A mund të ndikojë largimi i prokurorit Schwendiman në punën e Speciales? Flet avokati

Politika

A mund të ndikojë largimi i prokurorit Schwendiman në punën e Speciales? Flet avokati

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shkurt 2018 Në ora: 22:05
David Schwendiman

Prokurori i Specializuar David Schwendiman do të largohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 31 mars 2018, pasi atij i mbaron emërimi.

Në deklaratën e tij Schwendiman ka bërë të ditur që nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-së ose nga ana e Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.

Ai po ashtu ka dhënë një mesazh të qartë në lidhje me hetimet të cilat ai kryeson.

“Asnjëri nga ata përgjegjës për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment që largimi im ka të bëjë fare me një mungesë zotimi ndaj hetimeve”, ka deklaruar Prokurori Schwendiman.

Pas përfundimit të detyrës, në vend të tij si Prokuror i Specializuar i Përkohshëm, do të emërohet Kwai Hong Ip.

Lidhur me mundësinë që përfundimi i mandatit të prokurorit David Schwendiman dhe emërimit të një prokurori të përkohshëm, të ndikojë në punën e Speciales dhe ngritjen e aktakuzave të para, për gazetën “Bota sot” ka folur avokati Adrian Gjoshi.

Image
Adrian Gjoshi

Sipas tij, largimi i këtij prokurori shkakton probleme dhe ato varen se nga kush do të zëvendësohet.

“Është e vërtetë se një largim i tillë i parakohshëm i një prokurori të specializuar i thirrur për të hetuar dhe përfaqësuar aktakuzat, shkakton probleme. Se a do të shkaktohen probleme vetëm në kuptim të vonesave apo edhe në kuptim të kualitetit të hetimeve, varet se kush do të zëvendësojë z. Schwendiman”, është shprehur Gjoshi.

Ai thotë se largimi i Schwendiman është lajm i keq për Specialen, pasi ishte që nga fillimi i përfshirë në këtë proces.

“Megjithatë, duhet thënë se largimi i z. Schwendiman është lajm i keq për Gjykatën Speciale; ai ishte njëri prej prokurorëve i cili ishte i angazhuar në këtë proces thuajse prej fillimit. Rrjedhimisht, duhet të ketë pasur njohuri të detajuara dhe gjithëpërfshirëse për raste të mundshme penale”, ka deklaruar avokati për “Bota sot”.

Gjoshi vlerëson lart punën e prokurorit, derisa tregon edhe procese të tjera të cilat ai kishte marrë pjesë.

“Schwendiman, përveç që kishte një CV të jashtëzakonshme në misione ndërkombëtare në pozita të ndryshme; ai kishte shërbyer edhe si prokuror ndërkombëtar në Departamentin Special për Krime Lufte në Zyrën e Prokurorit në Bosnje dhe Hercegovinë për të ndjekur dhe hetuar krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1992-1995 në ish-Jugosllavi. Për më tepër, z. Schwendiman, kishte zëvendësuar z. Williamson duke u emëruar Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale të BE-së (TFHS) në maj 2015. TFHS ka pasur mision të bëjë hetime paraprake pikërisht për veprat penale që do të trajtohen nga Gjykata Speciale”, është shprehur Adrian Gjoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat