Tentimi i dështuar i Thaçit që t’i marrë meritat e pavarësisë

Politika

Tentimi i dështuar i Thaçit që t’i marrë meritat e pavarësisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 shkurt 2018 Në ora: 12:18
Hashim Thaçi

Kosova po e përmbyll një dekadë të plotë që nga shpallja e pavarësisë së saj, dekadë kjo që le shumë për tu dëshiruar, pasi që prej datës 17 shkurt 2008, në sytë e secilit shtetas të Kosovës, u pa një shpresë për një të ardhme të civilizuar, por, këto shpresa u shuan nga menaxhimi jo i mirë i krerëve të pushtetin.

Me 17 shkurt 2008, Kosova finalizoi sakrificën e shumë dëshmorëve, të cilët i paraprijnë kësaj pavarësie, mirëpo atë ditë kur u shpall pavarësia, siç duket filloi mbrapshtë, pasi që Hashim Thaçi shkeli rregulloren e Kuvendit të Kosovës duke e lexuar vetë deklaratën e pavarësisë, e që atë gjë duhej ta bënte ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Analisti politik, Skënder Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se nuk është aspak e rëndësishme se kush e lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës, por e rëndësishme sipas Zogajt është të analizojmë dhe t’i shohim rezultatet e pavarësisë, të arriturat dhe ngecjet e kaluara në mënyrë që Kosova të ketë më shumë prosperitet në të ardhmen.

Image
Skender Zogaj

“Në çastet e veçanta historike, siç ishte akti i shpalljes se pavarësisë së Kosovës, nuk mendoj se ka shumë rëndësi kush i deklamon vendimet, por e rëndësishme është se çfarë vendimesh merren, pra është e rëndësishme përmbajtja e vendimeve dhe realizimi i tyre. Të këtillë e konsideroj edhe rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit, i cili e lexoi deklaratën e Pavarësisë para deputetëve të Parlamentit të Kosovës dhe, u kurorëzua ëndrra shekullore e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e tyre të merituar. Pra, unë mendoj se, 10 vjet pas aktit të shpalljes së pavarësisë, shumë pak është e rëndësishme të kujtojmë se kush e ka lexuar deklaratën, por duhet të angazhohemi që ta analizojmë dhe të shohim rezultatin e pavarësisë, të arriturat dhe ngecjet e 10 viteve të kaluara, sepse, objektivi i preokupimeve tona duhet të angazhohet për prosperitetin e vendit, zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, në mënyrë që, njëherë e përgjithmonë të sigurohet liria dhe pavarësia e shqiptarëve të Kosovës”,-theksoi ai.

Ai mendon se është një lloj dyshimi për çfarëdo qëllimi të kurdisur në atë kohë, pasi sipas Zogajt, leximi i deklaratës nga Thaçi nuk është bërë në mënyrë ilegale, por në prezencë të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

“Leximi i deklaratës nuk është bërë ilegalisht, por në prezencën e gjithë elitës politike dhe shtetërore të vendit, në prezencën e Presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu dhe të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, të cilët, siç mund të dëshmohet i kanë duartrokitur frenetikisht Hashim Thaçit, dhe, këtu bie çdo lloj dyshimi për çfarëdo qëllimi të kurdisur. Çfarë kush ka fshehur brenda vetvetes së tij, është punë e karaktereve dhe orekseve, që duke qenë se nuk i ka shprehur ndokush, çdo lloj diskutimi në këtë drejtim”-përfundoi Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat