Marrëveshja e drejtësisë në Bruksel, sukses apo dështim?!

Politika

Marrëveshja e drejtësisë në Bruksel, sukses apo dështim?!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 shkurt 2018 Në ora: 14:57
Bruksel

Tashmë janë bërë tri vite që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Drejtësisë në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa dhe ai serb Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin  e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian -së, Federica Mogherini . 

Ish ministrja për Dialogun me Serbinë në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka folur rreth nënshkrimit të kësaj marrëveshje  për të cilën ka thënë se është më rëndësishmja e cila është arritur në dialogun e Brukselit, dhe kjo marrëveshje është zbatuar plotësisht që nga tetori 2017.

“Marrëveshja për drejtësi e arritur në Dialogun e Brukselit ka mundësuar konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit. Me këtë Marrëveshje, Kosova ka vendosur sistemit të drejtësisë unitare edhe në pjesën veriore të shtetit të Kosovës, duke i dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës në fushën e drejtësisë për shumë vite. Kjo marrëveshje ka mundësuar shuarjen e  plotë të strukturave paralele serbe, gjykatave paralele dhe zyrave të prokurorisë që kanë vepruar ilegalisht në Kosovë. Nga ana tjetër gjyqtarë dhe prokurorë serbë të cilët më parë kishin punuar në këto struktura paralele serbe, tashmë janë integruar në institucionet e drejtësisë së shtetit të Kosovës, ku integrimi i tyre është bërë në pajtim me ligjet përkatëse të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Po ashtu, më konkretisht, ajo ka thënë se nga kjo marrëveshje për drejtësi është mundësuar funksionalizimi i Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, në pajtim me ligjet e Kosovës, të cilat të mbulojë shtatë komuna si Vushtrri, Skenderaj, Mitrovica Jugore, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, siç është specifikuar në ligjet përkatëse të Kosovës.

“Marrëveshja mundëson konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë pas shumë vitesh të sfiduar nga ndërhyrja e Serbisë me strukturat paralele, pas luftës dhe veçanërisht pas pavarësisë së Kosovës në 2008. Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme dhe ka kontribuar për forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe është në shërbim nevojave të qytetare për drejtësi. Marrëveshja e Brukselit mbi Drejtësinë është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Marrëveshja mbi drejtësinë rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të 19 prillit 2013, (neni 10) dhe Ligji i Kosovës nr. 04 / l-199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, Tahiri ka thënë se Dialogu i Brukselit ka qenë i dobishëm për shtetin e Kosovës pasi që me marrëveshjet e arritura është mundësuar që shteti i Kosovës të shtrij institucionet e saj edhe në veri të vendit, ndërsa Serbia është detyruar ti shuaj strukturat e veta paralele.

“Bisedimet për çështjen e drejtësisë ishin jashtëzakonisht të vështira dhe komplekse. Pozita e delegacionit të Kosovës ishte e qartë në mbrojtjen e vijave të kuqe, që nënkuptonte respektimin e plotë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës dhe vlerat universale të drejtësisë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pa diskriminim për asnjë arsye. Marrëveshja përfundimtare rezultoi në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën. Kjo marrëveshje së bashku me marrëveshjen për policinë, doganat dhe ajo për kontrollin e kufirit (IBM) kanë mundësuar që Kosova ta vendos sistemin e sajë juridiko-kushtetues përkatësisht sovranitetin shtetëror në tërë territorin e shtetit të Kosovës. Sikurse që dihet, para dialogut të Brukselit gjendja në veri të vendit ka qenë e vështirë për shkak të tendencave të rrezikshme të Serbisë për ta cenuar sovranitetit të Kosovës përmes strukturave të saja paralele në Kosovë. Dialogu i Brukselit ka qenë i dobishëm për shtetin e Kosovës pikërisht sepse marrëveshjet e arritura kanë mundësuar që shteti i Kosovës të shtrij institucionet e saj edhe në veri të vendit, ndërsa Serbia është detyruar ti shuaj strukturat e veta paralele”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

Unifikim i sistemit të drejtësisë

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi ka thënë se kjo marrëveshje ka ndikuar në unifikimin e sistemit te drejtësisë dhe ka zhbëre strukturat paralele te drejtësisë

Image
Adrian Gjoshi

“Në parim, Marrëveshja për Drejtësi e arritur në Bruksel është pozitive sepse ka ndikuar në unifikimin e sistemit te drejtësisë dhe ka zhbëre strukturat paralele te drejtësisë.

Gjithashtu, ndër tjera Gjoshi ka theksuar se ka pasur parregullsi dhe mungese të transparencës.

“Mirëpo, vlerësoj se, procesi në përgjithësi dhe procedura e rekrutimit të prokuroreve dhe gjyqtarëve në veçanti, nuk ka qenë e pranueshme. Ka pasur parregullsi dhe mungese të transparencës.  Për ilustrim, kujtojmë se, prokuroret dhe gjyqtaret e komuniteteve jo shumicë me rastin e dekretimit të tyre në këto pozita, nuk kishin dhënë "Betim" para presidentit, siç rëndom duhet, por kishin dhënë një lloj "Deklarate". Për më tepër, kjo procedure ishte mbajt larg mediave dhe publikut”, ka potencuar Gjoshi.

Veriu i vendit kontrollohet nga Beogradi

Kurse, njësi i çështjeve të drejtësisë,  Blerim Burjani ka thënë se  nuk ka pasur zbatim të plotë të kësaj marrëveshje pasi që ende në veri të vendit kontrollohet nga Beograd.

“Kjo është e filluar deri diku po zbatohet , atje ka filluar të funksionojnë organet e drejtësisë  asgjë nuk  ka ndryshuar si para marrëveshjes edhe tash njëjtë jo diçka me ndryshe , me specifika dirigjuese qe vijnë nga Beogradi atje kontrollohet gjithçka nga Beograd”, ka shtuar ai.

Image
Blerim Burjani

Për më tepër, ai ka shtuar se është vështirë të  funksionojnë të pavarur si organe nuk ka shumë transparencë për punën e organeve të drejtësisë.

Dështimi në Bruksel

Kurse, analisti Hidajet Ahmeti, ka thënë se me këtë marrëveshje janë paraparë që të bëhet “integrimi” i serbëve i cili ka dështuar. 

“Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë është një nga marrëveshjet e arritur në dialogun e Brukselit i që parashihte  konsolidimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit. Kjo  marrëveshja për drejtësinë parashihte  vendosjen e një sistemi unitar të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, si dhe shuarjen e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë. Planet specifike të zbatimit janë dakorduar me qëllim që të përfshihen tri proceset relevante: 1. Vendosja e sistemit unitar të drejtësisë në veri të Kosovës, 2. Shuarja e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë, dhe 3. Integrimin e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

 

Gjithashtu, ai ka shtuar se kjo marrëveshje ngërthente brenda vetës pika të caktuara  që me jetësimin e tyre kuptimsonin shtetin e Kosovës.

“Edhe “integrimi” i serbëve që proklamohej përmes kësaj marrëveshje dështoj, pasi marrëveshja e nënshkruar në mes dy shteteve nuk u zbatua  në bazë të planit dinamik. Dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje mbrapshtë, duke  fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë. Gjashtë vite bisedime, jo që u integruan serbet në institucionet e Republikës së Kosovës, por u fuqizua shteti serb brenda Kosovës”, ka deklaruar ai.

Për më shumë, ai ka potencuar se shumica e marrëveshjeve të arritura në Bruksel  nuk janë zbatuar dhe se ky dialog do ta afrojë Serbinë drejtë Bashkimit Evropian.

 “Shumë marrëveshje të arritura në mes palëve nuk u zbatuan asnjëherë, edhe ndërmjetësja në mes palëve BE-ja heshti, bile duke insistuar që dialogu të vazhdojë. Shume herë u malltretuan ish luftëtarët e UÇK-së, u fyen institucionet e Republikës së Kosovës, u provokua për mes ndërtimit të murit dhe tendencën për futjen e trenit provokues, por institucionet e Republikës se Kosovës prapë vazhduan me logjikën e njëjtë karshi dialogut. Me këtë logjikë, dialogu do ta afrojë Serbinë drejtë BE-së dhe mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtarë dhe do ta dëmtojë Republikën e Kosovës në substancë”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat