Thaçi “braktiset” nga partnerët për skenarin e tij të ri

Politika

Thaçi “braktiset” nga partnerët për skenarin e tij të ri

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 shkurt 2018 Në ora: 11:31
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ideja e presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë, nuk do të ketë përkrahjen e partive politike në pushtet.

Burime ndërkombëtare kanë treguar për mediet vendore se presidenti Thaçi, bashkë me Edi Ramën, Ali Ahmetin, Serbinë dhe Greqinë, po përgatisin një skenar për ndryshim kufijsh në Ballkan. Sipas burimeve, këtë ide Thaçi e ka prezantuar edhe në SHBA, në takimet që zhvilluan me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA-së. Mirëpo, kjo ide thuhet se nuk ka gjetur përkrahjen amerikane.

Kundër idesë për ndarjen e Kosovës, ka dalë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas së cilës, Kosova nuk ka territore për t’i dhënë Serbisë.

Kosova do të humbte shumë

Anëtari i kësaj partie dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se çështja e ndërrimit të territoreve është ide e kamotshme e Serbisë.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai ta treguar se për cilat pjesë po bëhet fjalë këtu.

“Çështja e ndërrimit të territoreve me Serbinë, është një ide e kamotshme. Në këtë anë, nuk ka ndonjë rrezikshmëri, sepse kjo varet kryesisht nga marrëveshja që bëhet. Por, në këtë drejtim, nuk duhet kurrsesi të jepen territore që janë luajtur brenda Kosovës nga Serbia. Këtu është fjala për Mitrovicën e Veriut, pjesë të mëdha të Zveqanit dhe vet liqenin”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të futet në këtë çështje, sepse siç ka thënë ai, humbet shumë, derisa ka theksuar se i rëndësishëm për ndërrime të tilla, është edhe qëndrimi i SHBA-ve.

“Këto të mira të natyrës nuk ndërrohen me asnjë çmim, sepse Kosova humb shumë. Pran, në ndërrim të territorit, pa një koncenzus të gjerë të shqiptarëve, madje edhe të Shqipërisë, nuk duhet kurrsesi të futet Kosova në këtë çështje. Po aq i rëndësishëm është edhe qëndrimi i SHBA-ve në ndërrime të tilla. Është çështje e madhe dhe duhet analizuar mirë”, ka shtuar Muhamet Kelmendi.

Ide e rrezikshme

Edhe tek Nisma Socialdemokrate kanë thënë se nuk do të përkrahin këtë ide, të cilën e kanë quajtur të rrezikshme.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e Nismës Socialdemokrate Isa Xhemajlaj, ka pohuar se Kosova me këtë marrëveshje, vetëm sa do të humbte prapë territor.

Image
Isa Xhemajlaj

“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Sepse, Kosova rrezikon shumë dhe vetëm sa do të humb prapë territor. Serbia nuk po zbaton as disa marrëveshje që janë arritur në Bruksel e që nuk kanë ndonjë ndikim të madh atje, e lëre më të zbatojë marrëveshje që zvogëlon territor të saj. Kushdo që hynë në këtë lojë, duhet ta dijë se humbësit jemi ne”, ka pohuar Xhemajlaj.

Ai ka shtuar për “Bota sot”, se Kosova nuk mund të detyrojë askënd që t’iu përmbahet marrëveshjeve, disa nga të cilat janë të dëmshme për vendin.

“Në këtë kohë, kjo është aventurë tepër e rrezikshme dhe e pa menduar thellë, sepse nuk jemi në kondita që mund ta detyrojmë dikë që t’i përmbahet marrëveshjeve përveç se jemi detyruar që njëanshëm t’u përmbahemi marrëveshjeve, edhe pse disa nga to kanë qenë të dëmshme për vendin”, ka pohuar Isa Xhemajlaj.

Shala: “Aventura” e shkëmbimit të territorit, nuk është në favor të shtetit të Kosovës

Se një ndryshim kufijsh i Kosovës nuk duhet të ndodhë, e kanë thënë edhe analistët politikë dhe ekspertët e sigurisë.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se SHBA dhe BE-ja, nuk dëshirojnë një gjë të tillë.  Ai ka theksuar, se “aventura” e shkëmbimit të territorit, nuk është në favor të shtetit të Kosovës.

Image
Drizan Shala

“Sa i përket idesë apo një informationi ende të pa konfirmuar nga ana e ndonjë instutucioni relevant, që gjëja në takimet që janë zhvilluar në SHBA nga ana e krerëve të shtetit të Kosovës, është propozuar kjo që në Ballkan të këtë ndryshim kufijsh. Le të parashtrojmë dy hipoteza që kjo "mund" të ndodhë çka do të ndodhë: 1. Investimeve bilionëshe nga miqtë ndërkombëtar për të çliruar dhe krijuar shtetin e ri në botë? Unë mendoj që nga kjo pyetje del që as Amerika as ndonjë shtet brenda BE-së e dëshirojnë një gjë të tillë në këtë kohë, ku politika globale tani për tani nuk është në favorin tonë që të krijojmë ndonjë aventurë të shkëmbimit të territoreve me shtetet fqinje”, është shprehur eksperti I sigurisë.

Ai ka treguar, se këto ndryshime i konvenojnë më së shumti shtetit rus, e cila  sipas tij, dëshiron forcimin e pozitës së saj në Ballkan.

Sipas Shalës, në rast këmbimi territoresh, Kosova do t’i humbte katër komuna veriore.

“Interes i kujt është që tani të ndodhin këto zhvillime. Për momentin ky "propozim" i përshtatet vetëm Rusisë, e cila është aktivizuar në shtetet si Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje, Shqipëri, Bullgarisë, Kosovë ( tentativë), që nëse do të ndodhë ky proces i quajtur "Roletë Ruse", që interesat nga ato të ndryshime t’i përshtaten vetëm Rusisë, e cila dëshiron që nga kaosi në botë ta forcojë pozitën e saj në Ballkan dhe që në zhvillimet e mëtutjeshme në rajon, të ketë fuqinë e saj vendimmarrëse. Dhe Kosova në rast të tillë, do të humbte territor të saj (katër komuna veriore )”, është shprehur Drizan Shala.

Kurse,  eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka dhënë disa arsye, se përse ideja e për shkëmbim territoresh është e papranueshme për të dyja palët. 

Image
Fadil Kajtazi

“Kjo është e papranueshme për Serbinë, Rusinë dhe Greqinë, nga se ngushtohet hapësira territoriale e komunikimit të Serbisë me Maqedoninë dhe Greqinë”, ka theksuar për gazetën “Bota sot”, Fadil Kajtazi.

Ai ka thënë se serbët dhe grekët nuk do të lejojnë izolim të tërësishëm me detar jugor, pa autostradën që kalon në Luginën e Preshevës.

Kajtazi ka shtuar se çdo këmbim tjetër i territorit me Serbinë, defunksionalizon vendin tonë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht shtetin e Kosovës.

“Siç dihet nëpër Luginën e Preshevës kalon autostrada dhe hekurudha që lidhë Serbinë me vendet e lindjes dhe me portet greke, ata nuk do të lejojnë izolim të tërësishëm me detrat jugorë. Gjithashtu në planin gjeopolitik, kjo ngushticë ka avantazhet strategjike për Serbinë dhe politikat ekspansioniste ruse në drejtim të vendeve të Ballkanit. Humbja e kësaj ngushtice, do të humbte funksionalitetin e bazës ruse në Nish. Çdo këmbim tjetër i territorit me Serbinë, Kosovën e defaktorizon dhe e defuksionalizon politikisht, ekonomisht dhe ushtarakisht”, ka përfunduar për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

Krasniqi: Nuk ka shkëmbim paqësor territoresh, ka vetëm skenar sirian

Image
Milazim Krasniqi

Profesori universitar dhe publicisti Milazim Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar ashpër ndaj idesë për shkëmbim territoresh.

Sipas tij, nuk ka shkëmbim paqësor territoresh, ka vetëm skenar sirian, me Rusinë si arbitër kryesor.

“Çfarëdo iniciative për shkëmbin territoresh me Serbinë është akt tradhtie ndaj shtetit të Kosovës. Ja pse! 1. Iniciativa e tillë e bllokon përfundimisht njohjen e Kosovës si shtet nga OKB, BE, OSBE dhe NATO-ja, sepse nuk kanë pse ta njohin një shtet që ka dalë në pazar. Më e pritshme do të ishte tërheqja edhe e njohjeve të deritashme. 2. Iniciativa e tillë minon tërësisht integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Përderisa ata në veri do të fitonin atë që duan, bashkimin me Serbinë, serbët në brendësi, do të rebeloheshin dhe do të krijonin milicitë e veta, si në Siri. KFOR-i do të mund të tërhiqej, për të mos u përfshirë në një konflikt të brendshëm. 3. Edhe shqiptarët e pakënaqur do të rebeloheshin dhe do të krijonin milicitë e veta. Nuk duhet të harrohet se Kosova është një shtet që nuk ka fare ushtri. 4. Rusia do të shfaqej pashmangshëm si aktor në krizën e tillë, siç u shfaq në Siri. Me shkembim territoresh, Rusia zbret në Urën e Ibrit. E pra, nuk është zor të parashihet se çfarë shteti të Kosovës mund të kesh, me Rusinë në Urën e Ibrit! 5. BE do të lante duart si Pontie Pilati, e kënaqur që “zgjidhjen përfundimtare” me shqiptarët myslimanë do ta bënte Rusia. Kjo ka qenë në ëndërr e vjetër e saj, prej të cilës nuk ka hequr dorë kurrë plotësisht. Ëndrrën ia prishi SHBA në vitin 1999. 6. SHBA e Trampit i ka duart të lidhura, me dyshimet ndaj presidentit për lidhje me Rusinë. Ndërsa, nëse ato lidhje dalin të vërteta, atëherë situata jonë do të ishte edhe më e tmerrshme, sepse në atë rast Kosova do të mund të bëhej pjesë e pazareve gjeopolitike. Po edhe pa këto dyshime, duhet ta dijë secili që Rusia me Putinin e vitit 2018 nuk është si Rusia me Jelcinin në vitin 1999 dhe as SHBA me Trampin nuk është si SHBA me Klintonin në vitin 1999. Kjo do të thotë se sponsori i çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës ka probleme serioze, për ç’arsye asnjë aventirë nuk lejohet. 7. Edi Rama është manipulant i tmerrshëm dhe i gatshëm që të ndihmojë Vuçiqin, qoftë dhe në dëm të Kosovës, siç ka bërë disa herë deri sot. Pra, nuk mund të llogaritet aspak ndihma e Shqipërisë së Edi Ramës për asgjë. Prandaj, mesazhi është: mos luani me zjarrr, mos luani me fatin tonë, mos e shkatërroni ëndrrën tonë që ta kemi shtetin tonë! Nëse e bëni, gjendja do t’u dalë jashtë kontrollit dhe do të zbatohet skenari sirian, me Rusinë në rolin e arbitrit kryesor, bash siç po ndodhë në Siri. Veç mos thoni se nuk e keni ditur!”, ka përfunduar profesori Milazim Krasniqi.

Në Zyrën e Presidentit Thaçi, nuk e kanë pohuar e as mohuar këtë lajm, por kanë sugjeruar publikimin e informacioneve të tilla. “Në rast se keni informacione të tilla, është mire ti bëni publike për hir të interesit të përgjithshëm shtetëror dhe qytetar”, ka thënë për media shefi i stafiit të Presidencës, Bekim Çollaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat