Temat jetike, Kosova pret dritën e gjelbër nga BE-ja

Politika

Temat jetike, Kosova pret dritën e gjelbër nga BE-ja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 shkurt 2018 Në ora: 16:45
Takimi Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk e di ende se kur do të rinis dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër zërave se bisedimet do të mund të fillojnë në fund të muajit shkurt, nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk është dhënë ndonjë datë e mundshme, që do të shënonte nisjen e tyre.

Por, Avni Arifi, udhëheqës i delegacionit të Kosovës për dialogun në Bruksel, ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” se Qeveria është e gatshme, mirëpo për kohën e nisjes duhet pyetur zyra e Bashkimit Evropian.

Image
Avni Arifi

Ndërsa, i pyetur se për cilat tema do të bisedohet në raundin e ardhshëm, Arifi ka pohuar se temë do të jenë marrëveshjet ekzistuese dhe implementimi i tyre.

“Kur? Pyeteni zyrën e BE-së. Ne jemi të gatshëm. Temat duhet të jenë implementimi i marrëveshjeve ekzistuese”, ka thënë Avni Arifi.

Se dialogu duhet të nisë, e kanë thënë edhe nga partitë tjera në pushtet.

AKR: Kosova duhet të vë në tavolinë të bisedimeve tema jetike

Vesel Makolli, sekretar i Aleancës Kosova e Re, ka thënë për “Bota sot”, se dialogu me Serbinë është e pashmangshëm dhe se paqja do të arrihet vetëm me bisedime.

Image
Vesel Makolli

Ai ka pohuar se Kosova duhet të vë në tavolinë të bisedimeve tema jetike për vendin.

“Dialogu është i pashmangshëm. Është e njohur se pas çdo lufte gjatë historisë, në fund dy palët kanë ardhur në tavolinën e bisedimeve. Paqja arrihet me dialog e bisedime. Më mirë është të bisedohet me vite të tëra, se sa të luftohet edhe vetëm një ditë. Ne duhet të insistojmë që në tavolinë, të vijnë temat që janë jetike për neve, gjegjësisht duhet që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, Serbia (nënkuptohet edhe Rusia), mos ta pengojnë rrugën tonë të inkuadrimit në OKB, si dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare”, është shprehur Makolli.

Ai ka theksuar se shqiptarët dhe serbët duhet t’i lënë anash urrejtjet folklorike dhe t’i kthehen fqinjësisë së mirë, derisa shembull për këtë ka marrë luftën dhe paqen mes francezo-gjermanëve, anglezo-francezëve.

“Është e njohur armiqësia dhe lufta e popujve të mëdhenj mes vete (si francezo-gjermane dhe anglezo-franceze), dhe tash këta popuj jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe bashkëpunojnë në mes vete për të mirën e njerëzimit. Duhet popujt e Ballkanit, në këtë rast, shqiptarët dhe serbët, t’i lënë anash urrejtjet folklorike, nacionalizmat e sëmurë ekstrem dhe t’i kthehen fqinjësisë së mirë në dobi të prosperitetit dhe paqes të të dy popujve, të dy vendeve dhe të regjionit”, ka thënë më tutje zyrtari i AKR-së.

Ai ka shtuar se në Serbi, tashmë kanë nisur të pranojnë realitetin në lidhje me shqiptarët.

“Fatmirësisht, ka zëra në Serbi që kanë filluar të pranojnë realitetin dhe të mos jetojnë me gënjeshtra dhe ëndrra të thurura nga nacionalistët ekstrem serb. Nacionalizimi folklorik ekstrem i bënë dëm më së shumti popullit të vet. Evropa po shkon drejt bashkimit përfundimtar, andaj bisedimet janë të pashmangshme. Kosova pozicionin e vet si shtet, e përforcon në arenën ndërkombëtare me funksionimin e shtetit në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, si dhe me zgjidhjen e problemeve me fqinjët me anë të dialogut, tolerancës dhe paqes”, ka përfunduar Vesel Makolli.

Agjendë ndërkombëtare

Image
Leon Duhanaj

Edhe sipas njohësit të çështjeve politike Leon Duhanaj, dialogu duhet të vazhdojë, pasi ai është agjendë ndërkombëtare. Mirëpo , ai ka theksuar se pala serbe, po tenton të sabotojë dialogun, përmes agjendave evropiane.

“Çështja e dialogut, mes Kosovës dhe Serbisë, është agjendë ndërkombëtare. Palët në dialog, nuk mund të kenë edhe shumë ndikim në të. Ajo çfarë mund të bëjnë dhe që e bën vazhdimisht pala serbe, është tentativa për ta sabotuar dialogun, përmes agjendave paralele. Shqiptarët, nuk kanë alternativë tjetër dhe duhet të ulën në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në skenën politike të Kosovës, ka më shumë punëtorë agjenturash të huaja, që punojë në dëm të interesit të shqiptarëve, se sa njerëz që punojnë dhe veprojnë me dinjitet për këtë vend.

“Ajo çfarë do duhet ta bënin, e që nuk po arrin asnjëherë, është që të kenë unitet kombëtarë dhe, të koordinohen rreth një platforme të përbashkët. Kjo për fat të keq nuk po ndodhë, pasi që në skenën politike kosovare, më shumë ka punëtorë agjenturash të huaja, që punojë në dëm të interesit të shqiptarëve, se sa njerëz që punojnë dhe veprojnë me dinjitet për këtë vend”, ka pohuar Leon Duhanaj.

Nevojitet ekip i mirëfilltë për përfaqësim

Por, kritik ndaj Bashkimit Evropian, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, i cili ka thënë se nuk ka rezultate për pesë vjet dialog.

Image
Blerim Burjani

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, njohja e Kosovës nga Serbia, temat e suksesionit dhe fondet, janë tri temat më të rëndësishme të dialogut.

“Ky dialog duket që s’ka edhe cak të shpejtë, BE nuk ka ndonjë strategji se kur do të përfundojë, ata vetëm i lënë palët që të caktojnë tema dhe të flasin. E tëra që sugjeron BE, është dialogu pa dialog pa ndalë, mirëpo nuk po shohim rezultate qe pesë vite të tëra. Sipas BE-së, ende ka punë shumë për të zgjidhur dy vendet, mirëpo nuk po ka çështje kruciale, siç janë njohja e Kosovës nga Serbia dhe temat si suksesioni dhe fondet tre, tri tema të rëndësishme të dialogut dhe pastaj Asociacioni i Komunave. Ende shumë larg janë temat kryesore si njohja, përcaktimi i linjës kufitare, suksesioni dhe fondet, dëmet e luftës, të gjitha këto tema që i përmenda, janë tema që çojnë në fund të plotë të këtij dialogu maratonik që 5 vjet”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, dialogut i mungojnë profesionistët, pasi nuk ka një ekip të mirëfilltë për dialog.

“Në anën tjetër, nuk ka ekip të mirëfilltë për dialog, më pak është lënë në duar të profesionistëve, vetëm presidenti ka udhëhequr këtë dialog ashtu siç ka ditur dhe ka mundur, me gabime e dështime, të gjitha përnjëherë. Pa ndonjë ekip profesional, nuk ka zgjidhje adekuate të problemeve”, është shprehur për “Bota sot”, Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat