Kriza në Qeveri, Nisma drejt largimit nga koalicioni?

Politika

Kriza në Qeveri, Nisma drejt largimit nga koalicioni?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 12 shkurt 2018 Në ora: 07:48
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli kishte organizuar një darkë jo formale ku kishte mbledhur udhëheqësin e vendit, si Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Hardinaj, kryetarin e Kuvendit, Kadri  Veselin si dhe Ministrat e kësaj Qeverie. Por, në këtë darkë ka munguar zëvendëskryeministri i Fatmir Limaj dhe disa ministra nga partia e tij.

Ndërsa në njërën nga intervistat e tij, Limaj ishte shprehur kundër kësaj darke.

Por a është kjo një shenjë që brenda koalicionit ka përçarje dhe mund të ketë braktisje të koalicionit nga Nisma socialdemokrate? Një gjë e tillë është mohuar nga kjo parti.

Flet Isa Xhemajlaj

Anëtari i Nisma Socialdemokrate dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Isa Xhemajlaj ka thënë se kur bëhet punët jo mirë i kritikojmë pavarësisht a janë në opozitë apo në pozitë.

Image
Isa Xhemajlaj

“Nisma Socialdemokrate funksionon mbi bazën e parimeve, kur bëhen punë mira i përshëndesim dhe i inkurajojmë dhe po ashtu kur bëhet punët jo mirë i kritikojmë pavarësisht a jemi në opozitë apo në pozitë. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe ti kryejmë detyrat tona me përgjegjësi me partnerët e koalicionit duke marrë përgjegjësinë për aq sa është fuqia jonë politike”, ka deklaruar Xhemajlaj për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se nuk ka ndonjë arsyeje për të braktisur koalicionin.

“Duke punuar vetëm për interesin e shtetit. Duke ju qëndruar besnik parimeve që kishim edhe sa ishim në opozitë dhe nuk kemi ndërmend me ndryshuar pavarësisht se tani jemi në qeverisje. Tani nuk e kemi ndonjë arsye që ta braktisim koalicionin dhe  ministritë ku qeveris Nisma Socialdemokrate deri tani janë treguar të suksesshme dhe rezultatet janë të dukshme”, ka përfunduar Xhemajlaj për “Bota sot”.

Limaj kundër treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli

Ndërsa, lidhur më këtë çështje, analisti Enver Bytyçi ka thënë se Limaj është deklaruar qartë kundër iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe kundër treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli.

Image
Enver Bytyçi

“Fatmir Limaj ka dëshmuar që në fillim të procesit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale se është kundër atij procesi.  Ai është deklaruar I pari dhe qartë kundër treshes Thaçi, Haradinaj, Veseli për këtë rast. Megjithatë u pa se treshja iniciatore nuk kishte strategji shfuqizimin, por presionin ndaj ndërkombëtarëve, me qëllim që të vitalizonin fuqinë e pushtetit në Kosovë. Megjithatë moralisht Limaj mbetet së paku në këtë rast shumë më lart se partnerët e tij në qeverisje. Loja politike që Thaçi e Veseli, të mbështetur nga Haradinaj zhvilluan me këtë rast vetëm sa e thellon hendekun dhe ndarjen midis Limajt dhe koalicionit qeveritar. Por ky koalicion llogarit me 10 deputetët anti Albin të Vetëvendosjes, të cilët ka gjasa të mbështesin qeverinë Haradinaj. Cili është pazari, të shohim çfarë do na sjellin javët në vijim, por diçka është e qartë: Në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, qeverisja është pazar, jo institucion! Për pasojë mungon legjitimiteti moral e politik dhe krijohen premisa që një biznesmen të tallet me gjithë qeverinë”, ka deklaruar Bytyçi.

Po ashtu, ai ka shtuar se nëse gjërat vazhdojnë kësisoj, ka shumë pikëpyetje për këtë qeveri dhe se Nisma mund të braktisë Qeverinë, pasi kriza e kësaj qeverie është e paevitueshme.

“Pacolli i mblodhi në vilën e tij të gjithë elitën e qeverisjes në Kosovë. E vuri në rresht Thaçin, Veselin, Haradinajn, gjithë ministrat, përveç Fatmir Limajt dhe ministrave të tij në qeveri! Kjo ndodhi vetëm dy ditë pasi Pacolli erdhi në Tiranë, takoi ambasadorin e Rusisë në kryeqytetin e Shqipërisë dhe e ftoi atë për një vizitë ndoshta dy ditore në vilën e tij luksoze, me arsyetimin se aty e pret një ruse, e cila është njëkohësisht gruaja e zotit Pacolli! Por Hajvalia u përdor dhe përdoret për pazare, jo për shtet. Për këtë arsye Limaj ka fituar pikë që nuk ishte në atë vend të gabuar, madje dhe në kohën e gabuar”.

“Nëse gjërat vazhdojnë kësisoj ka shumë pikëpyetje për këtë qeveri. Së pari, Nisma mundet ta braktisë atë. Ndoshta Nismën e zëvendëson pjesa rebele e VV, por në rastin e parë që qeveria do të iniciojë ndonjë vendim që nuk u shkon serbëve, atëherë koalicionin do ta braktisë Lista Srpska. Kriza e qeverisë është e paevitueshme.. Por ka mundësi që vetë PDK-ja ta iniciojë krizën politike. Të gjitha opsionet janë të hapura dhe nga të gjitha anët I vijnë kësaj qeverie kërcënime për ekzistencën e saj. Prandaj Kosova nuk do të jetë e qetë derisa të zgjedhë një qeverisje të qëndrueshme e të përgjegjshme, institucionale dhe të aftë të ndërtojë shtetin e së drejtës!”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Qeveri e interesave

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti tjetër Nexhat Haziri ka shtuar se këto deklarata që thellojnë divergjencat që kanë në mes veti partnerët e koalicionit qeverisës në mes tyre.

“Por kur flasim për Nisma Socialdemokrate, si partner i qeverisë, kritikat që kjo ia adreson partnerit më të madh qeveritar PDK-së dhe mosmarrëveshjet ndërmjet tyre, kanë një burim edhe nga e kaluara, sidomos nga raportet e Limaj në të kaluarën më dy liderët e PDK-se, Thaçi dhe Veseli”, ka thënë ai.

Për më tepër, ai ka thënë se këto mosmarrëveshje dhe mos pajtime për çështjet  me rëndësi për vendin tregojnë se kjo qeveri është krijuar për interesa personal dhe grupor.

“ Gjithsesi që këto mosmarrëveshje në mes partnerëve të koalicionit dhe mosdakordancë për disa nga çështjet me rëndësi për vendin, janë tregues i brishtësisë që ka kjo qeveri, e cila çdo ditë e më shumë po na bindë se është qeveri që është krijuar në bazë të interesave personal dhe grupore, pa ndonjë koncept të qartë qeverisës, pa një gatishmëri dhe dije për tu përballë me sfidat që i ka Kosova dhe nevojave të qytetarëve tanë dhe si e tillë është në të mirë të vendit, që kjo qeveri me këtë mentalitet banditësh të shkoj sa më parë”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Thaçi kontrollon Haradinajn

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti Leon Duhanaj, ka thënë se Thaçi ka arritur që të ndërhyjë në mes të Haradinajt dhe të Limajt, dhe në këtë mënyrë po arrin që të kontrollojë kryeministrin.

“Qeverisja e Haradinaj, me apo pa vullnetin e plotë të tij, ka rënë nën ndikimin e Presidentit Thaçi. Këtë e ka manifestuar tashmë në disa lëvizje e taktizime. Si psh: loja me shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Besoj, në këtë vazhdë, mund të kanalizohet edhe darka tek  Pacolli, i cili për mendimin tim, është plotësisht në një linjë politike me Thaçin. Këtu qëndron edhe arsyeja e mospjesëmarrjes së Limajt. Për mendimin tim, Thaçi, ka arritur të futet mes Limaj  e  Haradinaj. Me këtë mënyrë, e kontrollon qeverisjen Haradinaj, çka, nuk i konvenon Limajt, pasi që dihet që  këta të dy, nuk kanë ndonjë raport pozitiv”, ka potencuar ai për “Bota sot” .

Për më shumë, ai ka theksuar se mund të ketë rënie të Qeverisë  nëse do t`i rrezikohet interesi strategjik ndonjë partie.

“Si përmbledhje e kësaj, nuk besoj që në asnjë nga këto manovra,  të ketë luftë parimesh apo idesh përparimtare. Janë më shumë inate dhe luftë për ndikim e pushtet në të ardhmen. Qeverisja mund të bije, vetëm atëherë kurë ndonjërit nga të tillët t'i rrezikohet interesi strategjik partiak”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat