Haradinaj “fajëson” MAP-in për emërimet politike

Politika

Haradinaj “fajëson” MAP-in për emërimet politike

Nga: Arben Sylejmani Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 15:47
Ramush Haradinaj

Qeveria Haradinaj ka dal me një qëndrim zyrtar sa i përket iniciativës për themelimin e një komisioni për të hetuar emërimet e shërbyesve të lartë në institucionet publik.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe Dardan Sejdiu, kanë dorëzuar në Kryesi të Kuvendit kërkesën për seancë plenare për formimin e një komisioni hetimor për të vlerësuar procesin e emërimi të zyrtarëve publik. Pos tyre, këtë kërkesë e kanë nënshkruar edhe 13 deputetë të tjerë.

Kërkesa e tyre për këtë komisioni vjen pas reagimit të Ambasadës së Britanisë së Madhe kundër emërimit të Burim Rrecajt në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, për të cilën ka dal kundër Ambasada e Britanisë së Madhe.

Burim Rrecaj, vjen nga partia NISMA për Kosovën. Në zgjedhjet lokale, ai ka garuar për këshilltar komunal në komunën e Prishtinës. Po ashtu, në krye të Ministrisë së Tregtisë qëndron Bajram Hasani nga i njëjti subjekt politik.

Por, në zyrtarët në kabinetin e Haradinajt thonë se për emërimin e zyrtarëve në postet e larta publike, përgjegjëse është Ministria e Administratës Publike.

“Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës në raste kur ka kërkesa për angazhimin e stafit civil, ministritë përkatëse bëjnë kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike që të hapin konkurs publik për pranimin e stafit në fjalë. MAP është përgjegjëse që të krijojë komisionin prej pesë anëtarëve, prej të cilëve dy kanë rol vëzhgues. Këta anëtarë janë të obliguar që të zgjedhin tre kandidatë më të mirë dhe është pikërisht ministri i ministrisë përkatëse i cili ka kërkuar angazhimin e stafit, ai që ka të drejtë ligjor të zgjedh kandidatin më të mirë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës së Kryeministrit dhënë “Bota sot”.

Sipas zyrës së kryeministrit, Qeveria bën emërimin pas propozimit nga MAP.

“Kështu ministri ka të drejtë që njërin nga tre personat ta propozojë për votim në Qeveri, dhe në momentin që ai që votohet në Qeveri është i përzgjedhuri legjitim. Ju kujtojmë edhe njëherë që në të gjitha rastet Qeveria ka respektuar në përpikmëri Ligjin për Shërbyes Civil, konkretisht neni 15 paragrafi 3”, huhet më tej në përgjigjen e Qeverisë.

Ndryshe, më 10 tetor të vitit të kaluar, kryeministri Haradinaj  ka nënshkruar një marrëveshje memorandumi me ambasadorin britanik, Ruairi O’Connell për të ndihmuar ekzekutivin në zgjedhjen e njerëzve me të mirë në institucionet publike.

“Qëllimi i Memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në pikën 1 të memorandumit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat