Vladimiri, analistët komentojnë gjuhën e Veselit kundrejt Kurtit - Bota Sot
Vladimiri, analistët komentojnë gjuhën e Veselit kundrejt Kurtit

Politika

E enjte, 20 shtator 2018

Vladimiri, analistët komentojnë gjuhën e Veselit kundrejt Kurtit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 mars 2018 Në ora: 22:06
Kadri Veseli- Albin Kurti

Gjuha fyese dhe përçmuese e politikanëve për kundërshtarët e tyre politikë, është kritikuar jo rrallë herë. Kjo gjuhë vazhdon të përdoret në Kuvendin e Kosovës, qoftë nga deputetët, qoftë nga kryeparlamentari.

Në seancën e së hënës, ku është diskutuar për Projektligjin për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, kryeparlamentari Kadri Veseli i është drejtuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, duke i thënë që të shkojnë në Vladimir për ta mbrojtur patriotizmin.

Vladimiri është emërtimi sllav i vendbanimit Katërkoll, që gjendet në krahinën e Anës së Malit në Komunën e Ulqinit, krahinë kjo e cila ka në përbërje mbi 20 vendbanime (fshatra), duke përfshirë edhe fshatin Sukubinë, vendlindja e babait të Albin Kurtit.

Një gjuhë e mënyrë të ngjajshme ndaj Kurtit, ka përdorur edhe ish- Kryeministri, Hashim Thaçi në vitin 2012.

Ai në një mënyrë nënçmuese ka përdorur emërtimin sllav ndaj një treve shqiptare, që gjendet nën administrimin e Malit të Zi.

Duke komentuar këto dallime krahinore të liderëve politikë në mes shqiptarëve, kur dihet se shqiptarët janë një popull, por të ndarë në disa shtete, analisti politik Rexhep Shahu thotë se kjo është si pasojë e mungesës së kulturës dhe paqartësi për ta ushtruar pushtetin.

Sipas Shahut, Veseli duke dashur të tregojë superioritet ndaj Kurtit tregon inferioritet të theksuar.

Image
Rexhep Shahu

“Duke tentuar të sfidojë Kurtin, duke dashtë  të tregojë superioritet Veseli tregon inferioritet të theksuar. Duke dashtë  të etiketojë dikën apo një  zonë  a një  rajon, ai shfaq inferioritet, shfaq dobësi. Mungesa e kulturës dhe paqartësia për ta ushtruar pushtetin e bënë Thaçin dhe pasuesin e tij të përdorin gjuhë rrugë dhe të zvogëlohen para qytetarëve. Kurti apo kushdo qoftë pas tij e me të, nuk bënë të fyhet e të tallet. Munde,  por mos e fyej”, pohon Shahu për “Bota sot”.

Ndërkaq, opinionisti Xheladin Zeneli në një opinion dërguar gazetës “Bota sot” thotë se Veseli dhe Thaçi kanë nevojë për një mësim edukues për një krahinë shqiptare, të cilën ata e përmendin në kontekst përçmues ndaj deputetit Kurti, sa herë që nuk përputhen me mendimet e tij.

Image
Xheladin Zeneli

“I sugjeroj Thaçit që gjatë takimeve dhe koktejeve me mikun e tyre Millo Gjukanoviq, do të ishte e udhës që si lider i shtetit të Kosovës, t’i mbroni dhe t’i përkrahni bashkëkombasit tuaj dhe njëkohësisht të shtroni çështjen e avancimit të të drejtave të shqiptarëve, jo vetëm të “Vladimirit”, por çështjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi. Gjithashtu i sygjeroj, Veselit dhe Thaçit, që gjatë vizitave të tyre të shpeshta në Podgoricë dhe takimeve dhe flirtimeve që bëni me qeveritarët e Malit të Zi, të gjeni kohë që të vizitoni këtë trevë, me ç’rast do të bindeni vetë për respektin, admirimin dhe ndjenjën e ngrohtë vëllazërore që banorët e Anës së Malit gjithnjë ushqejnë për Kosovën dhe për bashkëkombasit e tyre. Kjo ndodh në rend parë për faktin se jemi një komb me një gjak e me një gjuhë të përbashkët, dhe së dyti, anamalasit nuk e harrojnë kurrë rolin e madh që ka luajtur Kosova, përkatësisht universitetet e saj në shkollimin dhe arsimimin e lartë të gjeneratave të shumta të banorëve të kësaj treve”, ka shkruar Zeneli.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test