Kosova hyn në fazën e pasigurisë, Gjykata Speciale arsyeja e krizës politike?

Politika

Kosova hyn në fazën e pasigurisë, Gjykata Speciale arsyeja e krizës politike?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 mars 2018 Në ora: 21:37
Prishtina

Këto ditë është paralajmëruar se arrestimet e para të Gjykatës Speciale do të ndodhin në fund të muajit mars. Cak i akuzave të Gjykatës Speciale, pritet të jenë edhe figura të larta të skenës politike në Kosovës. Në anën tjetër, skena politike në Kosovës, ka një kohë të gjatë që nuk po e gjen qetësinë për shkak të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Koalicioni qeverisës ende nuk ka mundur t`i sigurojë të gjitha votat e nevojshme për votimin e kësaj marrëveshjeje.

Gashi: Çështja e Demarkacionit mund të keqpërdoret

Duke folur lidhur me këtë çështje, avokati Tomë Gashi ka rikujtuar se  udhëheqës të caktuar politik dhe shtetëror, që nga 22 dhjetori i vitit të kaluar, tentuan kinse për ta zhbërë Gjykatën Speciale, por nuk u realizua thuajse asgjë.

Image
Tomë Gashi

Sipas tij,  një prej qëllimeve kryesore ka qenë faktorizimi tek Bashkësia Ndërkombëtare, posaçërisht tek ata që e kanë sponsorizuar krijimin e Gjykatës Speciale tek ShBA dhe BE.

“Faktorizimi tek Bashkësia Ndërkombëtare është bërë me pretendimin se kinse vetëm ata munde ta ruajnë stabilitetin politik në Kosovë. Kjo vërtetohet edhe nga tërheqja e një pas njëshme e prijësve të shtetit të Kosovës nga iniciativa për zhbërjen e Gjykatës  Speciale. Dhe çështja e demarkacionit mund të përdoret për të njëjtat qëllime por nuk do të këtë sukses. Sepse, këtë nuk e lejon ruajtja e kredibilitetit të vet Gjykatës Speciale dhe zyrës së prokurorit Special po ashtu në Hagë”, ka thënë avokati Gashi.

Për avokatin, është e palogjikshme, që një Gjykatë e cila është funksionale që nga qershori i vitit të kaluar të mos fillojë punën e saj, pasi atëherë nuk konsiderohet mekanizëm efektive.

“Të gjithë e dinë se kjo Gjykatë vetëm formalisht është e Kosovës por në esencë është Gjykatë ndërkombëtarë penale”, ka thënë avokati Gashi.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se ishte dashur që së paku Kosova të lirohet nga tema e demarkacionit.

“Çështja e Gjykatës dhe veprimit të saj, është çështje kohe dhe kjo Gjykatë ka qenë shumë decidive, prandaj edhe është e gatshme në secilin moment që të reflektojë dhe të nxjerr akuzat e para. Natyrisht se akuzat e para do ta trondisin skenën politike të vendit dhe mund të bëjnë një tërmet politik. Por kjo do të ndodhë dhe nuk mundet më të prolongohet fillimi i punës së kësaj Gjykate. Kosova po hyn në fazën e pasigurisë së saj politike të vështirë dhe të rëndë për ta menaxhuar gjendjen për shkak se njerëz të cilët mund të merren nga Gjykata Speciale janë njerëz që kanë edhe fuqinë e parasë por kanë edhe qytetarët me vete e sidomos nga regjionet që vijnë”, ka thënë Burjani.

Funksionimi i Dhomave të Specializuara është vonuar

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Bota sot”, se Gjykata speciale është shndërruar si shpresë dhe mundësi e mirë që njollat e zeza të largohen nga lufta e pastër, e drejtë dhe dinjitoze e UÇK-së dhe njëherë e përgjithmonë të kuptohet se UÇK-ja ka vepruar brenda ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare.

Image
Hidajet Ahmeti

“Nuk duhet përjashtuar se grupe të njerëzve  kanë keqpërdorur vlerat e UÇK-së dhe misionin e saj të drejtë e të pastër, duke tjetërsuar misionin në UÇK-së në interesa të ngushta personale e politike. Gjykata Speciale që në substancë është diskriminuese  dhe rrjedhur si shkak i dështimit të sistemit të drejtësisë brenda juridiksionit të shtetit të Kosovës. Funksionalizimi i dhomave të specializuara është vonuar, pasi faktorët determinues janë të shumtë. Në njërën anë kemi situatën e brendshme dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, kurse në anën tjetër kemi faktorët e brendshëm të vet Gjykatës speciale, e cila nuk është e interesuar të krijoj destabilitet të brendshëm në  Kosovë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë, se kokat me ndikim në skenën politike të vendit do të mbeten për fund pasi aktakuzat do të fillohen nga “bishti tek koka”.

“Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e amnestimit të aktorëve kryesor në këtë lojë, pasi që kjo mund të ndodh nëse këta të fundit bashkëpunojnë më gjykatën në fjalë, duke dërguar shokët e tyre në bankat e të akuzuarve. Nuk mund të paragjykoj epilogun e kësaj gjykate, por mbështetur në përvojën e kaluar, Gjykata Speciale do të jetë vazhdimësi e shumë mekanizmave ndërkombëtar për rend e ligj, të cilët kanë dështuar në misionin e tyre mandator”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Zogaj: Gjykata Speciale, arsyeja e krizës politike

Nga ana tjetër, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se paralajmërimet e reja për realizimin e arrestimeve nga ana e Gjykatës Speciale, tregojnë se shumë shpejt do të fillojë të shthuret drama e rëndë e pritjes dhe ankthit, që është krijuar rreth Gjykatës Speciale, e cila është formuar për hetimin dhe dënimin e veprave kriminale të supozuara që janë bëra gjatë dhe pas luftës.

Image
Skender Zogaj

“Se ka pasur krime e dimë të gjithë nga vrasjet e panumërta politike që kanë ndodhur, duke filluar nga atentati kundër ministrit të -parë të mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit e deri te gazetari Bardhyl Ajeti, vrasje këto që nuk janë zbardhur kurrë, por që shpresohet se më në fund vrasësit do të zbulohen dhe do të marrin dënimin e merituar. Ky paralajmërim padyshim që i ka shqetësuar të gjithë ata që e shohin veten si kandidatë të mundshëm për Gjykatën Speciale dhe të këtillët, është krejtësisht normale që të bëjnë të pamundurën për ta penguar Gjykatën në punën e saj” ka thënë Zogaj, duke shtuar se këtu edhe qëndron arsyeja e krizës së gjithëmbarshme që po e mbanë në ankth popullin e Kosovës, duke ia frenuar konstituimin dhe funksionimin e duhur ligjor shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë, se kriminelët që i kanë duart e përgjakura, Kosovën me kënaqësi do ta fusin në gojë të krokodilit, vetëm e vetëm që të shpëtonin lëkurën e tyre nga Gjykata.

“Këtë edhe po përpiqen ta bëjnë, por për fatin e tyre të keq, nuk do të arrijnë sepse Gjykata e ka marrë seriozisht udhën e ndjekjes së kriminelëve dhe shumë shpejt do ti vë fajtorët nën pranga. Vonesë mund të ketë por shpëtim jo. Kriminelet paçin faqen e zezë, që nuk na e prishën e shijimin e gëzimit të çlirimit dhe të lirisë së vendit, që aq gjatë e kemi pritur dhe aq shtrenjtë e kemi paguar”, ka thënë Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat