Kosova në udhëkryq

Politika

Kosova në udhëkryq

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 shkurt 2018 Në ora: 08:45
Krerët e institucioneve

Dita e 17 shkurtit, është njëra ndër festat me të rëndësishme në historinë e vonshme të kombit shqiptar, sepse në këtë datë lindi shteti më i ri në Botë, Kosova për të cilën dhanë jetën breza të tërë të atdhetarëve që vendi të çlirohej nga kthetra serbe një shekullore.

Por, dhjetëvjetori i Pavarësisë po e gjen shtetin në një udhëkryq që ende nuk e ka të qartë të ardhmen e vet qoftë në aspektin e brendshëm qoftë në atë ndërkombëtar.

Në aspektin e brendshëm, sfidë ende mbetet ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokratik, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe shtrirja e plotë e sovranitet në veri të vendit.

Kurse, sfidë në aspektin e jashtëm mbetet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, ngecja e njohjes së pavarësisë nga ato shtete që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që ndihmojnë në përforcimin e subjektivitetit të jashtëm.

Konsolidimi i shtetësisë peng i elitës politike

Profesori i shkencës politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi thotë se përforcimi i shtetësisë po ec me hapa shumë të ngadaltë.

“Konsolidimi i shtetësisë gjatë periudhës 10 vjeçare duket se ka ecur me hapa shumë më të ngadalta sesa që do të duhej të ndodhte. Kosova ende ballafaqohet me probleme serioze të brendshme, si zhvillimi ekonomik, gjendja e rende sociale mungesa e sundimit të ligjit dhe procesi i demokratizimit”, thotë Baliqi për “Bota sot”.

Image
Profesori i shkencës politike, Bekim Baliqi

Profesori ia atribuon pushtetarëve, procesin e ngadalshëm në konsolidimin e shtetësisë, që sipas tij, ata më shumë po i kushtojnë rëndësi pushtetit se zhvillimit të shtetit.

“Një ndër shkaqet kryesore për këto dështime, pa dyshim burojnë nga paaftësia dhe injoranca e përfaqësuesve politik dhe diplomatik. Të cilët më shumë ishin të preokupuar me ndarjen e pushtetit dhe privilegjeve mes veti sesa me forcimin dhe zhvillimin e shtetit”, deklaroi ai.

Sipas tij, nevojitet ndryshimi i elitës politike aktuale në mënyrë që të përfundojnë disa procese të rëndësishme.

“Prandaj, Kosova në dekadën e ardhshme do të duhej patjetër të ketë qarkullim të elitave politike për të përmbyllur me sukses konsolidimin dhe zhvillimin e shtetit”, shtoi Baliqi.

Edhe profesori tjetër, Belul Beqaj shprehet kritik sa i përket të arriturave të shtetit gjatë dhjetëvjeçarit.

“Pritjet reale të qytetarëve kanë qenë shumë më të mëdha. Projekti shtetëror nuk është rrumbullakuar. Ndërsa, arritjet e brendshme dhe jashtme janë më shumë  produkt i kontekstit të rrethanave të favorshme se sa aftësi e lidershipit politik të Kosovës të cilët ia nisën shtetndërtimit si idealistë, por kanë përfunduar si materialistë”, thotë Beqaj për “Bota sot”.

Image
Profesori universitar, Belul Beqaj

Ai thotë, se fajtor për mos rrumbullakim të shtetësisë mbesin pushtetarët që nuk kanë një vizion për vendin.

“Lidershipi politik është pa vizion dhe integritet personal dhe i pa përgjegjshëm. Ata kanë jetuar dhe po jetojnë “nga politika” e jo “për politikë”. Profesioni politikanit është shndërruar në profesion më profit prurës, ndërsa “shtetndërtimi” tregu ku kanë dominuar”, shtoi Beqaj.

Sfida e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar

Kuvendi i Kosovës e shpalli mëvetësinë me 17 shkurt 2018, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera demokratike perëndimore.

Sipas Qeverisë së Kosovës, deri më tani pavarësinë e kanë njohur gjithsej 115 shtete.

Por, këto njohje u bënë kryesisht në vitet e para që u shpall mëvetësia. Kurse, viteve të fundit procesi i njohjes ka ngecur, për faktin se prej vitit 2015, Kosova është njohur nga tre shtete për vit.

Kosova vazhdon të mos njohët ende nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian (Spanja, Greqia, Sllovakia, Qiproja, Rumania), të cilat po shkaktojnë probleme në procesin e integrimit ne BE.

Përpos njohjeve, shteti po vazhdon të sfidohet edhe sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare që forcojnë konsolidimin e subjektivitetit në rrafshin e jashtëm.

Në nëntor të vitit 2015, Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Profesori Bekim Baliqi, thotë se Kosova ka mbetur mbrapa krahasuar me shtetet e rajonit sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

“Kosova nuk ka arritur të forcoj subjektivitetin ndërkombëtar dhe te përmbyll procesin e njohjeve dhe anëtarësimin ne mekanizma ndërkombëtarë, në rend të parë të bëhet anëtare e OKB-së dhe organizatave tjera të rëndësishme. Nëse vetëm e krahasojmë Kosovën me shtetet në rajon, shohim që të gjitha brenda pak vitesh arritën të anëtarësohen në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare dhe të kenë ndikim më të madh diplomatik e politik sesa vendi ynë”, deklaroi Baliqi.

Klasa politike e papjekur

Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti KDI, thotë se vendi po sfidohet në shumë aspekte për shkak të klasës politike.

“10 vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën me sfida të mëdha qoftë në rrafshin e brendshëm ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Pas një dekade, Kosova ende nuk ka arritur të ushtrojë dhe shtrijë sovranitetit ligjor dhe legjitim në tërë territorin e saj, si dhe nuk ka arritur të konsolidoj subjektivitetin e vet ndërkombëtar”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Ajo thotë se klasa politike në vend duhet t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

“Një rrugëtim gjatë së cilit Kosova ka pasur në krahë miqtë e saj ndërkombëtar, por dhe një rrugëtim, i cili ka dëshmuar se klasa politike në vend ende duhet të maturohet për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të qytetarëve dhe mbi të gjitha, për t’iu përgjigjur normave e parimeve të demokracisë për një shtet të së drejtës, i cili ofron mirëqenie për qytetarët e saj”, thotë ajo.

Image
Menaxherja e projektit në KDI, Jeta Krasniqi

Sipas saj, pushtetarët duhet të jenë e bashkuar dhe të kenë një vizion për të ardhmen e shtetit.

“Kosova nuk ka kohë të humb me politika ditore, por lidershipi i saj duhet të jetë i bashkuar për të ndërtuar vizionin e një Kosovë të pas 10 viteve, 20 viteve e 100 viteve përpara. Jemi në një udhëkryq të rëndësishëm të historisë së re të shtetit tonë, kur duhet të forcohet shteti nga Brenda si dhe të mobilizohemi për ta forcuar dhe prezencën e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi ajo.

 “Politikbërja në Kosovë dëshmon që klasa politike në vend ende nuk është e maturuar për të luajtur me rregullat e përcaktuara të demokracisë. Papjekuri e cila është dëshmuar edhe në rrafshin diplomatik me stërzgjatjen e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit apo dhe e nismës për shfuqizimin e dhomave të specializuara”, thotë më tej ajo.

Ajo thotë se vendi duhet të angazhohet në ruajtjen e miqësisë me ndërkombëtarët.

“Kosova nuk duhet të humb hapin e progresin në rrugëtimin drejtë BE-së, nuk ka mundësi të dyta, lidershipi kosovar duhet të angazhohet për t’i çuar përpara reformat dhe të punoj pareshtur për të ruajtur miqtë e saj ndërkombëtar, duke i pasur në krahë për të shtyrë përpara interesin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin prej 600 mijë eurosh për të shënuar 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat