Ekskluzive: Flet prokurori i Speciales David Schwendiman, ky është paralajmërimi i tij

Politika

Ekskluzive: Flet prokurori i Speciales David Schwendiman, ky është paralajmërimi i tij

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 shkurt 2018 Në ora: 17:29
David Schwendiman

“Vendosmëria e atyre që po punojnë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ndikohet nga largimi im, dhe kushdo qoftë që vjen pas meje do të jetë po aq e zotuar në kryerjen e punës drejt dhe mirë dhe aq shpejtë sa është e mundshme”, përfundon përgjigja e Prokurorit të Specializuar David Schëendiman, për gazetën “Bota sot”.

Prokurori special David Schwendiman do të përfundojë mandatin e tij me 31 mars të këtij viti dhe në vend të tij do të emërohet Kwai Hong Ip.

Dhe për mundësinë e ndikimit në punën e Speciales largimi i tij, ai ka folur ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, derisa ka thënë se ka ndihmuar në sigurimin e burimeve të nevojshme, derisa thotë se e trishton largimi, por që beson në kolegët e tij dhe punën e tyre.

“Siç e tregova në deklaratën time të enjten javën që shkoi, mua më trishton largimi im nga kolegët të cilët admiroj dhe respektoj pa mbaruar atë që e nisëm së bashku. Megjithatë, kam shumë bindje, besim dhe mirëbesim në ata kolegë, dhe unë e di që për shkak të tyre puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk do të ligështohet. Detyra ime si Prokurori i Specializuar ka qenë t’i caktoj politikat, ta drejtoj punën dhe të sigurojë që ata që bëjnë punën kanë burimet dhe mbështetjen që u duhen që ta kryejnë punën. Unë kam ndihmuar në rekrutimin e një stafi të jashtëzakonshëm, unë kam ndihmuar në sigurimin e burimeve të nevojshme të veprojnë në mënyrë efikase, dhe kam punuar që të marr dhe ta mbaj përkrahjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare që ta mbartin punën më tej”, thuhet në përgjigjen e Schwendiman.

Më tej, ai thotë se largimi i tij nuk do të ndikojë në punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kushdo që vjen pas tij, do të punojë drejt dhe mirë e shpejt sa është e mundshme.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është në një rrugë të qëndrueshme dhe vazhdimësia sigurohet nga figura e Zëvendësit tim, Kwai Hong Ip. Ai po e merr detyrën e Prokurorit të Specializuar të Përkohshëm, siç ai bëri aq mirë me Task Forcën Hetimore Speciale pas largimit të Clint Williamson-it. Vendosmëria e atyre që po punojnë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ndikohet nga largimi im, dhe kushdo qoftë që vjen pas meje do të jetë po aq e zotuar në kryerjen e punës drejt dhe mirë dhe aq shpejtë sa është e mundshme”, përfundon përgjigja e Prokurorit të Specializuar David Schwendiman, për gazetën “Bota sot”.

E për këtë edhe kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova ka thënë se Specialja do të vazhdojë punën pa ndërprerje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat