Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon detajet e projektit për ndarjen e Kosovës: Duhej të largohej Rugova e të sillej Thaçi...

Politika

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon detajet e projektit për ndarjen e Kosovës: Duhej të largohej Rugova e të sillej Thaçi...

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 shkurt 2018 Në ora: 14:56
Foto ilustrim "Bota sot"

Ditë më parë media ruse shkroi se po përgatitet skenari për ndarjen e apo shkëmbimin e territorit të Kosovës.

E sipas raportimeve dhe burimeve që ka publikuar dje ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në dijeni për këtë është edhe kryeministrit Edi Rama.

Madje, Berisha i ka bërë thirrje kreut të qeverisë Edi Rama të mos e vijojë më tej idenë e tij dhe të homologut serb, Aleksander Vucic për ndarjen e Kosovës. Duke cituar burime diplomatike, Berisha tha se Rama kërkon të mbulojë shitjen e detit Greqisë me bisedimet për aneksimin e Mitrovicës së Veriut nga Serbia.

Ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se debate të tilla janë të kota dhe se Kosova ka integritetin e vet territorial të paprekshëm, është unik i njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht, derisa shtoi se deklarata të tilla janë shqetësuese në prag të përvjetorit të 10 të pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, për gjithë këto raportime, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Enver Bytyçi, i cili thotë se projekti për ndarjen e Kosovës janë qysh prej kohës, derisa tregon detaje për planet që janë bërë.

Image
Enver Bytyçi

“Planet për ndarjen e Kosovës janë të hershme, madje të para kohës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Por pas këtyre bombardimeve ishte kryeministri serb Zoran Xhinxhiç, ai që hartoi projektin e parë të ndarjes së Kosovës. Në vitin 2001-2002 Xhinxhiç është konsultuar edhe me Ilir Metën për këtë projekt dhe të dy kanë rënë dakord që para zbatimit të projektit do të duhej të largohej Rugova nga drejtimi i shtetit të Kosovës e të sillej Thaçi si aktor kryesor për implementimin e ndarjes. Nuk e di nëse Meta ishte konsultuar më parë me Thaçin ose jo. Por Meta nuk bën punë të papjekura mirë, siç i bën Rama”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, Rama i dha fjalën Tadiçit e më pas Vuçiqit për t’i ndihmuar për ndarjen e Kosovës.

“Meqë u përmend Rama, ky i dha fjalën Tadiç-it në vitin 2013 se do të punojë me Prishtinën që ta bindin atë për të realizuar opsionin e ndarjes së Kosovës. Më pas, më 2014, kur vizitoi Beogradin, u mor vesh me Vuçiç për këtë opsion. Për të realizuar ndarjen e Kosovës Rama mendoi se do ta arrinte këtë përmes një marrëveshjeje të Tiranës me Beogradin, duke anashkaluar Prishtinën. Por në Prishtinë nuk u pajtuan me këtë sjellje arrogante të Ramës. Rama u tërhoq. Punoi shumë me Hashim Thaçin që të besojë se “Nuk mund të qëndrojmë gjithë jetën në armiqësi me Serbinë. Prandaj, i tha, do duhet një zgjidhje e thjeshtë dhe e qëndrueshme “Ndarja e Veriut të Kosovës dhe bashkëngjitja e tij territorit të Serbisë”! Gradualisht Thaçi, i lodhur me stanjacionin e Kosovës, i pezmatuar me dështimet në njohjet ndërkombëtare, i kërcënuar nga Gjykata Speciale, besoi në formulën e kryeministrit të Shqipërisë”, ka vazhduar më tej profesori për “Bota sot”.

Bytyçi thotë se shkrimet që janë bërë nga media serbe dhe ruse, duan ta paraqesin Edi Ramën si nacionalist apo të rrezikshëm, derisa shton se Rama nxiti dy linja në Kosovë sa i përket ndarjes.

“Tani jemi para një opsioni të hapur. E kërkoi ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Vulin. Por e kanë kërkuar në mënyra të ndryshme edhe Vuçiç dhe Daçiç. Presidenti i Serbisë është ende i bindur në suksesin që do t’ia dhurojë kryeministri i Shqipërisë në këtë aspekt. Ai ka urdhëruar median serbe dhe u ka kërkuar mediave dhe diplomacisë ruse që ta ndihmojnë Edi Ramën. Ata artikujt e njëpasnjëshëm në Moskë e në Beograd, janë një aranzhim përpjekjesh për ta paraqitur Edi Ramën si “nacionalist”, madje “të rrezikshëm”! Po pse Vuçiç nuk ia tha qoftë dhe njëherë të vetme një kritikë të tillë Edi Ramës! E ka frikë? Sigurisht që jo. Thjesht luan skenarin e përgatitur bashkërisht për të realizuar me çdo kusht objektivin serb të ndarjes së Kosovës. Nga ana tjetër, Rama nxiti dy linja në Kosovë për këtë qëllim. Rexhep Qosjen e nxiti të shkruajë disa herë për “shkëmbim territoresh” dhe Albin Kurtin që “të shpallë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, formulë e cila do ta ndihmonte Ramën që të vinte në tryezën e bisedimeve të linjës Tiranë-Beograd të problmit të Kosovës. Me këtë formulë do të bëhej edhe ndarja e territorit të Kosovës”, është shprehur ai.

Sa i përket deklaratës së Thaçit, ai mendon se presidentit i janë kundërvënë të gjithë pas shpine, për copëtim territoresh.

“Hashim Thaçi reagoi sot e tha se nuk pavarësinë e garanton kushtetuta. Po nuk tha se kushtetuta garanton integritetin territorial. Edhe nëse është i sinqertë në atë që deklaroi, Thaçi mund ta marrë kthesën se i janë kundërvënë të gjithë në këtë tentativë pas shpine për ta copëtuar territorin e Kosovës. Më së shumti i dogji deklarata e kryeministrit Haradinaj, i cili deklaroi se “Në e pastë bërë këtë Thaçi e Vuçiçi, bashkë me Ramën, se unë nuk di gjë”! Ishte një deklaratë e sinqertë e Haradinajt. Por Haradinaj do të ketë nuhat diçka para dy muajsh kur thoshte se unë “merrem e çështjet e brendshme të Kosovës, sa për ato jashtë është Hashimi”! Sepse territori i Kosovës do ndahej me ata jashtë”, vlerëson Bytyçi.

E për këtë ndarje ai thotë se mund të pajtohen edhe disa ndërkombëtare.

“Nga ana tjetër ka ndërkombëtarë që mendojnë se kjo zgjidhje mund të ishte e pranueshme. Jo se është zgjidhje e mirë, por se mendojnë se Beogradi e Serbia duhen marrë me të mirë, atyre u duhet bërë lëshime, mjafton të ankorohen në Bashkimin Evropian. Madje në këmbim të pranimit në NATO, këtë opsion mund ta pranonte edhe Uashingtoni”, ka deklaruar profesori.

Bytyçi vlerëson se ndarja e Kosovës do ta zhbënte pavarësinë e saj dhe thotë se nëse Rama dhe Thaçi janë shqiptarë, nuk u duhet ndarja e Kosovës dhe falja e territorit.

“Por ndarja e Kosovës do ta zhbënte pavarësinë e saj. Përveçse do të krijonte destabilitet. Shkurt do të vihej të opsioni i “Bashkimit të Kosovës së mbetur me Shqipërinë” me kosto humbjen e territoreve. Se kujt i duhet ky bashkim, përveç Serbisë, Rusisë e Greqisë e cila është bërë aktive në përpjekjet e saj për ndarjen e Kosovës unë nuk e di. Shqiptarëve jo. Dhe nëse janë shqiptarë Rama e Thaçi, normalisht që as këtyre dyve nuk u duhet ndarja e Kosovës dhe falja e territorit më të pasur të saj dhunuesve njëshekullorë të shqiptarëve, të cilët mburren me krimet që kanë bërë në Kosovë”, ka përfunduar për “Bota sot”, profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat