“Kosova nuk ka nevojë për argatin e Edi Ramës me u nda, as me u bashku, është projekt amerikan”

Politika

“Kosova nuk ka nevojë për argatin e Edi Ramës me u nda, as me u bashku, është projekt amerikan”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 shkurt 2018 Në ora: 22:27
Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Së fundmi pati raportime për idenë e ndarjes së territorit të Kosovës. Madje sot, Ish kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kreut të qeverisë Edi Rama të mos e vijojë më tej idenë e tij dhe të homologut serb, Aleksander Vucic për ndarjen e Kosovës. Duke cituar burime diplomatike, Berisha tha se Rama kërkon të mbulojë shitjen e detit Greqisë me bisedimet për aneksimin e Mitrovicës së Veriut nga Serbia.

Lidhur me raportime për ndarje apo këmbim të territorit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, derisa u pyet nga gazetarët lidhur me këtë, tha se debatet e tilla janë të kota.

“Kosova ka integritetin e vet territorial të paprekshëm, është unik i njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht. Janë shqetësuese debatet në prag të dhjetorit të pavarësisë,  për gjëra të kota te tejkaluara, për mua të vdekura. Sepse Ka pasur më herët ide për ndarje, për shkëmbime madje ka pasur dhe prej liderëve të Kosovës të deklaruara publikisht për shkëmbim. Mirëpo unë gjithmonë kam qenë i qartë. Respektimi i integritetit territorial është krucial për të ardhmen e Kosovës. Ide të tilla nuk i sjellin të mirë as vendit, as paqes e stabilitetit në rajon. Idetë e tilla nuk janë të institucioneve të Kosovës. Edhe lakimi i emrit tim në këtë problematikë nuk është i rastësishëm. Unë i kuptoj sponsorizuarit e kësaj ideje”, ka thënë Thaçi.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me gjithë këtë, analisti politik Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mund të ketë ndarje të Kosovë, lufte e paqe por jo me anë të Edi Ramës.

“Ndarje të Kosovës, shkëmbim territoresh mund të ketë, gjithçka mund të ketë, lufte mund të ketë, paqe mund të ketë, por kurrë jo me anë të Edi Ramës, kurrë jo me dorën e mendjen e përkrahjen e Edi Ramës. Kosova ka udhëheqësit e vet, ka partitë e veta, dhe nuk ka nevojë për argatin e Edi Ramës”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Kosova ka zot dhe nuk ka qenë për argatin e Edi Ramës. “Kosova nuk ka nevojë për argatin e Edi Ramës as me u nda, as me u bashku dhe nuk ka nevojë që për Kosovën të dërdëllisë Edi Rama me udhëheqësit e Serbisë. Kosova ka zot, Kosova nuk është e shkretë. Kosova kjo që është, është projekt amerikan. Gjithkush që qet petulla me ujë, bën gabim që nuk pyet në Amerikë”, ka deklaruar për “Bota sot” Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat