Mandati i shoqëruar me skandale

Politika

Mandati i shoqëruar me skandale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 shkurt 2018 Në ora: 07:42
Ramush Haradinaj

Abuzimi me pushtetin  dhe lakmia për të pasur çdo ditë e më shumë para në xhepa dhe në konto nga buxheti i vendit konsiderohet të jetë motivi primar për politikanët e Kosovës.

Puna e deritashme e Kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, është shoqëruar me skandale të njëpasnjëshme. Rritja e pagës së tij, nga 1300 euro në 2950 euro, rritja të stafit politik të ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve, falja antiligjore të borxheve të ndërmarrjeve, mundësim parash për familjarët e të vrarave në Kumanovë, janë vetëm disa nga vendimet e Kryeministrit Haradinaj që morën kritika të ashpra si nga opozita ashtu edhe nga shoqëria civile.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Hardadinajt duhet patjetër ti kërkohet llogari për këto verime. Madje, ata shkojnë aq larg sa që kërkojnë edhe dorëheqjen e tij, duke e konsideruar si vendimin më të mirë të mundshëm pas gjithë këtyre veprimeve që sipas tyre, janë skandaloze.

Image
Drita Millaku

Millaku: Llogaritë për këto skandale do të shihen vetëm në ditën e votimit nga populli

Deputetja e LVV-së Drita Millaku ka thënë për gazetën “Bota sot” se Haradinaj ka aq shumë skandale sa edhe nuk mund të numërohen.

Sipas saj, skandalet janë që në fillim kur Haradinaj është futur në Qeverinë e Kosovës me kushte shumë të rrezikshme, duke filluar nga Lista serbse etj.

“Dihet shumë mirë, se si është formuar Qeveria me deputet të blerë. Po ashtu, e dimë shumë mirë se si Dardan Gashi e ka marr postin e zv/ Kryeministrit. Skandali tjetër është edhe rritja e ministrive dhe numri i madh i zv/ministrave. Po ashtu skandali tjetër edhe rritja e pagave vetëm qeveritare e shpenzimet enorme të qeveritareve, falja e borxheve, lojërat me demarkacionin, lojërat e tmerrshme me Gjykatën Speciale udhëtimet luksoze etj. Llogaritë për këto skandale do të shihen vetëm në ditën e votimit nga populli, që besoj se do ta ndëshkojnë atë”, ka thënë deputetja Millaku .

Kelmendi: Haradinaj të rrëzohet në Kuvend

Kurse,  Jeton Kelmendi, njohës i Politikave ndërkombëtare të Sigurisë, ka thënë, se që nga ardhja në krye të ekzekutivit, Kryeministri Haradinaj ka filluar me skandalet e tij.

Image
Jeton Kelmendi

“Pra që atëherë në kampanjat e tij të mashtrimit vendor e ndërkombëtar, qëndrimet e tij kanë vazhduar të dëmtojnë in interesin kombëtar të Kosovës. Pra, që nga ardhja e tij, ka filluar me ngritje të pagave, ekstra para si ato 3 milion e “Bechtel Enkan” në rrugën që lidh Prishtinë me Shkupin. Skandalet kanë qenë të vazhdueshme dhe thjesht unë nuk ka pritur që të jenë kështu. Siç duket, ai është nisur nga shablloni se nëse  Kosovën nuk mund ta rregullojnë njerëz profesionistë, atëherë atë mund ta rregullojë një “i dijshëm” si Haradinaj që vetëm shkollën fillore e ka të rregullt. Pra për këtë çështje në një vend normal, ky njeri nuk do të ishte gjatë në pushtet apo nuk do të ishte fare, dhe pozicionin e tillë prej kryeministri, vetëm do ta  vetëm do ta ëndërronte”, ka thënë Kelmendi.

Ai,  po ashtu ka bërë të ditur se për të gjitha këto skandale duhet të kërkohet llogari.

“Jam mëse i bindur se askush nuk do të jep llogari për gjëra të tilla, edhe pse në kushte normale duhet medoemos të kërkohet që dikush të jap llogari. Madje, duhet të kërkohet llogari edhe për dështimet e tij si liberalizim i vizave etj. Dhe arsyeja pse duhet të jap llogari është sepse i kërkohet votëbesimi, e pastaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja në mënyrë që  të evokohet çdo problem i mundshëm. Megjithatë, pas gjithë këtyre skandaleve, mendoj se askush nuk duhet ta marr në Qeveri Haradinajn, sepse është tepër e tmerrshme që një njeri i paformuar si ai, të jetë në pushtet dhe ta udhëheq pushtetin në Kosovë. Institucionet e drejtësisë nuk po funksionojnë si duhet për shkeljet e tij që ka bërë dhe e vetmja formë është votëbesimi e pastaj ky njeri të rrëzohet në Kuvend”, është shprehur Kelmendi.

Haziri: Dorëheqja, llogaria më e mirë 

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, opinionsti Nexhat Haziri ka thënë se që nga fillimi i punës se kësaj qeverie, marrjes se detyrës së kryeministrit Haradinaj, e gjithë kjo periudhë është karakterizuar me skandale qoftë të vet kryeministrit Haradinaj apo të kabinetit të tij qeveritar.

“Janë disa vendime që konsiderohen si më skandaloze të kësaj qeverie të papërgjegjshme, siç është numri i madh i z/ ministrave, emërime familjare në krye të institucioneve, falja antiligjore e borxhëve të ndërmarrjeve banesorë, rritja e pagave për udhëheqësit shtetëror, shtënia me armë në vende publike nga ministrat, pushimet e luksit të kryeministrit Haradinaj dhe skandale të tjera që po të merren edhe dështimet në përmbushjen e premtimeve siç është liberalizimi i vizave dhe mungesa e vendimmarrjes, llogari më e mirë që duhet të jepte z. Haradinaj është ofrimi i dorëheqjes”, është shprehur Haziri.

Edhe politologu Faik Krasniqi ka vlerësuar se njësoj sikurse paraardhësit e tij, edhe Haradinaj ka skandale dhe padyshim që duhet t`i kërkuar llogari, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat