10 vite shtet, Kosova me vetëm 116 njohje

Politika

10 vite shtet, Kosova me vetëm 116 njohje

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 shkurt 2018 Në ora: 13:11
Ilustrim

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës është  prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Megjithatë, duket se vendi ka ngecur në këtë aspekt, pasi që vetëm në dy vitet e para të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka pasur një numër më të madh të  njohjeve, derisa tetë vitet e tjera ato janë  “zbehur”.

Nga ministria e punëve të Jashtme të Kosovës, shprehen të kënaqur, me numrin e njohjeve të cilat janë arritur të sigurohen nga diplomacia.

Mirëpo, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po vlerësojnë, që përfaqësitë diplomatike nuk kanë strategji për diplomaci, pasi personat të cilët janë të punësuar, janë politizuar dhe nuk kanë karrierë diplomatike.

Berisha: Vatikani vazhdon të paraqesë vështirësi

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, ka folur rreth kësaj çështje për “Bota sot”. Ai ka thënë, se duhet të jemi të kënaqur rreth numrit të njohjeve  për shkak të peshës së vendeve që na kanë njohur.

Image
Anton Berisha

“Në 10 vjetorin e Pavarësisë sa i përket numrit të njohjeve ne duhet të jemi të kënaqur ngase 115 njohje edhe si numër, por edhe si cilësi është me peshë kur kemi parasysh faktet e njohjes nga SHBA, Britania, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Egjipti e shume e shume vende”, ka deklaruar Berisha.

Gjithashtu, ai ka thënë për “Bota sot”, se mosnjohja nga pesë vendet të cilat janë pjesë e BE-së dhe të Vatikanit paraqesin vështirësi, por MPJ-ja do të fokusohet që të arrihet të bëhet anëtarësim në organizata të ndryshme.

“Për fat të keq mosnjohja nga pesëshja evropiane dhe Vatikani vazhdon të paraqesë vështirësi në rrugën tonë drejt integrimeve në BE si dhe hapjes se rrugës për njohje të reja nga vende më peshë siç janë Brazili, Argjentina etj. Ne, në periudhën që vjen do të fokusohemi më shumë në këto vende në mënyrë që të arrijmë të integrohemi dhe anëtarësohemi në organizata multiraterale që janë jetike për Republikën e Kosovës”.

Image
Luljeta Aliu

 

Politologia Luljeta Aliu, ka thënë se diplomacia e vendit nuk ka qenë mjaftueshëm e suksesshme, pasi që prapë Ministria e Punëve të Jashtme vazhdimisht ka pasur probleme me performancën e saj.

“Diplomacia kosovare përgjatë këtyre 10 viteve nuk është se ka qenë mjaftueshëm e suksesshme. Në fillim mungonin edhe strukturat diplomatike, sepse nuk ekzistonte Ministria e Punëve të Jashtme. Ato tani janë të gjitha të konsoliduara, por prapë Ministria e Punëve të Jashtme vazhdimisht ka pasur probleme me performancën e saj”, ka thënë ajo.

Diplomacia e dobët

Gjithashtu, ajo ka folur edhe për emërimin e diplomatëve, ku sipas saj, janë emëruar persona të cilët  nuk kanë karrierë diplomatike, ndër ta të tillë, të cilët nuk e din as gjuhën shqipe.

Image
Fatmir Arifi

“Arsyeja duhet të kërkohet edhe tek emërimi i diplomatëve, i cili është tejet i politizuar. Duhet të ketë më shumë diplomatë karriere, sidomos për vendet me rëndësi strategjike. Tragjedia jonë është janë vërsulur të gjithë që kanë qenë deri më tani në pushtet për ta shfrytëzuar sa më shumë pozitën e tyre për arsye personale dhe partiake. Kemi pasur dhe kemi diplomatë të dobët, të cilët as gjuhën shqipe nuk e njohin mirë, e lëre më të flasin gjuhë të huaja apo ta njohin protokollin diplomatik.”, ka thënë Aliu “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar vetëm në dy vitet e para të pavarësisë ka pasur njohje nga e cila dëshmohet edhe dobësinë e diplomacisë vendore.

“Njohjet më të shumta i kishim në vitin 2008 dhe 2009, por pastaj numri i njohjeve shkoi duke rënë çdo vit. Kjo dëshmon për dobësinë e diplomacisë kosovare . Në fakt është pasi që ka pasur kohë të zhvillohet, diplomacia kosovare është dashur të jetë më efektive. Në vitin 2013 i kishim 8 njohje, në vitin 2014 vetëm 5, në vitin 2015 vetëm 1 dhe në vitin 2016 ishin dy njohje, nga të cilat një është tërhequr më vonë. Për Ministrin e tanishëm nuk mund të flasim, sepse është ende herët”, ka deklaruar ajo.

Më tutje, Aliu ka potencuar se shtetit tonë i mungon edhe strategjia  për diplomaci dhe se persona të cilët mund te jenë të kualifikuar mund të gjenden edhe jashtë partive politike.

“Institucionet tona janë munduar me aq sa kanë ditur. Por diplomacisë tonë, sikurse gjithë shtetit tonë i mungon një strategji e mirëfilltë për secilin sektor. Ndërsa për këtë punë duhen njerëz të kualifikuar, që nuk do të thotë se do t’i gjesh patjetër brenda ndonjë partie politike”, ka përfunduar Aliu për “Bota sot”.

Meritat për njohje

Ndërsa, eksperti dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fatmir Arifi  ka thënë se njohjet të cilat ka arritur të sigurojë vendi në këto dhjetë vitet e ardhshme,  nuk mund të trajtohen si  kontribut ekskluziv i qeverisë së Kosovës.

“Projekti Kosovë është kontribut i përbashkët i shqiptarëve dhe i shteteve perëndimore aleate. Andaj, njohjet që Republika e Kosovës ka arritur t’i sigurojë gjatë këtij dhjetëvjeçari të parë nuk mund të trajtohen si kontribut ekskluziv i qeverisë së Kosovës, por si bashkërendim strategjik dhe në koordinim të plotë me shtetet perëndimore”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Arifi ka thënë se kjo çështje mund të analizohet në dy  këndvështrime si njohja sasiore dhe si njohjet cilësore.

“Kjo çështje duhet të analizohet nga dy këndvështrime: njohja sasiore, e cila ka për synim që subjekti i së drejtës ndërkombëtare, në këtë rast shteti të hartojë strategji politike për të qenë një aktor në politikat shumë-vektorëshe. Kjo rëndom është synim i fuqive të mesme dhe i fuqive të mëdha. Së dyti, janë njohjet cilësore që zakonisht praktikojnë shtetet e vogla, të cilat kanë për synim krijimin e marrëdhënieve bilaterale me ato shtete, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në kuadër të sistemit ndërkombëtar. Njohjet e Republikës së Kosovës i përkasin kategorisë së dytë, pra janë njohje cilësore dhe ky fakt nuk është për t’u nënvlerësuar. Por ajo që do të duhej të na shqetësojë është se Republika e Kosovës edhe pas këtij dhjetëvjeçari nuk po arrin të krijojë një mendësi shtetërore, pjesë e së cilës është edhe diplomacia. Krijimi i mendësisë shtetërore dhe i diplomacisë në mënyrë të përshtatshme, mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe rezultate më të mira me shtetet e tjera që ende hezitojnë ta njohin atë”, ka shpjeguar ai.

Nevoja për diplomacinë kombëtare

Gjithashtu, Arifi ka thënë se ka mungesë të të menduarit ne diplomaci, ndërsa duhet të kërkohet krijimin e  diplomacisë kombëtare në të cilën mund të merren konsideratë hapësira gjeografike shqiptare në Ballkan.

“Ne jemi treguar që kemi mungesë të të menduarit në diplomaci. Duhet ta kuptojmë se politika e jashtme është veprim strategjik dhe i koordinuar me shumë sektorë të tjerë qeveritarë që qon në një ndërveprim kompleks që identifikohet me mendësinë shtetërore, veprim i cili nuk duhet të shikohet si një qëllim në vete dhe i shkëputur nga sektorët e tjerë. Ky proces padyshim që kërkon, në mënyrë të pashmangshme, krijimin e një diplomacie kombëtare dhe shumë profesionale. Kur e them diplomaci kombëtare këtu e marr në konsideratë hapësirën gjeografike shqiptare në Ballkan, pasi që shqiptarët gjeografikisht shtrihen në atë që me terma gjeopolitikë, quhet zemra e Ballkanit”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka sugjeruar që të bëhet zgjidhja dhe definimi i karakteristikave të  kuadër të dinamikave të marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi që këto përfaqësitë diplomatike janë shndërruar në punësim të militantëve të partive politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat