëve institucionalë jashtë vendit këto ditë, ku po bëhen përpjekjet e fundit për të siguruar një votë për demarkacionin në Kuvend, i cili pa njëfarë aneksi, obligimi tjetër, se mund të korrigjohen gabimet eventuale, vështirë se mund të kalohet në parlament marrëveshja e vitit 2015”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Lepajës, duket se Qeveria ka marrë përkrahje nga Mali i Zi për Demarkacionin por që nuk është e kënaqur.

“Duket se qeveria ka siguruar njëfarë përkrahje nga Mali i Zi në këtë drejtim por, ende nuk janë të kënaqur me formën. Sepse nuk besoj se do të mjaftojë vetëm premtimi, qoftë edhe publik që partitë hezituese ta votojnë demarkacionin”, ka vlerësuar ai.

Ai thotë se duhet shpresuar që këto vizita të sigurojnë përkrahje dhe të ketë ndërmjetësim më të guximshëm me Malin e Zi.

“Prandaj, shpresojnë, që nga këto vizita të sigurojnë njëfarë përkrahje, dhe ndërmjetësimi që Mali i Zi të jetë më i guximshëm në këtë drejtim”, ka përfunduar Lepaja.

Pritet që javën tjetër kryeministri Markovic të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe mbetet të shihet se kur marrëveshja me Demarkacionin me Malin e Zi do të sillet në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat