“Kërkesa e SBASHK-ut për grevë, e arsyeshme”

Politika

“Kërkesa e SBASHK-ut për grevë, e arsyeshme”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 shkurt 2018 Në ora: 16:21
Jusuf Azemi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës – SBASHK, në një mbledhje të jashtëzakonshme  ditë më parë kishte diskutuar për moszbatimin e marrëveshjes se mirëkuptimit, që më 5 qershor 2017 e kishte nënshkruar me koalicionin PDK-AAK-NISMA.

Ky koalicion që tash është në qeverisje, sipas marrëveshjes ishte caktuar që brenda vitit 2017 të procedohet në Kuvend projektligji i hartuar nga MASHT lidhur me statusin e punëtoreve të arsimit për vitet e 90-ta.

Tutje, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kishte njoftuar se do t’i shtyjë kërkesat  e anëtarësisë me veprime sindikale dhe në të njëjtën koha duke “kërcënuar” qeverinë edhe  me grevë në arsim.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, në një prononcim për “Bota sot” konsideron se kërkesat SBASHK-ut për grevë janë të arsyeshme, pasi që, sipas tij, ata disponojnë edhe dokumente zyrtare në të cilin nënshkrues janë edhe koalicioni PAN.

“Një paralajmërim i bërë që një kohë të gjatë. Kërkesat e tyre për grevë janë të arsyeshme, sepse ata disponojnë edhe dokumente zyrtare në të cilin nënshkrues janë SBASHK-u dhe grupacioni PAN”, u shpreh Azemi.

Ai thotë se për grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u, bëjnë pjesë edhe punëtorët e sektorit privat, të cilët do të jenë në grevë me kërkesën e tyre.

“Për këtë rritje që SBASHK-u kërkojnë, në këtë bëjnë pjesë edhe punëtorët teknik dhe ata të sigurimit të sektorit privat që janë në shërbim të shkollave, të cilët do të jenë në grevë me kërkesën e tyre që të nënshkruhet nga qeveria paga minimale e propozuar nga Këshilli Ekonomiko Social”, ka përfunduar Jusuf Azemi për “Bota sot”.

Kujtojmë se nënshkrues të kësaj marrëveshjeje kanë qenë edhe Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat