Cenohet rendi kushtetues në Kosovë

Politika

Cenohet rendi kushtetues në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 shkurt 2018 Në ora: 18:12
Ramush Haradinaj

Dhënia e 200 mijë eurove familjarëve të burgosurve të grupit të Kumanovës, emërimi i ekipit të ri rreth bisedimeve me Serbinë, vendimet për emërimet e zëvendësministrave, rritja e pagave, dhe  falja e borxheve, janë disa nga vendimet, të cilat kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, i mori “ad hok”.

Ndonëse, në çdo institucion shtetëror dhe  çdo zyrtar publik është i obliguar që të ketë parasysh dhe ta respektojë Kushtetutën e vendit, megjithatë për kryeministrin Ramush Haradinaj kjo mbetet një kompetencë e pakufizuar edhe pse dihet se për  të marr vendime Ad-hok, Kryeministri i vendit, duhet medoemos ti zbatojë ligjet dhe Kushtetutën.

Me këto veprime, nga 100 ditshi i tij, Haradinaj na bëri me dije se ai di të vendosë me kokën e tij, pa iu bë fare vonë për shkelje të kushtetutës.

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë për “ Bota sot” se Qeveria Haradinaj vendimet po i merr më shumë në stilin e odave ku kryeplaku është Ramushi e djemtë ministrat.

“Pa ndonjë analizë e pa studim të pasojave, duke bërë më shumë dëme sesa dobi për shtetin  dhe veç pasi merren shihen se sa të pakuptimta janë ato vendime. Por duhet ditur se shteti dhe oda  e burrave nuk e kanë të njëjtën logjikë ashtu edhe siç nuk shkojnë bashkë ligji e kanuni”, është shprehur deputeti Avdyli.

Millaku: Pushteti nuk nënkupton kapjen e çdo institucioni

Deputetja e VV-së Drita Millaku ka thënë se jo vetëm kjo qeveri por të gjitha qeveritë para kësaj kanë pasur shkelje kushtetuese.

Image
Drita Millaku

 “Dikur edhe Isa Mustafa me një nënshkrim për formimin e asociacionit e ka shkelur kushtetutën 23 herë dhe nuk ka dhënë përgjegjësi. Përveç asaj, Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni kanë nënshkruar për demarkacionin pa u konsultuar me parlamentin edhe pse ka qenë e miratuar një rezolutë që mos të nënshkruhet para se të diskutohet në parlament. Pra, është anashkaluar organi më i lartë legjislativ Isa Mustafa e Ramush Haradinaj si kryeministra që i falin borxhe kompanive sikur me pas qenë borxhe private e jo borxhe ndaj shtetit. Ramushi, po ashtu tashmë i rriti pagat  e qeveritareve sipas dëshirës pa bazë ligjore dhe kundërligjshëm. Është shumë e dëmshme kur partitë politike në momentin që marrin qeverisjen mundohen që të bëjnë kapjen e çdo institucionit”, ka thënë Millaku.

Ajo po ashtu ka theksuar edhe rastin e fundit që ndodhi në IPK ku tregon më së miri këtë ku thuajse nuk ka parti që nuk ka futur njerëzit e vet në atë institucion.

 “ Isha prezent në komisionin për siguri, që në rend të ditës ishte edhe afera në IPK  edhe pse ne si LVV kërkuam që të bëhet një grup punues, por partitë tjera e kundërshtuan këtë për shkak se të gjithë kishin hise në një rrëmujë që është bërë aty dhe secila dëshironin që ti mbronin njerëzit e vet. Të gjitha subjektet nuk ishin të gatshme dhe nga aty e kuptova se të gjitha ishin të përfshira në këtë rrjet kriminal të gjitha subjektet. Aty është një rrjet kriminal më shumë se sa që është paraqitur në media kjo është arsyeja që nuk lejohet të bëhet grupi punues për këtë rast. Ky është vetëm një rast ndër 1000 të tjera, që tregon se sa të brishta janë institucionet tona. E keqja e jonë është se në momentin që merret udhëheqja e qeverisë, mendojnë se shteti është pronë e tyre, derisa të hiqet ky mentalitet Kosova nuk do të ketë suksese në asnjë aspekt”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Fadil Lepaja

Lepaja: Haradinaj të jetë i kujdesshëm

Analisti politik Fadil Lepaja, ka thënë se jo vetëm në Qeveri, por në çdo institucion dhe çdo zyrtar publik është i obliguar të ketë parasysh kushtetutën e vendit, sepse çdo vendim  me një angazhim qytetar mund të rrëzohet në kushtetuese.

 “Sido që të jetë, të gjitha këto, përfshi edhe kushtetutën, janë të ndryshueshme, duke respektuar procedurat e parapara dhe derisa të mos ndodhë kjo, ato janë të obligueshme të respektohen. Haradinaj, padyshim po tregohet shumë energjik, dhe po synon me lëvizë procese të cilat ka kohë që kanë zënë pluhur nëpër sirtarë të institucioneve tona”, ka thënë Lepaja.

Ai ka thënë se Haradinaj, duhet të ketë kujdes që rrugës mos të bie ndesh me ligjet dhe të mos e humb fuqinë politike për vendimmarrje, sepse lind pyetja se çfarë mund të ndodhë nëse nuk është i kujdesshëm, aq më tepër kur dihet se ka pak deputet me shumë se opozita.

 “Mendoj se ditët dhe javët në vijim do të jenë shumë të rëndësishme për karrierën politike të z. Haradinaj pasi  shpejtë do të shihen kapacitetet reale të kësaj qeverie të menaxhuar me turbulencat që priten, qoftë si rezultat i presionit nga jashtë, qoftë si pakënaqësi të brendshme, me vendimmarrjen e tij.

Image
Faton Mehmeti

 “Ushtarak i pa disiplinuar”

Analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se kjo Qeveri nuk përfill ligjet dhe kushtetutën e vendit, andaj merr vendime ditore.

Sipas tij, këto vendime Ad-hok janë të paligjshme dhe krejtësisht në interes të personave të afërt me kryeministrin.

 “Ramushi një ushtarak i pa disiplinuar nuk mundet kurrë të jetë një politikan korrekt që zbaton ligjet e këtij vendi. Prandaj veprimet e tija janë antiligjore dhe të rrezikshme për vendin. Derisa Ramushi të jetë kryeministër vendi nuk mund të njoh ligjin, zbatimin e saj dhe rregullat tjera shtetërore. Me këtë rast edhe Kosova po zhytet në shtet anarkiste. Andaj anarkia mendoj se do ta shkatërronte edhe atë pak që është arritur, duke shuar shpresat se një ditë në këtë vend drejtësia do të jetë mbi palët”,  ka thënë analisti politik Mehmeti.

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë se kompetencat janë te qarta dhe të rregulluar me kushtetutë sikurse edhe ndarja e pushteteve.

Ai vlerëson se kjo qeveri tashmë ka nxjerr disa vendime t kundërligjshme, antikushtetuese dhe anti-ligjore.

 “Fillimisht mendoj se gjëja e parë është se Qeveria nuk ka të drejt të fal borxhe por Kuvendi i Kosovës me ligj të caktuar apo me kërkesë të qarte ligjore që ti epet Qeverisë, dhe e  dyta Qeveria nuk mund të ndërroj pronar pronash, siç është rasti i Pallatit të Rinisë ku procedurat e falimentimit nuk kanë të drejt ti transferojë pronën dhe pronarin”, është shprehur njohësi i çështjeve politike dhe juridike  Burjani.

Image
Arbër Gashi

Cenohet kushtetuta

Kurse, njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi ka thënë se pushteti i ushtruar si vendimmarrje përbëhet nga veprime të ndërgjegjshme dhe kjo ndodhë sidomos tek ato shoqëri ku ndërgjegjësimi është bërë tashmë, atribut i një kulture të komunikimit të hapur.

"Nëse e analizojmë "vendimmarrjen" e qeveritarëve tanë, vijmë në përfundim se politika te ne nuk perceptohet si çështje publike, si interes i përgjithshëm dhe si mundësi e aftësi për të ushtruar vendimmarrjen e ndërgjegjshme. Përkundrazi, te ne, vendimmarrja dhe pasoja që buron prej saj janë bërë të padurueshme. Ne vërtetë kemi qeveri, dhe atë megalomane, por nuk kemi qeverisje, në kuptimin shkencor të kësaj fjale”, ka thënë Gashi.

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa opinionsti Nexhat Haziri ka thënë se çdo vendim i secilit institucion shtetëror të dy niveleve të pushtetit, qendror e lokal duhet të mbështeten në ligje dhe në kushtetutën e vendit përndryshe është anarki.

 “Kemi pasur raste kur kryeministri Haradinaj merr vendime kokë në vete antiligjore dhe antikushtetuese siç janë vendimi për falje borxhesh për ndërmarrje biznesore, vendimi për ndarje parash për familjarët e dënuar nga Gjykata Maqedone për rastin ‘Kumanova’, vendimi për rritjen e pagës së tij dhe kabinetit qeveritar, vendime këto që janë dhe duhet të jenë lëndë për trajtim në Gjykatën kushtetuese. Pra një praktikë e tillë e vendimmarrjes duhet të ndërpritet pasi cenon rendin kushtetues te vendit”, ka thënë opinionisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat