“Goditet” nga ish bashkë-partiakët, Thaçi dëshmitar i mbrojtur i Speciales?

Politika

“Goditet” nga ish bashkë-partiakët, Thaçi dëshmitar i mbrojtur i Speciales?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 10 shkurt 2018 Në ora: 08:00
Hashim Thaçi

Kritikat ndaj politikave të Presidentit të vendit Hashim Thaçi, nuk kanë të ndalur, e sidomos pas tentimit të tij “Tinëzar” për shfuqizimin e Gjykatës Speciale përmes Kuvendit të Kosovës. 

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, për Kosovën Haxhi Shala, është paraqitur i neveritur nga politikat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, veçanërisht pas tërheqjes së tij për Gjykatën Speciale. Ai ka akuzuar Thaçin, se  asnjëherë nuk e pati shqetësim Kosovën dhe fatin e saj dhe se fatin e Kosovës e përcaktoi me fatin e tij.

Reagimi i Haxhi Shalës

Shala, nëpërmjet një postimi në Facebook, e quan të pafytyrë kreun e shtetit derisa politiken e tij “sa për të shpëtuar veten”, e cilëson si neveritëse.

“Politika neveritëse e një njeriu. Mashtruesit ishin ata që formuan Gjykatën Speciale, sikurse edhe me mashtrim tentuan tani ta nxjerrin vetën prej saj, dhe kur mashtrimi po bëhej i dukshëm, u tërhoqën ashtu siç tërhiqen gjithmonë të ligët. Iniciuesi dhe krijuesi i Gjykatës Speciale, tani hedhë përgjegjësinë tek deputetët duke treguar pafytyrësinë e tij të pashembullt pasi që fillimisht mashtroi veteranët” thuhet në postimin që Shala ka bërë në faqen e tij në facebook.

“Ai që inicoi dhe themeloi Gjykatën Speciale dhe shumë marrëveshje të tjera të dëmshme për Kosovën po tenton të vazhdoj me mashtrimin e opinonit publik përmes deklaratave të fundit të cilat kanë për qëllim vetëm shfajësimin e vetës së tij duke u thirrur në “ruajtjen e partneritetit strategjik me ndërkombëtarët”. Ju asnjëherë nuk e patët shqetësim Kosovën dhe fatin e saj, ju fatin e Kosovës e përcaktuat me fatin tuaj, ju asnjëherë nuk e patët shqetësim fatin e shokëve tonë të akuzuar pa të drejtë për luftën tonë të shenjtë çlirimtare, ju gjithmonë ishit aty vetëm për të marrë merita, ndërsa asnjëherë për tu përballur me sfidat e vërteta. Aq shumë më kanë neveritur politikat e tij, sa që nuk po dua as të ia përmendi emrin” thuhet në postimin që deputeti Haxhi Shala ka bërë pas ndryshimit të politikës se presidentit Hashim Thaçi ndaj shfuqizimit të Gjykatës speciale.

Në lidhje me deklaratat e tilla nga deputeti i Nismës Socialdemokrate, nuk kanë dashur të flasin nga partia e tij, duke thënë se nuk diskutojnë deklarata personale të askujt. Bilall Sherifi, nga kjo parti nuk ka dashur fare të flas për ketë çështje, duke mos na lenë të kuptojmë nëse është ky një qëndrim i gjithë partisë ndaj presidentit Thaçi apo veç deputetit në fjalë.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Përgjegjëse edhe Nisma

Ndërkaq, Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës  ka thënë se vetë depuetët e Nismës janë ata që e ka venë Thaçin, në pozitën e Presidentit.

“Haxhi Shala por edhe aktivistet tjerë të shumtë të NISMA-s janë ata të cilët se bashku me ish bashkëpartiakët e tyre në PDK, e kane ngritë Hashim Thaçin në pozitën në të cilën ai është sot. Pra, ata sigurisht që ndajnë përgjegjësinë për të gjitha veprimet e tij, por edhe për ato të tashmet, sepse janë në koalicion me ta. Popullit nuk mund ti hidhet hi syve, e tu thuhet se ai është Presidenti, të gjithë e dinë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli së bashku ishin prapa konspiracionit disa mujor për rrëzimin e qeverisë së kaluar. Konspiracion ky i cili u mendua nga PDK, u iniciua nga NISMA, dhe u ekzekutua nga të gjithë miqtë se bashku, duke përfshirë edhe LVV dhe Listën Serbe” ka thënë për “Bota sot” Bajram Gecaj.

Image
Nexhat Haziri

Të mashtruar

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri ka shpjeguar se deklaratat e tilla, si ajo e deputetit të Haxhi Shala vinë pas mashtrimit që presidenti Thaçi i ka bërë me rastin e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës speciale.

“Deklarata e deputetit Shala është si rezultat i mashtrimit që ua beri Thaçi më rastin e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Nuk është një gjë e panjohur këto tërheqjet "taktike" të z. Thaçi, pasi është "specialitet" i tij mashtrimet apo lënia e shokëve në lloç, kurse janë në pyetje interesat e tij. E gjithë karriera e tij politike është ndërtuar mbi mashtrimet që iu ka bërë bashkëpunëtoreve të tij, partnerëve politik duke i përdorur për interesat e tij karrieriste, dhe me pas me një lehtësi prej një idioti, i ka hedhur si limona të shtrydhur” ka thënë Haziri.

Sipas tij, tërheqja e Thaçit nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është rezultat i presionit të madh nga faktori ndërkombëtar dhe opinioni vendor, duke bërë që Thaçi të mbështet për muri pa alternativë për të shpëtuar nga Gjykata Speciale.

Image
Leon Duhanaj

Luftë brenda llojit

Kurse, sipas analistit politik Leon Duhanaj qëndrimet kontroverse kundrejt Gjykatës Speciale, sidomos nga njerëz të cilët deri dje kanë qenë në një parti, janë më shumë se hipokrite.

“Edhe qëndrimet e z. Thaçi në këtë segment, nuk dallojnë fort. Për mendimin tim, lufta e madhe është brenda llojit, se kush me i shpëtua hetimit apo ftesës. Sepse të gjithë e dinë se Gjykata nuk ka alternative dhe se nuk mund tashme të ndalët. Krejt kjo lojë, është përpjekje për shantazh ndaj ndërkombëtarëve. Në këtë segment, nuk shoh ndonjë dallim nga qasja mes z. Shala dhe z. Thaçi. Dallimi i vetëm, është nga pozita në të cilin flasin” ka thënë Duhanaj.

Image
Faton Mehmeti

“Specialja frikë jetësore e Presidentit”

Ndërkaq, për analistin Faton Mehmeti, Presidenti Thaçi,  është njeriu që ka futur në grackë të gjithë bashkëluftëtaret e tij, vetëm për të shpëtuar vetën.

“Nuk besoj se as Haxhi Shala është më i ndershëm se Thaçi, që gjithsesi nuk e zbeh faktin se Thaçi ka bërë lojërat të pista me specialen. Thaçi është njeriu që ka futur në grackë të gjithë bashkëluftëtaret e tij, vetëm për të shpëtuar vetën. Rrjedhimisht e shoh në kuadër të kësaj gjëje, shpërthimin e Shales ndaj Thaçit. Gjithsesi, një gjë e tillë nuk është risi duke pasur parasysh faktin se Thaçi ka dëshpëruar të gjithë ata që dikur i besonin. Specialja është frika më e madhe jetësore e Hashimit, i cili për të shpëtuar është në gjendje të bëjë çdo gjë. Nuk përjashtohet mundësia që Thaçi edhe të jetë dëshmitar i mbrojtur kundër ish bashkëluftëtarëve, jo e habitshme një gjë e tillë”, ka thënë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat