“Haradinaj thojke se merret me sporte të randa, komandantë që i binë në gjunjë...”, fjalët që i kushtuan me 8 vite burg Frashër Krasniqit?

Politika

“Haradinaj thojke se merret me sporte të randa, komandantë që i binë në gjunjë...”, fjalët që i kushtuan me 8 vite burg Frashër Krasniqit?

Nga: P.R Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 14:02
Frashër Krasniqi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Ishte data 14 gusht 2017, kur në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të shpërthente deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.

Ai, duke kritikuar mungesën e koalicionit PAN së bashku me Listën Serbe, kishtë drejtuar kritika të ashpra ndaj Ramush Haradinajt e Kadri Veselit.

“Është shumë interesant me ardh për herë të parë në kuvend dhe me pa që koalicioni i krimit që ia mbajë vetit për të guximshëm, për komandanta nuk guxojnë me ardh këtu, të janë të pranishëm në këtë sallë, kjo është ndjenjë e mirë për fillim. Mirëpo është keq që nuk po krijohen institucionet e Kosovës. Është interesant për shkak që Ramush Haradinaj thojke që merret veç me sporte të renda, është shumë çudi qysh është tuj u fsheh gjatë gjithë kohës, prej që ka fillu ky kuvend. Ndërkohë po ashtu edhe Kadri Veseli, i cili hala nuk po mundet me pranu dështimin e madh që e ka pësu në fushatë, nuk po doket kerkah. U mshef, përveç kur po i qet PDK-në me i prish parqet në Komunë të Prishtinës që me ia lanë fajin Vetëvendosjes, me thanë po kqeqeverisë. Mirëpo kjo sa për fillim është shenjë e mirë, sepse kjo tregon se edhe nëse këta arrijnë me i bo numrat, edhe me e bo njëfarë qeverie, diqysh me shantazhe, me kërcënime, me joshje, kjo ka me kanë qeveri e ikjes”, kishte deklaruar Krasniqi.

“Ka me kanë qeveri e panikut, qashtu veç qysh po fillon ky mandat me ikjen e tyre. Dhe kjo maksimalisht do t'i ketë 1 deri në 2 vjet jetëgjatësi, dhe do të jetë shënjues i fundit, i përfundimit të qeverisjes së krimit, i përfundimit të qeverisjes së kriminelëve, që nuk kanë lënë asgjë pa bo në Kosovë, tana të këqijat i kanë bo, duke u thirre vazhdimisht në emër të luftës, dhe komandantllakut. E kanë shkatërruar ekonominë, e kanë fal territorin, janë kanë në gjendje me kthye Serbinë në Kosovë, krejt këto dhe në fund me thanë na jemi komandanta, na jemi krah i luftës.  E që ku e kanë, ku po dojnë me bazu krijimin e qeverisë së re, që hala nuk po mujnë me bo por që janë tuj shpresu me bo, në dy shtylla kryesore, në Listën Serpska, më saktësisht në kriminelin Milan Radojecic, që është zëvendës i Veselinoviqit, që ka kry dhe vazhdo me kry krime në veri të Kosovës, që i kërcënon me vdekje policët e republikës së Kosovës dhe me të cilin Ramush Haradinaj po takohet vazhdimisht për me ia marr mbështetjen e Listës Serpska”, kishte thënë më tej në fjalimin e tij, deputeti i Vetëvendosjes.

Krasniqi, kishte thënë se Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, për të ruajtur krimin e  tyre, ishin në gjendje edhe t’i binin në gjunjë Listës Serbe.

“Pra ja çfarë krahu i luftës së çfarë trima të guximshëm janë këta. Për me rujt krimin e  tyre edhe nja dy vjet maksimumi, janë në gjendje me i ra në dy gjunjë Listës Serpska, janë në gjendje me i ra në gjunjë Ukë Rugovës dhe krimineleve tjerë sikur ai, e sekserëve tjerë të cilët tanë kohën jonë kanë të perëndishëm, kurse sot po bëhen përcaktues. Pal Lekaj pat deklaruar se Lista Serpska janë një grup banditësh, pinjollë të Nikoliqit, Dacicit e Vuqiqit, dhe kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që të shpalljen nën grata, dhe të përjashtohen komplet nga republika e Kosovës. Çka ka ndryshu tash, tash ju po e shihni janë bashkë me listën Serpska, nuk vijnë në kuvend, koordinohen  qindpëriqnd më Listën Serpska, e cila po ashtu i thojke Ramush Haradinajt kriminel i luftës, por tash nuk kanë problem më me bashkëpunu, edhe pse është e qartë që Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, për me vazhdu qeverisjen e tyre janë të gatshëm me harru gjithçka çka kanë fol, janë të gatshëm me kthy ndikimin e Serbisë, dhe këtë po e di Lista Serpska, prandaj nuk po i pengon Ramush Haradinaj”, kishte deklaruar në fjalimin e tij Frashër Krasniqi, fjalim ky i cili nxiti reagime të shumta në opinionin publik.

Ndërkohë, nuk shkoi shumë kohë dhe Frashër Krasniqi, së bashku me aktivistë tjerë të Vetëvendosjes u dënuan me burg.

Ishte 17 nëntori i vitit të kaluar kur Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 8 vite burg deputetin e Vetëvendosjes, Frashëri Krasniqin, i cili së bashku me Ramush Haradinajn, në kohën kur ishin në opozitë së bashku duke kundërshtuar marrëveshjen për demarkacion kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.

“Janë fajtor sepse pas marrëveshjes paraprake me njëri-tjetrin dhe me qëllim të detyrimit të deputetëve të Kosovës, për mos ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës dhe me qëllim të shkaktimit të ndjenjës së pasigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës, kanë planifikuar, organizuar dhe kanë ndërmarrë veprime përgatiture për kryerjen e sulmit në ndërtesën e kuvendit të Republikës së Kosovës. Të akuzuarit në bashkëpunim kanë kryer vepër penale, kryerja e veprës terroriste nga neni 136 paragrafi 1 lidhur me nenin 35”, kishte deklaruar Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Por, duke u nisur nga përgjimet e publikuara, që njihen si aferat “Pronto”, e ku në to dëgjohen se si bëhen emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë janë ngritur dyshime që fjalimi i Krasniqit dhe akuzat e drejtuara ndaj Haradinajt dhe Veselit mund të kenë qenë arsye që ai të dënohej me kaq shumë vite burg.

Image
Faton Mehmeti

E një gjë të tillë e mbështet edhe analisti në Kosovë, Faton Mehmeti. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Krasniqi është dënuar politikisht.

“Besoj se Frashëri është dënuar politikisht, për shkak te veprimeve te tij anti Thaçi dhe Ramush. Deklarata e Frasherit ku i quan kriminel Ramushin dhe Kadriun  është e mjaftueshme qe ky shtet te fabrikoj akuza te ndryshme, për t'i mbyllur gojën te gjithë ata qe janë kundër. Tanimë duhet miratuar Asociacioni i kërkuar nga Lista Srpska për te pasur votat për demarkacion. Kjo nënkupton nënshtrimin ndaj Listës Srpska e cila po arrin interesat e saja”, ka thënë Mehmeti.

“Ky pushtet është antikombëtar, duke i beërë dëme teë mëdha vendit. Rrjedhimisht edhe burgosjet e oponentëve politike janë të rrezikshme për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e BE. Regjimi Veseli-Haradinaj ka instaluar frymën komuniste ne Kosovë, ngjashëm me atë të Koresë së Veriut”, ka përfunduar analisti, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat