Shtyhet votimi Demarkacionit, raporti i Bulliqit “mollë sherri”

Politika

Shtyhet votimi Demarkacionit, raporti i Bulliqit “mollë sherri”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 23 shkurt 2018 Në ora: 18:47
Kuvendi i Kosovës

Seanca për miratimin e Projektligjit për rishikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, është ri-shtyrë për të mërkurën e ardhshme.

Kjo, pasi që partitë politike nuk kanë arritur që edhe në seancën e së premtes të dakordohen për të miratuar dokumentin në fjalë.

Këtë herë, kundërshtimi më i madh erdhi nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

LDK po e përkrah marrëveshjen e vitit 2015 për kufirin e nënshkruar nga dy qeveritë dhe deklaratën e dy presidentëve, por po e kundërshton që së bashku më këto të dyja, të futet edhe Raporti i Shpejtim Bulliqit.

Nga ana tjetër, AAK po këmbëngul që ky raport të miratohet së bashku me marrëveshjen dhe me deklaratën e krerëve të shtetit.

Ku kundërshtim i tyre, ka çuar në një debat të ashpër mes kryeministrit Haradinaj dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdulla Hoti.

Raporti i Bulliqit, ka çuar në akuza dhe kundër akuza ndërmjet LDK-së dhe AAK-së.

Madje, kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij ka kërcënuar se ai kurrsesi nuk do të lejojë që marrëveshja për kufirin të miratohet pa Raportin e Shpejtim Bulliqit.

“Ka dy vite e gjysme që jemi ndarë si vend për një temë që ka të bëjë me territorin e vendit dhe kufirin me një fqinj. Pas një pune intensive kemi arritur të vijmë me një materie para juve, e kjo është kështu. E para ligji, që ka ardhur të ju e ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015, pikërisht këta”, ka thënë Haradinaj.

Ai madje, duke goditur me grusht foltoren e kuvendit, ka thënë se nuk do të hiqet as edhe një germë e këtij raporti.

“Qeveria e vendit tuaj, ka formuar një komision t’i shoh këto dilema, ai komision nuk është i Ramush Haradinajt, as i babës Hilmi, ku po iu dhemb ai komision, a kaq fort jeni kundër atij territori a. Marre iu qoftë. Këtë raport po ju pengon, ku po ju dhemb, nëse keni problem kallxoni. Po doni ta quani dokument orientues, jo sa të jem unë, jo. Komisioni i Qeverisë e ka prodhuar një raport, a fort po iu dhemb raporti a. As një germë nuk i hiqet këtij ligji”, ka thënë më tej Haradinaj.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Shtunën dhe të Dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat