Analisti politik tregon nëse ishin të nevojshme shpenzimet 50 mijë euroshe për “Komisionin Bulliqi”

Politika

Analisti politik tregon nëse ishin të nevojshme shpenzimet 50 mijë euroshe për “Komisionin Bulliqi”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 shkurt 2018 Në ora: 23:36
“Komisioni Bulliqi”

Kryeministri Haradinaj gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, por edhe në fillim të mandatit pretendote dhe ishte i bindur se Kosova po humbte territor në kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Për pretendimet dhe bindjen e tij, Haradinaj punën e parë që e ka bërë pas marrjes së mandatit ka qenë shkarkimi i komisionit të udhëhequr nga Murat Meha dhe formimin e komisionit kryesuar nga Shpejtim Bulliqi.

Për komisionin e formuar, Haradinaj ka shpenzuar rreth 50 mijë euro nga buxheti i shtetit dhe tani ky komision është hequr dje pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët nuk pranuan raportin si dokument obligues, por vetëm si dokument orientues.

Sipas analistit politik, Arbër Gashi, ky komision nuk mund të ngjizet dhe të shihet pjesë e ekzekutivit apo politikave të përditshme.

Image
Arbër Gashi

Gashi ka pohuar për “Bota sot” se, shpenzimet janë qesharake në krahasim me vlerën e atij komisioni.

“Personalisht, mendoj se puna e Komisionit të Profesorit Shpejtim Bulliqi ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme dhe shumë e dobishme për interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Buxheti i shpenzuar nga ky Komision është qesharak në krahasim me vlerën që e ka prodhuar puna e këtij komisioni për interesin shtetëror dhe atë kombëtar. Gjithashtu mendoj se ky komision nuk mund të ngjizet dhe të shihet si pjesë e ekzekutivit apo politikave të përditshme që burojnë ose sjellin pasoja nga dikasteret e ndryshme të këtij institucioni. Andaj, duke e parë punën e komisionit në rrafshin profesional, unë mendoj se formimi i tij ka qenë vendimi i vetëm pozitiv i kryeministrit gjatë kësaj periudhe”, ka theksuar Gashi.

Marrëveshja për kalimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është arritur dje nga të gjitha partitë politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo marrëveshje është paraparë të votohet në seancën e të mërkurës, mirëpo sipas partnerit të koalicionit qeverisës, Behgjet Pacolli, të mërkurën do të ketë vetëm debat, ndërsa në javën e dytë të marsit do të miratohet marrëveshja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat