Frashër Krasniqi dhe prapavija e ndaljes së mikrofonit nga Kadri Veseli - Bota Sot
Frashër Krasniqi dhe prapavija e ndaljes së mikrofonit nga Kadri Veseli

Politika

E shtunë, 23 qershor 2018

Frashër Krasniqi dhe prapavija e ndaljes së mikrofonit nga Kadri Veseli

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 4 mars 2018 Në ora: 21:13
Momenti kur Kadri Veseli, ia ndërpreu fjalën deputetit të VV-së Frashër Krasniqit.

E premtja nuk ishte ditë e zakonshme në Kuvendin e Kosovës. Jo, të paktën kur kemi parasysh atë që përfaqëson Kuvendi dhe për çka është i thirrur si institucion.

Termi “Parlament”, rrjedh nga fjala franceze parlement, i parler ("flas"). E pikërisht, të fliste, iu ndalua deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, të premten në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nuk e pa të arsyeshme që të dëgjonte fjalët e deputetit të sapo dalë nga burgu si i akuzuar për terrorizëm. Me këtë, Kreu i Kuvendit, ua ndaloi edhe qytetarëve të Kosovës, që të dëgjojnë atë që kishte për të thënë Krasniqi.

Procesi gjyqësor ndaj Deputetit Frashër Krasniqi dhe tre aktivistëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, që akuzohen për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, është kthyer në pikën zero.

Kujtojmë, se Krasniqi nuk kishte arritur ta “shijonte” pozitën e deputetit aq sa duhet, për shkak të procesit gjyqësorë dhe masës së paraburgimit. Në momentin që i erdhi mundësia të fliste, fjala iu ndal nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Qytetarët e Kosovës, kishin mundësi ta shihnin Frashër  Krasniqin, të revoltuar gjatë emisionit televiziv, ku debati me deputetin e Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, kishte eskaluar në dhunë fizike.

Ndalja e mikrofonit dhe privimi nga e drejta për ta dhënë mendimin e tij, mund të duket edhe si një lloj “hakmarrjeje” e Veselit, për shkak të goditjes që Krasniqi ia kishte bërë Zekës në shtator të vitit të kaluar.

Pavarësisht faktit se Zeka kohë pas kohe sulmon Veselin me fjalë, ata prapë se prapë i takojnë të njëjtit “brum”.   

E ngrisim këtë hipotezë, duke kujtuar faktin, se në Kuvendin e Kosovës, nga deputetë të ndryshëm, janë bërë shumë akuza për vrasje e krime, por që Veseli nuk kishte marrë mundin që t`ua ndalte mikrofonin. Gjithmonë i kishte udhëzuar deputetët, që për akuzat e tyre ti drejtoheshin Prokurorisë, e fjalën nuk ua kishte ndalur.

Përse duhej ti pengonte kreut të Kuvendit, ajo që Frashër Krasniqi do të thoshte para deputetëve.

“Arsyeja pse ma ndaloi fjalimin Kadri Veseli ishte se e ka kuptuar që procesi gjyqësor ka qenë i montuar dhe e ka shfrytëzuar këtë politikisht. Po shihet që jemi të pafajshëm, edhe Veseli e din këtë, që i ka shku fytyra”, tha Krasniqi, pasi lëshoi seancën bashkë me bashkëpartiakët e tij.

Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi ka hedhur akuza ndaj Kadri Veselit, lidhur me veprimtarinë e tij në si udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës. Po ashtu, kjo parti politike ka paralajmëruar formimin e komisionit parlamentar për hetimin e SHIK-ut.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test