Nismat e pushtetarëve të dëmshme për Kosovën

Politika

Nismat e pushtetarëve të dëmshme për Kosovën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 shkurt 2018 Në ora: 20:07
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

“Asnjë nismë, asnjë veprim madhor i këtyre pushtetarëve, qoftë në planin e brendshëm apo të jashtëm, janë dëshmuar dhe po dëshmohen jashtëzakonisht të dëmshme. Rrjedhimisht Kosova ka humbur përkrahjen e popullit në radhë të parë, po edhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, ka pohuar Kurteshi.

Iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, raportimet për shkëmbime territoresh me Serbinë, janë këto çështje, që sipas opozitës, Kosova ka humbur përkrahjen e miqve ndërkombëtarë.

Nisma e disa deputetëve për zhbërjen e Gjykatës Speciale është në “dorë” të Qeverisë, mirëpo pas kundërshtimit të ndërkombëtarëve kjo iniciativë si duket do të dështojë.

Pas kësaj iniciative, për të cilën dyshohet se prapa saj fshihen krerët e shtetit, Haradinaj, Thaçi dhe Veseli, tani është diskutuar edhe për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Përkundër që Presidenti Hashim Thaçi, ka mohuar një gjë të tillë, sipas raportimeve të mediave vendore, skenari për ndryshim kufijsh në Ballkan është prezantuar në takimet e krerëve shtetëror bashkë me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA-së.

Negociatat për shkëmbim territoresh nuk ka përkrahje amerikane, ndërkaq opozita thotë se të gjitha këto kanë bërë që Kosovës t’i vështirësohet miqësia me ndërkombëtarët.

Image
Avdullah Hoti

Periudhë e vështirë për Kosovën

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se  Kosova është në një periudhë të vështirë të konsolidimit të shtetit dhe ruajtjes së miqësisë.

Mirëpo, sipas tij, qytetarët e kanë parë se LDK-ja është e vetmja forcë politike që do të mund ta ruajë miqësinë me ndërkombëtarët.

“Kosova po kalon një periudhë  të vështirë  të konsolidimit të shtetësisë dhe ruajtjes së miqësisë me vendet mike perëndimore. Në muajt e fundit është lëkundur kjo miqësi për shkak të veprimeve të krerëve të institucioneve. Me zhvillimet e fundit, qytetarët e kanë parë se LDK-ja është e vetmja forcë politike në vend që mund të sigurojë pacenueshmërinë e institucionve të Kosovës, të ruajë miqësinë me vendet mike, të sigurojë perspektivë euro-atlantike dhe të konsolidojë shtetesinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ne do të jemi të pa kompromis në këtë rrugëtim. Ne ftojmë forcat e tjera politike të na bashkohen në këtë mision të shenjtë për të ardhmen e sigurtë të gjeneratave që vijnë pas nesh”, ka theksuar Hoti.

Image
Sami Kurteshi

Humbja e përkrahjes nga Populli

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka theksuar për “Bota sot” se nismat e pushtetarëve janë të dëmshme dhe për këtë Kosova ka humbur përkrahjen e popullit.

“Asnjë nismë, asnjë veprim madhor i këtyre pushtetarëve, qoftë në planin e brendshëm apo të jashtëm, janë dëshmuar dhe po dëshmohen jashtëzakonisht të dëmshme. Rrjedhimisht Kosova ka humbur përkrahjen e popullit në radhë të parë, po edhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, ka pohuar Kurteshi.

Image
Milaim Zeka

Zeka: Kuvendi nuk ka opozitë

Ndërkaq, pozita nuk i konsideron serioze kritikat e opozitës.

Deputeti nga radhët e Nisma socialdemokrate, Milaim Zeka, ka deklaruar se Parlamenti i Kosovës nuk ka opozitë, sepse po të kishte qeveria nuk do të sillej kështu.

“Kritikat e opozitës, qoftë për zgjedhje nuk janë serioze. Kritikat e opozitës janë teori konsipracionesh mentalitetit primitiv që nuk kanë kurrfarë fakte dhe mbi bazën konspiracionit t’i pyesin shqiptarët do të thonin që as Millosheviçi nuk ka vdekur, por është gjallë, është diku në Argjentinë, dikush thotë në Brazil. Mua më vjen keq, që Parlamenti i Kosovës nuk ka fare opozitë, sepse nëse do të kishte opozitë qeveria do të sillej në mënyrë më të përgjegjshme. Për shembull, opozita duhet të kërkojë pse nuk sillet ligji në parlament për nivelizimin e pagave, pse është në gjendje kaq të mjerë shëndetësia. Ne fatkeqësisht ballkanasit, edhe shqiptarët se nuk dallojmë asnjë milimetër nga popujt tjerë, a po e shihni çfarë debati bëjnë rreth ngritjes ose uljes të flamurit te rrethi, shkohet i teket Selim Pacollit thotë t’i ndalojë veturat, ndalohen veturat”, ka pohuar Zeka për “Bota sot”.

Sipas tij, askush nuk merret me problemet e qytetarëve dhe kjo bënë që Kosova të jetë vend i çudirave.

“Domethënë, absurditeti jonë si pozitë, si opozitë, si deputetë, si politikanë, si kryetarët komunal, nuk merren me problemet e qytetarëve. Tani  vjen një “bela” tjetër për gjendjen kaotike në arsim,  tani shpiket gjendja e territoreve të Kosovës, thuajse Kosova është fli, apo pogaqe. Unë edhe e kam deklaruar, por si asnjë gazetar nuk i ka bërë pyetje Sindikatën e Pavarur, a keni dëgjuar në ndonjë vend në botë që Sindikata e ndonjë vendi, qoftë edhe në Afrikë, i bëjnë thirrje fëmijëve që të mos shkojnë në shkollë, Sindikata i bënë thirrje arsimtarëve që të mos shkojnë në shkollë, të bojkotojnë mësimin. Prandaj, e them ky është vend i çudirave, ne jemi  UFO, në politikë jemi UFO, në ecje jemi UFO, ne jemi jashtëtokësorë, por fati jonë më i madh është që shtetet e Amerikës dhe Bashkimi Evropian na shohin si specie të veçanta dhe nuk dëshirojnë të na shohin duke u zhdukur. Por, se kemi ndonjë gjë të përbashkët normale në kontinentin evropian nuk kemi”, ka nënvizuar tutje Zeka.

Ndërkaq, analistët politikë ngjarjet e fundit i ndërlidhin që nga grupet e para të rezistencës politike e ushtarake.

Image
Skender Zogaj

Kujdes nga shërbimet e huaja

Skender Zogaj, analist politik ka pohuar për “Bota sot” se të gjitha që i ndodhin Kosovës që nga koha e luftës kur është mbjellur krimbi i sherrit, janë duke i shkaktuar fatkeqësi asaj dhe popullit.

Sipas Zogajt, shërbimet e huaja e kanë stinën e “çeljes së vezëve”, prandaj duhet pasur kujdes.

“Preokupimi kryesor botëror, pra i të gjitha vendeve të botës, është sigurimi i rendit dhe qetësisë publike që janë kushti elementar i stabilitet të vendi. Kjo është e vetmja mundësi e pengimit të veprimtarive të huaja subverzive që të ndërlidhura me strukturat kriminale vendore, arrijnë që të krijojnë tensione të fuqishme propagandistike dhe të shkaktojnë tensione pakënaqësie dhe të pengojnë zhvillimet e të caktuar. Kjo po i ndodh Kosovës që nga koha e luftës, kur është mbjellur krimbi i sherrit që po i shkakton fatkeqësi të shumta shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

“Unë jam thellësisht i bindur se, realiteti sot po e dëshmon katërcipërisht deklaratën e Presidentit historik Ibrahim Rugova, se, dora e armikut ishte e futur në Kosovë që nga grupet e para të rezistencës politike e ushtarake, sepse, është e njëjta fatkeqësi atëhere e sot po e mbanë të mbërthyer Kosovën. Propaganda edhe këto ditë zhurmoi me hedhje opsionesh qesharake që ngjallën neveri! Nuk ka mundësi që dikush nga shqiptarët të pranojë ndarje dhe këmbime të reja territoresh! Kjo është diversion propagandistik, nga Serbia! Provokim me qëllim të ashpërsimit të gjendjes së acaruar politike të Kosovës! Unë të këtij ndikimi e konsideroj edhe përpjekje puçiste të OVLUCK-s dhe nënshkrimet e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës speciale! Shërbimet e huaja e kanë stinën e çeljes së vezëve prandaj duhet pasur shumë kujdes sepse do të kemi shumë krrokamave të qyqeve”, ka përfunduar analisti Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat