Dështimi i koalicionit në temat e mëdha

Politika

Dështimi i koalicionit në temat e mëdha

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 shkurt 2018 Në ora: 07:50
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Demarkacioni, liberalizimi i vizave, krijimi i Ushtrisë e zgjidhja e problemit të Asociacionit janë çështjet kryesore që gjatë fushatës, por edhe pas marrjes së pushtetit nga Haradinaj ishin cilësuar si prioritete kryesore të tij.

Kemi hyrë në muajin e pestë që nga themelimi i kabinetit të ri qeverisës dhe çështjet që ishin cilësuar si “tema të mëdha” po vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura për Kosovën, ndonëse dje u arrit marrëveshja që demarkacioni me Malin e Zi të ratifikohet në Kuvend. Koalicioni PANA-Lista Serbe ka ngecur në ato tema, të cilat në fillim i konsideronin si tema të mëdha, e për të cilat duhet të krijohej edhe një koalicion i madh.

Derisa nga pozita thonë se Qeveria Haradinaj ka treguar një dinamikë të theksuar më shumë se çdo qeverisje tjetër, kështu nuk mendojnë edhe deputetët e opozitës, ku sipas tyre kjo qeveri ka ngecur në zgjidhjen e problemeve të mëdha.

Naser Osmani: Temat e mëdha ende të pazgjidhura

Image
Naser Osmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, në një prononcim për “Bota sot” tha se ka shumë arsye që Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të bie.

Sipas Osmanit, nëse LDK-ja do të kishte një partner si duhet të opozitës, Qeveria Haradinaj kish me rënë me ose pa Demarkacion.

 “Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës do të kishte një partner si duhet të opozitës, Qeveria Haradinaj kish me rënë me ose pa Demarkacion. Ka shumë arsye që kjo Qeveri duhet të bie”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Ai thotë se temat e mëdha ende kanë mbetur të pazgjidhura. Sipas deputetit të LDK-së, në Kosovë, tashmë ka humbur shpresa dhe perspektiva.

“Kosova ka mbetur e izoluar, Kosova ka mbetur keq ekonomikisht, rinia pa punësim, njerëzit po shikojnë mundësinë e parë për të dalë me këto kontratat në ndonjë vend tjetër. Ka humbur shpresa dhe ka humbur edhe perspektiva. Prandaj, Qeveria Haradinaj duhet të bie, që më i dhënë perspektivë këtij vendi”, ka përfunduar deputeti i LDK-së, Naser Osmani për “Bota sot”.

Deputeti i pozitës: Qeveria Haradinaj ka treguar një dinamik të theksuar

Image
Ahmet Isufi

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në një prononcim për “Bota sot” tha se Qeveria Haradinaj ka treguar një dinamikë të theksuar më shumë se çdo qeverisje tjetër.

“Qeveria Haradinaj ka treguar një dinamikë të theksuar më shumë se çdo qeverisje tjetër, dhe për temat të cilat janë të nivelit kombëtarë ka treguar qëndrueshmëri dhe interesim që këto tema të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, është shprehur Isufi.

Ndërsa i pyetur se kur pritet të ndodh liberalizimi i vizave. Isufi i AAK-së nuk tregoi për kohën, sepse, ai konsideron se kjo është një padrejtësi që iu është shkaktuar Kosovës për dallim nga vendet tjera.

“Nuk mund të them për kohën sepse është një padrejtësi që iu është shkaktuar Kosovës duke i favorizuar shtetet tjera dhe duke vënë kushte të cilat nuk ju kanë vënë shteteve tjera, prandaj kjo varet më shumë nga vullneti i Bashkimit Evropian se sa nga vet Kosova”, ka përfunduar shefi i grupit parlamentarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

Faton Topalli: Jemi larg liberalizimit

Image
Faton Topalli

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, duke i komentuar zhvillimet e fundit në vend tha se çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është detyrë e cila ishte pritur të zgjidhej më shpejtë nga Qeveria e Kosovës.

“Çështja e Demarkacionit është detyrë e cila është pritur të zgjidhej shpejtë nga Qeveria e Kosovës. Në kuptimin e shpejtë që kjo temë të sillet në Kuvendin e Kosovës, e pastaj ky institucion ta ratifikojë apo mos ta ratifikojë Demarkacionin me Malin e Zi. Lidhur me këtë çështje, qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe vet kryeministrit Ramush Haradinaj, ka qenë kundër kësaj marrëveshje nga e cila Kosova humbë tokë, prandaj edhe ka ekzistuar një kundërshtim shumë i ashpër i opozitës, karshi Demarkacionit gjatë kohës kur AAK-ja ishte pjesë e opozitës”, tha Topalli.

Ai thotë se çështja e Demarkacionit do të sillet shumë shpejtë në Kuvendin e Kosovës. Por sipas tij, edhe nëse zgjidhet çështja e Demarkacionit, lufta kundër korrupsionit nuk është një çështje që nuk mund të zgjidhet shpejtë, pasi që ai thotë se kjo kërkon më shumë kohë.

“Liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian është lidhur me Demarkacionin edhe me çështjen e luftimit të korrupsionit. Edhe nëse zgjidhet çështja e Demarkacionit, luftimi i korrupsionit nuk është një çështje që mund të zgjidhet shpejtë, pasi që kërkon më shumë kohë. Gjatë këtyre muajve prej sa kemi Qeverinë e re në Kosovë nuk është se ka pas ndonjë luftë të veçantë kundër kësaj çështje, prandaj mbetët çështje e pazgjidhur korrupsioni dhe mbetët një proces që duhet te adresohej. Nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe për shkak të gjendjes sociale dhe ekonomike në vendin tonë. Për shkak të frikës së vendeve të Bashkimit Evropian që me rastin e liberalizimit të vizave do të ketë shumë largime nga vendi. Jemi larg liberalizimit jo vetëm për shkak të liberalizimit, por mbi të gjitha për shkak luftës kundër korrupsionit”, ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat