Propozimi i Ramës për President të përbashkët, reagon Vetëvendosja

Politika

Propozimi i Ramës për President të përbashkët, reagon Vetëvendosja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 shkurt 2018 Në ora: 20:22
Levizja Vetevendosje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen solemne të organizuar sot nga Kuvendi i Kosovës për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë, ka përmendur mundësinë që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

“Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë ai histori dhe shqiptarët dhe serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes si dy popuj në fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian. Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politik të jashtme e jo vec ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta. Por, pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të  ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka thënë kryeministri Rama.

Kjo deklaratë e Ramës, është kritikuar nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje thotë se ideja e tij duhet të diskutuar fillimisht, por janë për veprim bashkërisht për qëllimet e kombit.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë për “Bota sot” se ata dëshirojnë sa më shumë koordinim e përafërim me Shqipërinë.

Sipas Sveçlës, nuk është nevoja për institucione të reja simbolike e pa ndikim.

Image
Xhelal Sveçla

“Ashtu siç kemi theksuar deri tash dhe e kemi shpjeguar në Alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje! ne jemi për një politikë te jashtme të përbashkët me Shqipërinë dhe të veprojmë bashkërisht peër qëllimet e peërbashkëta të kombit, duke e ndikuar dhe plotësuar njëra-tjetrën, e jo duke garuar me njëra-tjetrën. Natyrisht, edhe përtej politikës së jashtme, sa më shumë koordinim e përafrim aq më mirë, drejt një qëllimi të qartë. E kjo duhet të bëhet paralelisht me punët për ndryshim, përmirësim të situatës, brenda shtetit. Megjithatë, ideja e propozuar nga Kryeministri Rama duhet diskutuar se çka saktësisht është menduar pasi nga formulimi, ajo mund të interpretohet në shumë aspekte të ndryshme. Po ashtu, bazuar nga përvoja, me lejoni të theksoj që nuk është nevoja që të krijojmë institucione të reja simbolike e pa ndonjë ndikim. Mendoj që tash më shumë se kurdoherë kemi nevojë t’i largohemi simbolikës e t’u vishemi punëve reale me rezultate konkrete”, ka pohuar Sveçla.

I pyetur se sa do t’i bashkonte shqiptarët Presidenti i propozuar nga Rama, përkundër problemeve që përballet politika dhe shqiptarët qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, Sveçla ka shtuar se ai beson në çdo nismë për bashkim që do t’i shërbente përmirësimit të situatës në shoqëri.

“Plotësisht besoj që çdo nismë e sinqertë për bashkim do t’i shërbente përmirësimit të situatës të kombit tonë, shoqërisë tonë. Zgjidhja është kuq e zi. Ashtu siç patëm mundësinë të shohim edhe dje në sheshin e mbushur të Prishtinës, sado që po mundohen të ndryshojnë këtë fakt, natyrshmën e ardhmja jonë është kuq e zi, por ta bëjmë atë bashkërisht sa më të mirë. Dhe ajo bëhet me punë të drejtë e të pandalshne në të tashmen”, ka theksuar Sveçla./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat