Lamtumirë Kullë e Çakorr, nuk ndryshoi versioni i Murat Mehës, por qëndrimi i Haradinajt

Politika

Lamtumirë Kullë e Çakorr, nuk ndryshoi versioni i Murat Mehës, por qëndrimi i Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 21 shkurt 2018 Në ora: 20:12
Ramush Haradinaj

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, PDK-së, AAK-së, NISMA-s do të votojnë nesër (e enjte) pro projektligjit për Marrëveshjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, që u miratua në gusht të vitit 2015. Kundër saj, pritet të votojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se subjekti i tij politik është pro miratimit të kësaj marrëveshje, por sipas tij deklarata në mes të presidentit Thaçi dhe homologut të tij malazias, Filipe Vujanoviç është një dokument vetëm sa për të ruajtur fytyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Deputetët e Kuvendit do të kenë mundësi që të votojnë pro ose kundër Marrëveshjes për shënjimin e kufirit në mes së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo, pasi anëtarët e Kryesisë së Kuvendit kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të enjten, me një pikë të vetme të rendit të ditës, që është Demarkacioni.

Marrëveshja për shënjimin e kufirit me shtetin fqinj u nënshkrua në gusht të vitit 2015, nga përfaqësuesit e të dyja qeverive, por miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e kaluar u pamundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe NISMA-s, të cilët pretendonin se vendi po humb territor.

Madje, për të parandaluar miratimin e saj ata pamundësuan për më shumë së gjashtë muaj mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, duke hedhur gaz lotsjellës në seancë.

Por, tashmë deputetët e AAK-së dhe të NISMA-s që janë në koalicion qeverisës me PDK-në, do të votojnë pro kësaj marrëveshje.

Arsyetimi i tyre është se pas dakordimit në mes së presidentit, Hashim Thaçi dhe homologut të tij malazias, Filip Vujoviç që projektligjit të Demarkacionit, t’i shtohet edhe një aneks që parasheh se do të krijohet një komision i përbashkët për shënjimin e kufirit dhe korrigjimit në pikat kontestuese në Çakorr dhe në Kullën e Zhlebit.

Votën e tyre pro këtij projektligji do ta japin edhe deputetët e LDK-së, por në këtë subjekt politik thonë se aneksi i arritur në mes të dy presidentëve është vetëm sa për të shpëtuar me fytyrë, kryeministrin Ramush Haradinaj.

Kurse, deputetët e Vetëvendosjes që do të votojnë kundër thonë se aneksi është një deklaratë e thjeshtë që nuk përbën asnjë obligim juridik për shtetin e Malit të Zi.

Veseli: Shënimi i kufirit do të kalojë, jam i sigurt

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se është i sigurtë se kjo marrëveshje do të miratohet në Kuvend.

Ai madje e ka quajtur historike mbajtjen e seancës për miratimin e kësaj marrëveshje.

“Sot politika e gjatë e Kosovës ka rastin të bashkohet pa asnjë dallim. Kemi një çështje të rëndësishme për forcimin e sovranitetit, lidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve drejt BE-së. Nesër duhet ta ketë parasysh secili deputet këtë çështje dhe të mos veprojë mbi inatin apo kalkulimeve që do të jenë të rëndësishme për të ardhmen. Shënimi i kufirit do të kalojë, jam i sigurt që do kalojë në seancën. Besoj në përgjegjësinë e deputetëve sepse është më rëndësi interesi i qytetarëve, kërkoj të kemi besim dhe shpresë dhe të kalojë kjo marrëveshje”, tha Veseli.

Ai është shprehur optimist se ratifikimi do të kryhet shumë shpejt dhe më e mira është që kjo histori të përfundoj qysh në ditën e sotme.

Konjufca i VV-së: Përmes kësaj marrëveshje shkelet integriteti

Ndryshe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mendon anëtari i kryesisë, Glauk Konjuca.

Në konferencën për medie pas përfudnimit të mbledhjes së Kryesisë, Konjufca ka thënë se përmes kësaj marrëveshje shkelet integriteti territorial i Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshje shkelet integriteti territorial i Kosovës, të gjeturat e komisionit shtetëror janë të sakta. Komisioni na ka tregu që kemi të bëjmë me gabime themelore, dhe si rezultat i punës së gabueshme të komisionit Meha e cila është nënshkruar nga kryeministri i athershëm Thaçi. I vetmi fat në fatkeqësi është se pjesë integrale e raportit që do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të komisionit shtetëror të Bulliqit, aty shkruan mos e nënshkruani këtë marrëveshje”, ka thënë Konjfuca.

Hoti: LDK mbetet unike për demarkacionin, koalicioni nuk i ka 61 vota

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Lidhja Demokratike mbetet unike kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve.

“LDK-ja dhe Grupi Parlamentar prej 27 deputetëve mbesin unik në qëndrimin që kemi pasur, i cili është në të mirë të qytetarëve për të hap ekspertizën. Na vjen keq që koalicioni qeverisës nuk i ka 61 vota për ta quar përpara procesin dhe nuk janë unik si koalicion qeverisës për të çuar përpara këtë proces”, ka thënë Hoti.

Hoti është shprehur kritik ndaj raportit të Bulliqit dhe marrëveshja mes presidentëve. Ai ka thënë se këto janë dokumente për ta ruajtur fytyrën e kryeministrit.

Hoti iu ka përgjigjur edhe Memli Krasniqit, i cili tha se LDK-ja po i ndryshon qëndrimet, sipas tij Krasniqi duhet të mendoj se a i ka 61 vota për votim dhe të mos merret me LDK-në.

Isufi thotë se marrëveshje për aneksin mundëson rishikimin e gabimeve

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se subjekti i tij politik do të votojë pro shënjimit të kufirit.

Ai ka thënë se marrëveshje e fundit në mes të dy presidentëve mundëson korrigjimin e gabimeve të mëhershme.

“Prandaj tani jemi në një seancë në të cilën do të ndryshohet gjendja dhe do ratifikohet kjo marrëveshje që e përcakton vijën e drejtë kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës. Votat do shihen nesër në Kuvendin e Kosovës dhe do kalojë si marrëveshje që kalon me korrigjimin e gabimeve të bëra në komisionin Meha”, tha Isufi.

“Ligji ka katër pika në të cilat janë elemente që theksojnë se bëhet rishikimi dhe korigjimi në pjesët kufitare ku ka pas devijme, edhe materialet kanë të bëjnë me dokumentacion me gabimet që i ka raporti dhe garanton një ndryshim të gjendjes në teren. Këtë marrëveshje e votojmë si AAK sepse mundësohet rishikimi i gabimeve të bëra”.

Edhe Komisioni për punë të jashtme procedoi demarkacionin në Kuvend

Edhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike kanë votuar që Marrëveshje për shënjimin e kufirit me Malin e Zi të procedohet në Kuvend. Katër anëtar të këtij komisioni kanë votuar pro, kurse dy kundër.

Kundër miratimit të kësaj marrëveshje, u deklarua anëtari i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili tha se kjo marrëveshje nuk duhet t'i dorëzohet Kuvendit për miratim, pasi që tha se në këtë mënyrë Kosova po humb territor.

"Në kuadër të këtij debati, po dëshmohet se Kosova ka humbur territor, por po gënjehet publiku. Konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përdorët një gjuhë e njëjtë për të dyja palët nënshkruese, pasi që tek pala kosovare thuhet se do të ketë korrektime. Kjo marrëveshje nuk do të duhej fare që t'i paraqitej Kuvendit", ka thënë Ymeri.

Kurse, anëtari tjetër po nga ky subjekt politik, Dukagjin Gorani e quajti improvizim, përpjekjen për të miratuar këtë marrëveshje.

"Përpjekja e sanimit të dëmit, me improvizime duke u munduar të futen në deklaratën e dy presidentëve vetëm sa e bënë më të madh dëmin... Sot jemi ardhur në një situatë kur kjo çështje ka dalë jashtë kornizave. Sot gjithkush duhet ta rezervojë të drejtën e vet në mënyrën sesi voton", ka theksuar Gorani.

Nga ana tjetër, anëtaret e këtij komisioni nga partitë në pushtet mirëpriten procedimin e saj.

“Marrëveshja e dy presidentëve me 16 shkurt ka pasur ndikim pozitiv tek qytetarët e Kosovës dhe unë mendoj se duhet ta procedojmë këtë marrëveshje", ka thënë Elmi Reçica nga PDK-ja.

Një qëndrim të tillë paraqiti kolegia e tij nga AAK-ja, Time Kadriaj.

Sipas saj, është e rëndësishme që kjo punë ka ardhur deri këtu, pasi edhe për Malin e Zi nuk ka qenë e lehtë të pranojë të korrektohen paqartësitë se ku gjendet kufiri.

"Nëse kjo marrëveshje do të kishte ardhur pa këto unë nuk do ta kisha votuar", ka thënë ajo.

Projektligji ka pika në kundërshtim njëra me tjetrën

Deputeti nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se para vetes kanë një projektligj i cili në vete ngërthen pika që janë në kundërshtim me njëra-tjetrin.

"Projektligji kërkon ratifikimin e marrëveshjes e cila nuk ka ndryshuar fare e në anën tjetër ky projektligj përmban paragrafin, i cili është cenon integritetin territorial të Republikës të Kosovës dhe sovranitetin", theksoi ai.

Ndërsa deputeti Ali Lajçi bëri thirrje që të mos luhet me ndjenjat e qytetarëve, duke u thënë se me këtë marrëveshje zgjidhet çështja e liberalizimit të vizave.

"Ajo vijë nuk ishte demarkim, por ishte vendosje e një vije të re kufitare. I dimë ne këto gjëra. Silleni vendimin për liberalizimin e vizave e ne e votojmë menjëherë. Mos tentoni të bëni kështu, sepse kjo është humbje e territorit në mënyrë të maskuar. Mos e vazhdoni këtë, sepse me këtë nuk i bie mirë askujt në Kosovë dhe merrni përgjegjësi për gjithë këtë kohë që e kemi humbur duke bërë marrëveshje të dëmshme", ka thënë deputeti tjetër i VV-së, Ali Lajçi.

Kurti thotë se të gjithë deputet e VV-së, votojnë kundër demarkacionit

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se të gjithë deputetët e subjektit të tij do të votojnë kundër demarkacionit.

“Nuk ka asnjë deputet të Vetëvendosjes i cili ka shprehur çfarëdo dyshimi që do të mund të kuptohej si ndryshim qëndrimi, nuk ka, demarkacioni dhe Zajednica janë diçka për të cilët, jo deputet, por s’ka as anëtarë të Vetëvendosjes që mendon ndryshe dhe ne nuk kemi dyshime për këtë gjë. Dorëheqjet kanë ndodhur nga strukturat organizative, jo nga Lëvizja, jo nga grupi parlamentar dhe kurrsesi nuk ka pakënaqësi për tema e për çështje. Askush nuk ka thënë që po tërhiqem se për demarkacion apo Zajednicën mendoj ndryshe”, ka theksuar Kurti.

Sipas Kurtit ratifikimi i demarkacionit nuk e dobëson Thaçin e Haradinajn, por ata forcohen me këtë, andaj ai ka thënë se Qeveria duhet të rrëzohet, por jo duke ia miratuar asaj legjitimimin e tradhtisë dhe krimit që ka bërë.

Ai më tej ka mohuar faktin se me miratimin e kësaj marrëveshje, Kosova do të marrë shumë shpejt liberalizimin e vizave.

“Liberalizimi nuk do të vijë këtë të premte, as javën e ardhshme, as muajin e ardhshëm e as në stinën e ardhshme së paku. Prandaj, pse po nxitohen? Ata qartazi nuk e kanë për liberalizim të vizave, sepse nuk e kanë për qytetarët. Po ta kishin për qytetarët, ata nuk do të pasuroheshin për vete, e populli të ngelej gjithnjë i varfër, nuk do t’i jepnin pjesë të shtetit Serbisë, e pjesë të territorit Malit të Zi. Po ta kishin për qytetarët nuk do t’i bënin pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra e mbi 70 zëvendësministra. Këta se paku nuk e kanë për qytetarët, por e kanë për vete, e kanë për karriget e tyre që po u lëkunden, e nuk e kanë për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka shtuar Kurti.

Konjufca: Nuk ndryshoi marrëveshja e Murat Mehës, por qëndrimi i Haradinajt

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se marrëveshja Thaçi-Vujanoviq nuk ka asnjë obligim për Malin e Zi, pos asaj marrëveshje që ajo e ka miratuar në Kuvend.

Sipas tij, kjo marrëveshje është arritur vetëm për konsum të brendshëm. Konjufca ka akuzuar kryeministrin Haradinaj për ndryshim qëndrimi aktualisht në raport me kohën kur kanë qenë në opozitë.

“Nuk është që ka ndryshuar demarkacioni i Murat Mehës, por kanë ndryshuar AAK-ja dhe Nisma. Ky është problemi dhe zhvillimi i ri në Kosovë këto ditët e fundit. Nuk bëhet fjalë, pra për korrigjim të kufirit në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit, por për devijim të qëndrimit të Haradinajt në drejtim të Murat Mehës. Po iu kujtohet ai rasti kur Haradinaj ia pati hedhur në fytyrë hartat Murat Mehës. Problemi është se ai që po mbetet pa fytyrë është kryeministri i Kosovës, kurse fatkeqësisht po ngadhënjen vetë Murat Meha”, ka shtuar Konjufca.

Kundër kësaj marrëveshje, ka dal edhe Visar Ymeri dhe deputetët e krahut të Dardan Molliqajt, që u dorëheqjen nga funksionet kyçe në Vetëvendosje që pritet të themelojnë një parti të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat