Akuzat e Bekim Jasharit për PDK-në dhe akuzat për Sami Lushtakun

Politika

Akuzat e Bekim Jasharit për PDK-në dhe akuzat për Sami Lushtakun

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 shkurt 2018 Në ora: 14:34
Bekim Jashari, Sami Lushtaku

Ka një kohë të gjatë që përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë shkelur në kullën e familjes së Komandantit Legjendarë Adem Jashari. Edhe në ditët e shënuara, ata janë mjaftuar me vizitën vetëm tek kompleksi memorial, por jo edhe tek Kulla e familjes Jasharit. E ky disponim, po vërehet edhe aktualisht, kur në krye të Komunës së Skenderajt, ka ardhur, Bekim Jashari, djali i Komandantit Legjendarë Adem Jashari. PDK është duke “sabotuar”, punën e Jasharit në Komunën e Skenderajt. Gjithë kjo situatë, është përcjellë me akuza e kundër akuza. 

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ditë më parë ka shpërthyer në akuza ndaj ish-kryetarit Sami Lushtaku, pasi që asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës po e bojkotojnë punën e Kuvendit Komunal.

Veç kritikave për qeverisjen e kaluar, djali i Hamzë Jasharit, Bekimi, akuzoi Sami Lushtakun edhe për sabotim gjatë luftës së fundit.

Por, a është ky një sinjal se po vazhdojnë edhe me tej prishja e raporteve mes PDK-së e familjes Jashari, prishje kjo që ishte nisur nga koha e Thaçit si kryetar i partisë?

Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar, Adem Jashari, thotë se marrëdhëniet mes familjes Jashari dhe PDK-së nuk do të prishën. Ndërsa, sipas analistit politik, durimi i familjes Jashari ka fund, “ata s’po munden më që të lejojnë që duke u thirrur në emër të tyre disa mafioze të rrjepin atdheun”.

Ramiz Lladrovci: Besoj se çdo mosmarrëveshje tejkalohet

Image
Ramiz Lladrovci

E, kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, duke komentuar përplasjet e fundit në Komunën e Skenderajt, për gazetën “Bota sot” , tha se do të angazhohet maksimalisht që të ketë përparime, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Ai ka shtuar se miqësia me Jasharin është e bekuar për të, për shkak të familjes historike, Jashari.

Sipas kryetarit të Komunës së Drenasit,  Bekimit edhe si shok edhe si kryetar do t’i ofroj bashkëpunim pa rezervë në kuadër të kapaciteteve të tija.

“Këto zhvillime në Skenderaj, nuk i komentoj për shumë arsye. Në rend të parë duke ditur të kaluarën tonë të përbashkët. Unë jam krenar me atë të kaluar dhe bashkëpunimin që kam pasur edhe kam me Lushtakun dhe Jasharin, andaj besoj fuqishëm jo vetëm në sinqeritetin e tyre por edhe në urtësinë e dy personaliteteve shumë të respektuara për mua, për Drenicën dhe kombin tonë. Është koha për të punuar dhe për të vazhduar amanetin e më të dashurve tanë, në shërbim të qytetarëve tanë. Besoj se çdo mosmarrëveshje tejkalohet kur kihet parasysh interesi aktual i qytetarëve dhe e kaluara jonë e afërt, jo vetëm në Drenicë. Zhvillimet e fundit në komunën e Skenderajt nuk i komentoj por, angazhohem maksimalisht që të ketë përparime, të ketë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët jo vetëm për Drenas. Secila komunë i ka specifikat e veta dhe nuk implikohem në këto zhvillime, por Bekimit edhe si shok edhe si kryetar i ofroj bashkëpunim pa rezervë në kuadër të kapaciteteve të mia për të arritur objektivat në kuadër të ligjit dhe transparencës”, është shprehur Lladrovci. Jam mik me Bekim Jasharin dhe vazhdoj miqësinë që e kisha me tërë Familjen Jashari. Bashkëpunimi me Bekimin e kam thelluar edhe për funksionet shtesë që i kemi aktualisht, njëherazi jemi kryetar të komunave të Drenicës dhe e shoh shumë normale bashkëpunimin e thelluar për zhvillimin e kësaj pjese të Kosovës. Sigurisht se jam i bekuar për miqësinë që kam dhe mundësinë e bashkëveprimit me anëtarët e kësaj Familjeje historike, edhe në të kaluarën edhe tani”, ka deklaruar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci për “Bota sot”.

Bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Marrëdhëniet do të rregullohen

Lidhur me këtë çështje, “Bota sot” ka marrë në prononcim edhe anëtarin e PDK-së dhe ish-bashkëluftëtarin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Image
Jetullah Geci

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Jetullah Geci, njëherit edhe asambleist i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, për gazetën “Bota sot” thotë se marrëdhëniet mes familjes Jashari dhe PDK-së nuk do të prishën.

Geci thotë se ngjarjet e fundit janë vetëm janë procese komunale, të cilat zhvillohen dhe nuk ka diçka më shumë.

“Jo, absolutisht, marrëdhëniet mes Familjes Jashari dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të prishen. Këto çka po ndodhin, janë procese komunale të cilat zhvillohen dhe nuk ka diçka që mundet me ndikua te marrëdhëniet tona”, është shprehur Geci.

Jetullah Geci, një ish-komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”, thotë se përveç PDK-së janë edhe partitë e tjera që po e sabotojnë punën e Kuvendit Komunal të Skenderajt, dhe, sipas tij, këto janë procese normale të cilat zhvillohen në Kuvend.

“Nuk ka asgjë, Bekim Jashari është kryetar i pavarur, ndërsa përveç PDK-së, janë edhe partitë e tjera, kështu që nuk është vetëm një parti, janë procese normale komunale. Këto marrëdhënie do të rregullohen në ditën në vazhdim, ka diçka që nuk pajtohen në ndonjë seancë, por do të rregullohen”, ka përfunduar ish-eprori i lartë i UÇK-së, Jetullah Geci për gazetën “Bota sot”.

“Skenderaj dhe Kosova do çlirohen nga bandat”

Image
Faton Mehmeti

Ndërkohë, analisti politik, Faton Mehmeti duke komentuar ngjarjet e fundit në Skenderaj, thotë se Partia Demokratike e Kosovës është ngritur në emër të luftës, të familjeve të dëshmorëve dhe mbi të gjitha të familjes Jashari.

Sipas tij, durimi i familjes Jashari ka fund, ata s’po mund më që të lejojnë që duke u thirrur në emër të tyre disa mafioze të rrjepin atdheun.

“PDK është ngritur në emër të luftës, të familjeve të dëshmorëve dhe mbi të gjitha të familjes Jashari. Kjo e fundit për një kohë të gjatë ka heshtur, por tani e vërteta duhet të dal në sipërfaqe. Të gjithë këta që thirren në emër të luftës nuk janë asgjë më tepër përpos përfitera, njerëz të zhytur në krim dhe haraç. Andaj, edhe durimi i familjes Jashari ka fund, ata s’po mund më që të lejojnë që duke u thirrur në emër të tyre disa mafioze të rrjepin atdheun”, tha Mehmeti.

Ai thotë se Bekimi ka filluar të tregojë të vërtetat, të vërtetat të cilat do fundosin PDK-në dhe "të fortit " e saj.

“PDK po prishet nga brenda, një kështjellë e ndërtuar nga rëra që po shembet çdo ditë e më shumë. Kjo është historia dhe fati i keq i PDK-së, një fat krejt i pritur duke ditur se është ndërtuar mbi gënjeshtra. Në këtë sens, besoj se Bekimi ka filluar të tregojë të vërtetat, të cilat do fundosin PDK-në dhe "të fortit" e saj.

Krejt në fund, Mehmeti thotë se është plotësisht i drejtë reagimi i Bekim Jasharit, i cili po sabotohet nga njerëz te Sami Lushtakut, e të cilët komunën e Skenderajt e kishin kthyer në laborator të pastrimit.

“Është plotësisht i drejtë reagimi i Bekim Jasharit, i cili po sabotohet nga njerëz të Sami Lushtakut, e të cilët komunën e Skenderajt e kishin kthyer në laborator të pastrimit të parave. Bekimi, ka qëllim të mirë, por po e pengojnë. Gjithsesi besoj se me vullnet dhe vendosmëri, Skenderaj dhe Kosova do çlirohen nga bandat”, ka përfunduar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat