Formimi i ushtrisë, Kosova vuan pasojat e tentimit për zhbërjen e Speciales

Politika

Formimi i ushtrisë, Kosova vuan pasojat e tentimit për zhbërjen e Speciales

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 19 shkurt 2018 Në ora: 10:26
FSK

Ministri i Forcave të Armatosura të Kosovës Rrustem Berisha e ka shtyrë afatin për transformimin e FSK-së në ushtri në një kohë të pacaktuar, duke e përgënjeshtruar kështu shefin e Qeverisë Haradinajn i cili ka thënë se ushtria do të formohet po këtë vit, duke hamendësuar me muajin Mars.

“Ne jemi në rrugë të mirë që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe mendoj se viti 2018/2019 do jetë vit i transformimit”, tha ministri Berisha.

Zhbërja e Gjykatës Speciale, rrezikoi formimin e Ushtrisë

Image
Anton Çuni

Por, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Çuni, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se premtimet e liderëve politikë për formimin e ushtrisë  ishin premtime të pabazuara.

“Nga autoritetet e NATO-s dhe partneret strategjik, në veçanti nga SHBA-te, janë dhënë porositë e qarrta se transformimi i FSK-së në FAK duhet të bëhet duke e  respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky proces është dizajnuar të behet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet  ndërkombëtare të cilat kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Quni.

Sipas tij, përpjeka për ta zhbërë Specialen ka ndikuar në procesin e transofrmimit të FSK-së në ushtri.

“Tentimet e njëanshme për transformimin e FSK-së në FAK, dhe përpjekja për ta zhbërë Gjykatën Speciale e kanë lënduar procesin e krijimit të kapaciteteve ushtarake. Premtimet e liderëve partiak për këtë temë ishin premtime të pabazuara në realitetin e mundësive tona politike, ligjore dhe financiare. Besoj se me një qasje më të pranueshme dhe reale nga lidershipi i ynë, kjo temë të merr drejtimin e duhur dhe të trajtohet me prioritet nga të gjithë akterët relevant”, ka përfunduar Çuni për gazetën “Bota sot”.

Ushtria, punë e kryer

Image
Fadil Beka

Kurse, Fadil Beka nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë për “Bota sot” se ushtria do të bëhet në bashkëpunim me komunitetet jo shumicë.

“Kosova, do ta ketë ushtrinë e vetë, sepse çdo shteti i duhet ushtria e dhe ne jemi shtet, por duhet në koordinim me partnerët tanë strategjikë, në veçanti SHBA. Ushtria duhet të bëhet me ndryshime kushtetues që do të mbështetet edhe nga komunitetet jo shumicë. Nuk e besoj që qeveria duhet të dorëzohet, po pavarësisht kësaj Kosova do ta këtë Ushtrinë, sepse kontribon në sigurinë rajonalë që është shumë e nevojshme”, ka thënë Beka.

Strategjia që i mungon qeverise sonë

Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes Drita Millaku, është shprehur se formimi i ushtrisë kërkon punë shumëpalëshe

Image
Drita Millaku

“Secila qeveri normale në përpjekje për të marrë pushtetin bën premtime elektorale. Me rastin e marrjes së pushtetit përpilohet programi i qeverise i cili bazohet në mundësi reale Me rastin e qeverisë sonë të gjitha këto premtime mbesin në stadin e dëshirave pasi që nuk punohet në këtë drejtim. Formimi i ushtrisë kërkon punë shumplanëshe dhe komplekse e cila përveç vullnetit politik kërkon edhe strategji për të arritur këtë objektiv gjë që i mungon qeverise sonë”, ka deklaruar Millaku.

A është Kosova shtet pa ushtri?

Ndërsa, magjistri i studimeve të sigurisë Armend Halimi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ushtria do t’i shërbente rajonit si balancim i forcës, prandaj Serbia po mban peng procesin.

Image
Armend Halimi

“Duhet thënë qysh në fillim se është shqetësim një çështje e tille qe dhjete vite pas shpalljes se pavarësisë së vendit dhe njohjes së kësaj pavarësie prej vendeve më me ndikim në botë, të zvarritet. Kjo çështje, pra diskutimi se a duhet të ketë ushtri, është në fakt çështje që ve në pyetje a është vërtetë shtet Kosova në kuptimin e shteteve të sotme?! Nëse po, atëherë cila është arsyeja e mohimit të konsolidimi i tij, përkatësisht, krijimit të ushtrisë, ku siç e dimë ne, dhe e dijnë edhe ndërkombëtaret, i gjithë ky proces është nën vëzhgimin e tyre, përkatësisht konform standardeve që i kanë përcaktuar vete ata për transformim që nga transformimi nga UÇK në TMK, e deri tek FSK”.

“Ndryshe, pas gjithë kësaj, zvarritja e këtij procesi, duke kufizuar shtetin e Kosovës për krijimin e ushtrisë, ndodh veten ndaj shteteve që iu është marr sovraniteti absolut pas një të kaluare me keqpërdorim force, gjë që për shtetin tone është e padrejte, ngase siç e thash, transformimi i forcës aktuale në ushtri, sikurse edhe vet krijimi i shtetit është bërë sipas standardeve të përcaktuara ndërkombëtare, me privilegj diskriminues pozitiv të minoritetit serb. Andaj, një ushtri çfarë ka themelet mbi parimet demokratike, sikurse është forca e sigurisë së Kosovës, për veç si kusht për siguri nacionale, do t’i shërbej rajonit edhe si balancim i forcës, në vend se të shihet si frik nga shteti serb, e që për këtë arsye, nëpërmjet listës serbe, Serbia po mban peng këtë proces. Sigurisht që kjo edhe pritet nga shteti serb, por as edhe njëherë te pranohet, e që dorëzimi institucional i Kosovës karshi kësaj çështje, sikurse tani që me gjase do të shtyjnë këtë proces, është pasoj e një politike të instaluar që nga fillimi, politike të kompromisit, dorëzimit dhe varshmërisë nga çfarëdo ndikimi”, ka përfunduar Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat