Kosova feston 10 vjetorin me problemet e njëjta pa ndonjë progres

Politika

Kosova feston 10 vjetorin me problemet e njëjta pa ndonjë progres

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 17 shkurt 2018 Në ora: 17:51
Flamur i Kosoves

Sot, po festohet dhjetëvjetori i pavarësisë  së Kosovës. Mijëra qytetarë kanë dalë të festojnë e madje në mbrëmje pritet që të performojë këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora.

Por, ky 10 vjetor popullin e Kosovës po e gjenë në një pozitë jo fort të lakmueshme e që po përcjellet me probleme të vazhdueshme në sfera të ndryshme.

Në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’, sociologu Ardian Gola thekson se ka ende punë për t’u bërë e në veçanti në politikë.

Image
Ardian Gola

''Festimin e parë jubilar të datëlindjes së saj Kosova po e bënë në një gjendje, e cila është larg pritmërive tona. Por kjo s’do të thotë që Kosova nuk ka pas progres, por pritmëritë tona nuk kanë qenë realiste. Megjithëse, është e kuptueshme që në shumë fusha ka mundur të jetë më mirë, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Për këtë të fundit, në kuptim të investimit afatgjatë, fatkeqësisht nuk është bërë asgjë. Ekonomia në masë të madhe vazhdon me qenë e bazuar në import dhe tregti, ndërkohë që industria dhe bujqësia mbesin të papërkrahura dhe të pambrojtura sa duhet nga shteti. Patronazhi politik vazhdon të dominojë si mendësi në raport me institucionet shtetërore. Më problematikja për mua mbetet kultura politike. Partitë ende nuk e kanë arritur pjekurinë e duhur politike dhe nuk e kanë kultivuar as minimalisht kulturën e kompromisit. Ajo vazhdon të dominohet nga logjika e bajraktarizmit. Megjithatë, këto në masë të madhe ia atribuoj mungesës së traditës demokratike, kapacitetit historik dhe tranzicionit vleror, të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri. Adaptimi në kulturë demokratike jo vetëm që nuk është i lehtë, por edhe mund të jetë traumatik. Andaj, përpos mundit dhe angazhimit, kërkon kohë dhe durim'', përfundon Gola.

Tutje, Gola thekson se Kosova nuk ka treguar trajtim të duhur ndaj viktimave të mbijetuara të luftës e në veçanti tek ata persona që jetojnë të vetëm dhe pa mbështetjen e duhur nga institucionet.

''Një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme që mendoj se duhet të adresohet në kuadër të këtij rrugëtimi njëdekadësh të shtetit tonë, është trajtimi jo i duhur i viktimave të mbijetuara të luftës, me theks të veçantë, i atyre, të cilët jetojnë të vetmuar dhe pa mbështetjen e duhur institucionale. Ky shtet nuk duhet të bëjë gabimin që të ndërtohet mbi harresën e vuajtjeve dhe sakrificave, të cilat kanë çuar në çlirimin dhe pavarësimin e tij.Andaj, në vitet që vijnë, presim që lidershipi politik të jetë më i pjekur politikisht dhe më i përgjegjshëm moralisht", përfundon Gola për gazetën ''Bota Sot''.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat