“Nëse Kosova humbë territor dhe Haradinaj aprovon marrëveshjen, të ndëshkohet penalisht kjo tradhti”

Politika

“Nëse Kosova humbë territor dhe Haradinaj aprovon marrëveshjen, të ndëshkohet penalisht kjo tradhti”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 shkurt 2018 Në ora: 15:27
Ramush Haradinaj

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të jetë një çështje e pazgjidhur për vendin, por që edhe pse nga qeveria u premtua zgjidhje e shpejtë për të, ajo vazhdon të jetë një sfidë.

E derisa nga LDK po bëhet thirrje që marrëveshja të sillet në Kuvend dhe të votohet, Kryesia e Kuvendit e ka hequr atë nga rendi i ditës, pa caktuar ndonjë afat se kur do të jetë sërish.

E për zyrtarin e LDK-së, Bajram Gecaj, kjo çështje u përdor nga AAK për të ardhur në pushtet, e cila u ndihmua nga PDK, që rrëzuan qeverinë.

“Çështjen e demarkacionit opozita e kaluar, duke përfshirë AAK-në e Ramush Haradinajt, e kishin shndërruar në kauzë të rrejshme politike, kryekëput për të rrëzuar Qeverinë Mustafa dhe për të ardhur vet në pushtet. Kjo u shkoi për dore jo pse ishin opozitë e fortë dhe muskuloze, por pse partia e pabesë, pra PDK, u bashkua me keqbërësit tjerë, duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen e koalicionit qeverisës dhe kështu edhe një herë duke u futur thikë pas shpine partnerëve të vet”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Image
Bajram Gecaj

Sipas Gecajt, qeveria e ka humbur busullën, derisa kishin premtuar se do të merreshin me ‘çështje të mëdha’.

“Tani, këta që kishin premtuar se do të merreshin me "çështje të mëdha" janë hutuar dhe kanë humbur busullën e nuk dine kah t'ia mbajnë. Dëshirojnë të gjejnë një rrugëdalje dhe ta pranojnë atë e cila ishte e drejtë gjithherë, pra vijën e negociuar më herët, por të duket se nuk po e bëjnë këtë. Por, ata duhet ta dinë se populli nuk han bari dhe këto taktika të tyre nuk do të pinë ujë”, vlerëson ai më tej.

Ai thotë se nëse Haradinaj beson se humbet tokë dhe e aprovon marrëveshjen me Malin e Zi, duhet të ndëshkohet penalisht.

“Nëse Ramush Haradinaj beson me të vërtetë se vija e tanishme i humbë gjithë ata hektarë tokë që ata i pretendojnë dhe prapë e aprovon të njëjtën marrëveshje, atëherë veprimi i tij do të ishte tradhti klasike e cila duhet ndëshkuar penalisht. Ne tjerët kemi besuar se marrëveshja ishte në rregull, dhe si të tillë do të mund të akuzoheshim për gabim, nëse eventualisht marrëveshja del jo e saktë, por kjo nuk vlen për ata të cilët besojnë se me këtë marrëveshje humbim territor:, ka deklaruar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat