Flasin nga Nisma, tregojnë a e përkrahin Thaçin dhe Haradinajn për këmbim territoresh me Serbinë

Politika

Flasin nga Nisma, tregojnë a e përkrahin Thaçin dhe Haradinajn për këmbim territoresh me Serbinë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 shkurt 2018 Në ora: 15:50
Fatmir Limaj

Pas dështimit të tentativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, krerët e shtetit të Kosovës, po përgatisin një tjetër marrëveshje për këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas asaj që ka mësuar Express nga burime ndërkombëtare, këtë ide, e kanë përkrahur edhe Serbia, Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.

"Është shumë e rrezikshme si çështje edhe të mendohet. Kosova nuk përfiton asgjë prej saj. Rrezikon ta humbë veriun e vendit, kurse nuk mund të përfitojë asgjë", ka thënë një burim i huaj, sipas të cilit kjo temë i ka alarmuar miqtë kryesor të Kosovës.

"Kjo çështje po hapet për arsye personale. Dështuan me Tribunal, ose së paku kështu besojmë, e tash po provojnë të gjejnë një arsye tjetër. Kanë gjetur aleat në Serbi", ka thënë burimi i medias.

Por, për një ide të tillë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, duket se nuk do ta kenë përkrahjen e Nismës Socialdemokrate, parti kjo në pushtet me PDK-në, AAK-në, AKR-në dhe Listën serbe.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e Nismës Socialdemokrate Isa Xhemajlaj, këtë ide e ka quajtur lojë të rrezikshme për vendin.

Siç ka theksuar ai, Kosova me këtë marrëveshje, vetëm sa do të humbte prapë territor.

Image
Isa Xhemajlaj

“Mendoj se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Sepse, Kosova rrezikon shumë dhe vetëm sa do të humb prapë territor. Serbia nuk po zbaton as disa marrëveshje që janë arritur në Bruksel e që nuk kanë ndonjë ndikim të madh atje, e lëre më të zbatojë marrëveshje që zvogëlon territor të saj. Kushdo që hynë në këtë lojë, duhet ta dijë se humbësit jemi ne”, ka pohuar Xhemajlaj.

Sipas zëvendësministrit nga Nisma, Kosova duhet të shtrijë autoritetin në tërë hapësirën e saj dhe të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, e pastaj të hapen tema të tilla.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës ,e kanë njohur në kufijtë aktual. Dhe në këto rrethana, Kosova duhet që një herë për një herë të angazhohet që ta shtrijë autoritetin në tërë hapësirën e saj, të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare (BE, OKB, INTERPOL, NATO etj.). Pra, të jetë shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe stabil, pastaj të hapin tema tjera qoftë për shkëmbim apo bashkim”, është shprehur më tutje Xhemajlaj.

Ai ka shtuar për “Bota sot”, se Kosova nuk mund të detyrojë askënd që t’iu përmbahet marrëveshjeve, disa nga të cilat janë të dëmshme për vendin.

“Në këtë kohë, kjo është aventurë tepër e rrezikshme dhe e pa menduar thellë, sepse nuk jemi në kondita që mund ta detyrojmë dikë që t’i përmbahet marrëveshjeve përveç se jemi detyruar që njëanshëm t’u përmbahemi marrëveshjeve, edhe pse disa nga to kanë qenë të dëmshme për vendin”, ka pohuar Isa Xhemajlaj.

Ndërkohë në Zyrën e Presidentit Thaçi, nuk e kanë pohuar e as mohuar këtë lajm, por kanë sugjeruar publikimin e informacioneve të tilla.

“Në rast se keni informacione të tilla, është mire ti bëni publike për hirë të interesit të përgjithshëm shtetëror dhe qytetar”, ka thënë shefi i stafiit Bekim Çollaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat